Fatmir Terziu
E kanë prerë trungun në vendet, ku filizat shuhen dhe degët nuk mund të arrijnë kurrë. Degë të shqyera nga plagët e hapura të trungut, lëngojnë vetvetiu në pikat që nuk mund të preken kurrë.
Nuk e kishte zakon trungu të lëndonte vetveten (!)
Por, ja që ka disa dekada, që ka rikujtuar një zakon të keq, të (ri)kërkoj gjëra, që ia lëndojnë madje edhe në vende delikate vetveten. Në vende që nuk shërohen me lehtësi. Në vende ku gjaku dhe mavijosjet janë të paprekshme.
Në ato vende ku edhe fashatimet nuk mund të ndalojnë gjakderdhjen. Kështu që trungu ka mbetur i gjakosur. Ka gjakderdhje dhe i dhemb …
Dhe sado që dikush tenton ta shëroj, atij i rrjedh përsëri gjak.
Një lloj cikli i vetë-torturës. Këto mos ndoshta janë zakone të hebenonit të zemrës?
***
Sa për t’u sqaruar u ndala. Lexova dhe u mendova. E gjitha ishte: Hebenoni (ose hebona) një substancë botanike e përshkruar në lojën tragjike të „Hamletit“ të Uiliam Shekspirit. Identiteti dhe natyra e helmit kanë qenë një burim spekulimesh për shekuj me radhë. Nuk e besoja se kishte pjesën e vet edhe leximi i padenjë.
Me atë lexim koha dukej e shartuar, letërsia e harruar, për të mos thënë e mbaruar. Dhe ndaj na duhet të rivendosim mes nesh përsëri ritmin. Unë mendoj se është koha për të thyer ciklin.
Pa dyshim "Po", cikli duhet thyer sa më parë. Ju profesor trajtoni vërtet tema që flasin për realitetet që jetojmë, por që hedhin vështrimin në përsosjen e së ardhmes. E keqja e sotme që po kacafytet me demokracinë, e sigurtë se do të dështojë. E mira do të fitojë.
Fahri Dahri