top of page

ÇFARË ËSHTË KULTURA ARTISTIKE?!


Ndini Bardhi

Arti si vetvete dhe vlerë shpirtërore specifike në jetën njerëzore të shekujve ka ekzistuar harmonishëm si kontribut dhe domosdoshmëri në kulturën e përgjithshme të individit, shoqërisë, kombit dhe më gjerë. Ai, natyrshëm ka qenë dhe është pjesë e pandarë e kulturës, sepse në thelb të strukturës së tij ka atribute të vlerave kulturore, të shpirtëzuara në hapësirën e jetës njerëzore në breza dhe shekuj. Arti, si pjesë elitare e kulturës së përgjithshme të popullit, është mishërim i shpirtit krijues njerëzor i sintetizuar me pikturë, skulpturë, prozë dhe poezi, në pentagramin muzikor, dramën dhe folklorin etj., me atributet e vlerës kulturore të gjithanshme. Ai e motivon veten nëpërmjet veprave artistike, të cilat si një brumë i gatuar me ndjenjën e njeriut artist dhe popullor, marrin atributet e vlerave shpirtërore, pikërisht si të vlerave kulturore në tërësi. Arti i Rilindjes sonë shqiptare, që fillon me artistët Kol Idromeno, Zef Kolombi etj., ka qenë i lidhur natyrshëm me shpirtin e njeriut, me traditën dhe kulturën kombëtare të kësaj epoke, që lëvizte ndryshimet e jetës artistike së bashku me ato shoqërore në tërësi. Si energji promotore shpirtërore elitare dhe specifike është dukuri komplekse vlerash kulturore, që dallon nga llojet e tjerë të kulturës. Është e vlefshme të theksojmë se në kulturë përfshihet edhe shkenca, arsimi, teknika dhe shumë fusha të tjera, që dallohen prej artit, ku ky i fundit integrohet si element përbërës, harmonik i një strukture të objektit shkencor dhe si kulturë shprehëse specifike në formë emocionale dhe përmbajtje vlerash të së bukurës të objektit ekzistues. Natyrisht, nocioni i kulturës së përgjithshme, shumëplanëshe e universale është shumë i gjerë dhe gjithëpërfshirës në jetën njerëzore në raport me atë artistik. Në këtë kontekst, lidhja dhe ndërvarja e dyanshme e artit me kulturën në tërësi fenomenale, përbën një moment shumë më me interes për të dyja kulturat, të asaj të përgjithshmes dhe asaj artistike e të funksionimit të mekanizmit të tyre si kulturë vlerash njerëzore. Specifike në këtë interes vlerash shpirtërore është dhe merr përparësi kulturore ajo me ngarkesë pozitive e të përgjithshme, kultura artistike, sepse në vetvete ka në strukturë, ide, koncept, interpretim, realizim dhe zhvillim në një kontekst të gjerë kulturor e artistik, të lirë, të pavarur, por edhe të organizuar institucional etj., të lidhura ngushtë me dinamikën e zhvillimit kulturor të shoqërisë. Të gjitha së bashku, konkretizohen si sintezë kulturore nëpërmjet veprave artistike, që për nga vlerat përbëjnë themelin e kulturës artistike dhe vijimësinë krijuese dinamike në kohë dhe breza të rinj artistësh. Nocioni i kulturës artistike si vetvete, në veçanti e në tërësi e portretizon jetën artistike me vlera cilësore shpirtërore, duke dhënë gjendje optimale të frymëzimit artistik dhe përsosje të tij. Kultura artistike është një kompleks dukurish, e cila identifikohet me veprimtari krijuese artistike, si proces e si produkt cilësisht, i lart dhe për nga vlerat fiton atributet e kulturës elitare specifike artistike, ndryshe nga të tjerat. Këta përbërës të kulturës artistike vijnë si rezultat i një krijimi produktiv të artistit apo mjeshtrit popullor, dhe si mekanizëm i zhvillimit të saj. Kjo mënyrë krijimi sjell rezultat të kënaqshëm për krijimin e veprave artistike dhe vlera shpirtërore për publikun e kulturuar dhe artdashës, që i përvetëson dhe i qarkullon në formën e konsumit artistik. Veprat artistike, që mbajnë vlera të vërteta për