top of page

Я - Ю - УО – GERMA RUSE


REXHEP SHAHU

Я - Ю - УО – GERMA RUSE NË COPAT E PREDHAVE SERBE QË BOMBARDUAN CIVILË NË KOSOVË DHE MUNDËN MILOSHEVIQIN NË HAGË (Fragment nga libri im në proces Lufta ime për Kosovën) (Me Fehim Elshanin e Nagavcit 88 vjeç, që 22 vjet më parë deshmoi për krimet serbe para Milosheviqit në Hagë) Në mesnatë, një orë pasi u nda e enjtja me të premten e 4 prillit 1999, dhjetë ditë pas fillimit të bombardimit të Amerikës e NATO mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi për ta dëbuar Serbinë prej Kosove e për të shpëtuar dy milionë shqiptarët e Kosovës, tre avionë MIG të Serbisë bombarduan me egërsi edhe mbi fshatin Nagavc e rrethinë të Rahovecit në Kosovë, ku ishin grupuar duke kërkuar strehë e mbrojtje rreth 30 mijë njerëz të atyre rajoneve, kryesisht gra, pleq, fëmijë. Bombat serbe bënë shkatërrime të mëdha. “Gjashtë të vdekur nga copat e predhave të aroplanave serbë kanë mbetë vetëm në oborrin tim… Kam dëgjuar rënkime e ulërima njerzish që kishin mbetë nën soletat e taracat e shembura,… Rendëm sa mundëm të shpëtonim njerëz e t’i çonim në spital të Prizrenit... Mjafton të shohësh fotografinë e shtëpisë dhe oborrit tim që të shohësh përmasat e shkatërrimit nga predhat e bombat serbe. Nuk di se nga kishte fluturuar hedri i autokombajës dhe karroceria e traktorit që kanë qenë në oborrin e shtëpisë”, më thotë Fehim Elshani. “Oborri ishte lëruar apo pluguar thellë nga 16 bombat a predhat që aroplanat serbë kanë lëshuar në zonën tonë…” Me të njejtën egërsi që bombarduan, dëbuan njerëz e bënë masakra mbi shqiptarë të rajoneve Gjakovës, Rahovecit, etj, serbët arritën ta përhapin si virus lajmin e rremë se ishte NATO ajo që bombardoi dhe bëri masakra mbi shqiptarë, duke u thënë shqiptarëve, “kqyrni çfarë ju bën NATO…”. Nga këto bombardime vdiqën shumë njerëz. … Vetem dy grave qe kishin gjete strehe aty u vdiqen 8 fëmijë… nga shembja e soletes se bodrumit ku ishin strehuar nga goditja e bombave serbe. Një prej të mbijetuarve është Ismet Danaj që ishte strehue në Nagavc. Ai me gjoks të hapur e me copa predhash në trup ka udhëtuar pa ndjenja për në Kukës dhe ka shpëtuar falë intervenimit e kujdesit të doktor Ylber Vatës në spitalin e Kukësit. Ai ka ardhë pa ndjenja deri në doganën e Morinit dhe aty ka çelë sytë e është përmendë. Atëherë është bërë e pamundura që të shpëtonte dhe 23 vjet pas masakrimit të tij nga copat e predhave serbe është gjallë e i fortë. Ngjarjet atëherë zhvilloheshin me shpejtësi, lajmi mbulonte lajmin, e keqja të keqen e bënte mal, shqiptarët iknin sa mundnin prej Kosove me shpëtue kokat e tyre pasi askush nuk u delte zot në ato kohë edhe pse ishin endë mjaft kohë nëpër Kosovë. Serbët digjnin çdo gjë të shqiptarëve, shtëpitë e shqiptarëve, pasuritë e tyre, objektet e biznesit, stallat, ushqimet e blegtorisë, çdo gjë të shqiptarëve. 25 Marsi 1999, dita e parë pasi filloi bombardimet NATO një natë më parë, i gjeti shumë rajone të Kosovës plot me forca policore e ushtarake të egërsuara më shumë se më parë, me paramilitarë dhe mjete lufte. “Mëngjesi i 25 marsit e gjen plot shqiptarë edhe Përroin e Çilave, pasi u shtua dhuna ndaj shqiptarëve”. Serbët me dy tanke, dy kamionë, dy mjete “Praga” etj., lëviznin në rrugët Nagavc-Celinë dhe në rrugën për Rahovec. “Kam dëgjuar vetë serbët duke folë në serbisht e duke thënë, shko e digje edhe atë shtëpi atje dhe veç kur i delte tymi dhe e mbulonte flaka”, tregon Fehimi. Ndërsa shumë njerz ishin te Përroi i Çilave, flaka e