top of page

ÇGJUM-U ...!


ÇGJUM-U ...!

(Me të sotmen e garuzhdes dhe sedefnajën e “Dorëshkrimit të Simonit”)



Me të sotmen e përsheshur, me garuzhden e grykësisë dhe lukunive të tjera, mes udhës së “Dorëshkrimit të Simonit” dhe “Abecesë së Todhrit” e folmja e qashtër e Elbasanit nxjerr nga sepeti i saj i severgjenit dhe nga moti i rritjes së mardanozit “dy herë në sene-t” disa fjalë të dëgjuara hershëm, bukur, por sot mjaft radhë.

Foljen ndihmëse “Mund”, me pjesës mohimi, e përdor në trajtën “sun” dhe jo në trajtën e plotë: “s’mund”. Kështu këto fjalë kanë një vlerë mjaft domethënëse dhe sot, sidomos në ditët që kalon Atdheu:

Suneci, (s’mund të ecë)

Sunebai (s’mund ta bëj)

Sunflas (s’mund t’i flasë)

Sunithash (s’munda t’i them)

Por më e forta kur nazalja fundore e kësaj trajte të rrëgjuar bie, na del qartë dhe bukur:

SUVI që është e barbartë me SUNVI.

E kështu, e kështu me radhë duke ndërruar bilabialen e tingullit “b” në “p” nga BRUM na diktohet PRUM dhe në vend të BRIMË ka gjithkund PRIM.

E më në fund për “u rrëzua” thuhet “UCËRRUA” ose “UXËRRUA”. Pra, nëse është koha dhe momenti të „xërrohet“ pra të rrëzohët, duhet natyrshëm të ndodhë ajo që Simoni në dorëshkrimin e tij të hershëm e delegoi të mirëkuptohej, pra “CËRROHET” OSE “XËRROHET”. Në të dy përdorimet një efekt ka është pra koha të XËRROHET. E në të këto më kujtohen disa shpoti të Profesor Bardhyl Matraxhiut, kur i hyn thellë e me themel me Dajë Sulën e tij fiktiv. Ndërsa Bardhi i sotëm (Profesori i nderuar, i biri i një figure të shquar e të respektuar sikurse ishte Qemal Matraxhiu) zgjon jo më kot Sulën e përgjumur, Simoni mbahet mend me dorëshkrimin e tij që na dha edhe një fjalë mjaft të bukur, që nuk e kuptoj pse nuk përdoret mjaft, që është në vend të fjalës “ZGJOJ”. Ajo fjalë është “ÇGJUM”. Do të kishte më shumë vlerë nëse do të vihej kryefjalë e këtyre ditëve. E ditëve që duhet të ishte pra kjo fjalë kaq e mbyllur në sepetet e indiferentizmit dhe pakënaqësive personale për hir të nistaqeve të Çelos. Përtej të gjithave, bashkë me atë që na ka prurë Simoni me dorëshkrimin e tij në mjedisin më të ndjeshëm e më të urtë shqiptar, në Elbasan, “ÇGJUM-U” nuk është thjesht një fjalë. Aq më shumë që të jetë një fjalë e harruar, apo e tejshkuar, për intelektualin, akademikun, të thjeshtin, të papunin, të mirin e të keqin..., për Njeriun, për shqiptarin që kurrë nuk është udhëzuar të flejë gjumë, të mbetet në gjumin e përrallave të të tejngopurve.

Pra, ÇGJUM-U elbasanas, ÇGJUM-U!, do të shkonte mjaft për shtat edhe për këtë 14 maj!

@Copiright

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page