tymi ngrihej në qiell deri vonë pasditen e 25 Marsit. Të enjten e 26 Marsit ’99 njerzit kanë marrë ikjen por serbët nuk i lejonin nëpër rrugë të tjera e kështu u grupuan shumë njerëz në Nagavc, hynë nëpër shtëpia, në bodrume, në ambiente të ndryshme, me u futë nën një strehë... Mjetet e transportit që kishin njerzit mbeten prrojeve dhe serbet ua vunë zjarrin me gjithë plaçka. “Duke djegë makinat me gjithë ngarkesat që kishin, serbët dogjën edhe tri gra të moshuara dhe të sëmura që nuk mund të ecnin e të ikin me të tjerët. Njëra ishte nga Krusha e madhe, një nga Hoça e vogël dhe e treta nga Apterusha. Këtë krim ia kam përmendë Sllobodan Milosheviqit në Hagë, thotë Fehimi. Kur më pyeti Milosheviqi në gjyq, nëse ushtria serbe, “armata ime” a shtinin në ju, drejt njerzve apo qëllonin në ajër, iu përgjigja se qëllonin në ajër. Atëherë Milosheviqi si i gëzuar tha, a e shihni se armata ime ju ka marrë në mbrojtje. Po, i thashë, na ka marrë në mbrojtje. Ditën që na ka nxjerrë armata jote prej Përroit të Çilave, tri gra të vjetra, të sëmura i ka kallë, i ka karbonizue armata jote… Kështu na ka marrë në mbrojtje armata jote. Këtu mbeti i heshtur Milosheviqi, tregon Fehmiu. Ja sa humane ka qene ushtria serbe….. me djegë plaka të sëmura shqiptare…” Fehmiu kujton se kjo deklaratë e tij përballë Milosheviqit pati jehonë të fortë në sallën e gjyqit dhe pati shumë ndikim tek të pranishmit. Kur e kemi varrosë njërën, më thotë Fehimi, kishin mbetë veç tre katër eshtra dhe nuk kishte trishtim më të madh… Natyrisht që Fehimi e kishte dhënë me shkrim deklaratën e tij dhe Milosheviqi e dinte çfarë kishte deklaruar, ndaj MIlosheviqi si i akuzuar po e pyeste Fehimin që ishte si deshmitar kundër tij. Por artikulimi me zë prej Fehmiut i historisë kur armata serbe karbonizoi tri gratë e moshuara e të sëmura, ia thau pështymën Milosheviqit në gjyq. Deri me 29 Mars njerzit kishin qëndruat të grupuar në fshat, Fehmiu kishte të strehuar 200 njerëz në shtëpi e oborrin e tij. Me 29 Mars policët serbë kishin dalë me mbledhe haraç, kërkonin marka gjermane, vathë, unaza, byzylikë e flori. Kishin vu para pushkatimit disa djem të rinj dhe nëse njerzit nuk jepnin florinjtë, do t’i pushkatonin ata djem. Serbët ishin dëgjuar t’i thonin njëri - tjetrit se vec florijve, vathëve etj, kishin mbledhë edhe 12 mijë marka gjermane… Pas peripecive të shumta, pas dëbimit dhe qëndrimit disa muaj në Prizren, Kukës e Fushë Krujë, Fehimi kthehet në Nagavc. “Gjeta dy lopët në oborr, kishin shpëtue gjallë. Oborrin e shkretë e kishte mbulue bari si vend të shkretë. Qeni ishte gjallë dhe mu hodh në gjoks… Shtëpitë ngado pa çati, me gjysmë çatie, të bëra shkrumb, të nxira, oxhaqet më shumë kishin mbijetuar…”, rrëfen ai. Pas disa ditëve fillojnë me iu kthye jetës, me pastrue e me rregullue vendin e shtëpitë, oborret që ishin bërë si transhe luftë nga goditjet e predhave e bombave të avionëve që bënë bombardimet. Duke punuar e sistemuar në oborrin vëllait, Fehimi thotë se gjetem disa copa predhash, të atyre predhave që kishin shkatërruar gjithcka. I shohin ato mbetje metalike dhe lexojnë në ato copa predhash germa në gjuhën ruse Я- Ю - УО. I dorëzuam menjëherë ato copa predhash te KFOR-i gjerman. Keshtu u zyrtarizuan provat dhe ndërkombëtarët u ndjenë të lehtësuar në Kosovë e ngado. Këto copa predhash ishin dëshmia e pakontestueshme se bombardimi mbi Nagavc ishte bërë nga avionë serbë dhe jo nga avionë të NATOs dhe predhat ishin serbe e jot e NATOs. Këto copa predhash me shkrime në gjuhën ruse filluan të heqin mjegullat e dyshimit ndaj NATOs që kishte hedhë Serbia, këto copa predhash serbe nuk lejuan të cënohet as të përgojohet autoriteti i NATOs. Fehim Elshani asnjëherë nuk e ka menduar se me ato copa predhash i ka bërë një nder të madh të drejtës. Me ato copa predhash të gjetura pahiri, ai e ka shkatërruar edhe në Gjyqin e Hagës Sllobodan Milosheviqin. Po të mos ishin gjetë ato copa predhash serbe ende sot e gjithë ditën do të kishte një hije dyshimi se ata njerëz në Nagavc kanë vdekë prej bombardimit të NATOs. Nato ka bombardue me dëbue Serbinë prej Kosove dhe nuk ka bombarduar shtëpitë e shqiptarëve. Akuzat e pergojimet ranë, mjegullat e propagandës serbe u zhdukën. Copat e predhave me shkrime serbe u bënë menjëherë provë e Gjykatës së Hagës dhe me këto copa predhash Feim Helshani e “bombardoi” dhe e shpartalloi edhe në Hagë Sllobodan Milosheviqin. A nuk kishte NATO predha te vetat dhe ia mori borxh Serbise qw tw bombardonte shqiptaret me predha serbe?... Kjo ishte pyetja që nuk u artikulue por që lexohej në të gjitha ekranet e muret në Gjykatën e Hagës, kjo ishte pyetja që nuk donte Milosheviqi që ta artikulonte Fehim Elshani… Kjo ishte akuza asgjesuese ndaj Milosheviqit permes provave, copave te predhave me shkrim cirilik rus që kishte gjetë në oborrin e vellait të tij në Nagavc, Fehim Elshani. Me ato copa predhash e shkatërrove Sllobodanin në gjyq, i them Fehmiut. Ai qesh. Po nuk u fol në gjyq për ato predha, më thotë ai. Nuk ia thashë unë këto fjalë, që po thua ti, më thotë ai. Ia ke thënë, i them unë, ia ke thënë edhe fort. KFOR-i gjerman ia ka dorëzue copast e predhave Gjykatës së Hagës dhe Gjykata ia ka lëshue në dorë si patate të nxehtë Milosheviqit. Nuk u fol për to se copat e predhave flisnin vetë, i them unë dhe prej tyre kishte frikë Milosheviqi se ato predha do ta rivrisnin edhe aty atë dhe Serbinë e tij. Ndërsa Sllobodan Milosheviqi në gjyqin e Hagës ngulte këmbë se shqiptarët kanë ikë prej Kosove për shkak të UÇK, ngulte këmbë se ushtria serbe nuk ka qenë e implikuar në luftë në Kosovë dhe se në Kosovë si në Nagavc etj., ka bombarduar NATO dhe jo Serbia. Kur Millosheviqit i doli përballë, në gjyq në Hagë, Fehim Elshani të enjtën, me 19 Shkurt 2002, dhe veç të tjerave, ia tregoi meritën e armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetë e depozituar si prova krimi Fehimi për Gjykatën e Hagës. Ndoshta Milosheviqi ka menduar se Fehim Elshani që po dëshmonte e përballej me Milosheviqin, mund të nxjerrë mbi tavolinë live në gjykatën e Hagës copat e predhave serbe me shkrime në rusisht me germat Я - Ю - УО, dhe duket nga ky shkak ai i paloi veshët në gjyq dhe nuk deshi të zgjatej më tej, nuk deshi ta rishihte përballë Fehim Elshanin ditë tjetër, vetem u shpreh, “dobro...”. Per ta ditë Milosheviqi edhe atje ku është dhe qe të rrijë i qetë, po shtoj për fund se Gjykata e Hagës në shkurt 2009 dhe janar 2014, për krimet e Armatës serbe në Kosovë dënoi Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i RFJ-së (1996-2000) me 22 vjet burg; Dragoljub Ojdanić, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-2000) me 15 vjet burg; Nebojša Pavković, komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-1999) me 22 vjet burg; Vladimir Lazarević, komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Jugosllavisë me 14 vjet burgim; Sreten Lukić, komandant i policisë sërbe në Kosovë (1998-1999) me 20 vjet burg.



26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page