njerëzit, marrin atributet e një qarkullimi shpirtëror, dhe fenomenin e kulturës artistike për opinionin e gjerë artdashës. Krijimtaria artistike e suksesshme në publik merr përmasa të kulturës artistike me vetë artistin dhe shoqërinë e kulturuar e artdashëse. Natyrisht, arti preferencial bëhet interes, objekt dhe subjekt emocional për njerëzit, kur vepron si energji lëvizëse dhe kulturë artistike. Kur nevojat artistike integrohen në një sistem të gjerë marrëdhëniesh artistike, brenda marrëdhënieve shoqërore, marrin trajta të një prodhimi artistik të porositur, të një vepre artistike të vërtetë dhe të konsumit artistik. Në kulturën artistike zë një vend shumë të rëndësishëm për njerëzit artdashës edhe motivet, shijet, synimet e tyre për artin dhe veprën artistike të vlerave elitare shpirtërore dhe emocionale, të cilat, në mënyrë interesante e të natyrshme, realizojnë marrëdhënie individuale dhe shoqërore artistike. Këto marrëdhënie rrisin si kulturë artistike edhe kërkesat e njerëzve që e duan artin, në të njëjtin sens, edhe përballjen e vetë artistëve, për t'iu përgjigjur kërkesave të tyre. Një rëndësi të veçantë në vlerësimin e artit në tërësi dhe veprave artistike në veçanti si përbërës të rëndësishëm të kulturës artistike individuale, shoqërore e kombëtare, marrin edhe institucionet shtetërore, private, iniciativës së lirë e dashamirëse të personave të veçantë, që e duan dhe investojnë për vlerat artistike, për jetën artistike, ruajtjen dhe reklamimin e tyre në publikun vendas shqiptar, të huaj dhe në botë. Organizma dhe institucione të profilizuara specifike për artin dhe kulturën artistike kanë qenë dhe janë edhe sot të pranishme e të angazhuara nëpërmjet formave e mënyrave aktive të konkurseve, ekspozitave, spektakleve, diskutimeve, komenteve, analizave mediatike të shkruar e televizive etj., të cilat, të gjitha së bashku, krijojnë marrëdhënie vlerash njerëzore, artistike dhe, mbi të gjitha, strukturojnë bindshëm në formë e përmbajtje kulturën artistike të individit, shoqërisë dhe popullit të vet. Sot, në sistemin e tregut të lirë, mall-para, konkurrencës private dhe shtetërore e shumë të tjera si këto, arti dhe artisti, kultura artistike, reklama të profilizuara të marketingut, marrin përparësi në reklamimin e prodhimit, konsumit të përditshëm dhe qarkullimit të mallrave, nëpërmjet të të cilave, edhe vetë arti merr vlerat e qarkullimit artistik në realitetin e përditshëm. Të gjitha realizohen nga shoqatat krijuese të artistëve, shkollat profesionale artistike, teatri, muzetë, ekspozitat, panairet, televizioneve, gazetave, radiove etj., që funksionojnë realisht në kulturën artistike dhe në marrëdhëniet individ-individ, kompani, shtet e shumë të tjera si këto. Në kohën e sotme moderne e të lirisë e demokracisë, të kapitali e të interesave të individit, shoqërisë e më gjerë, arti, artisti, jeta kulturore artistike, marrin atributet e një orientimi dinamik të politikës së prodhimit dhe të konsumit të përgjithshëm shoqëror. Kultura artistike e sotme moderne në shoqërinë aktuale shqiptare përbën një strukturë komplekse dhe dinamike, që zhvillohet nëpërmjet bashkëveprimit të përbërësve të saj, sistemit të kulturës shoqërore të profilizuar dhe të asaj në tërësi. Dinamizmi i kulturës artistike të sotme ecën si tematikë, interpretim të vlerave artistike, si stil e metodë krijuese të ditës e kohës moderne, si raport llojesh, gjinish, zhanresh artistikë, të konsumit artistik e deri në përmasa të organizimit masiv artistik në publik. Kultura artistike në vetvete është lëvizje, gjendje dhe karakter i veçantë shoqëror, të cilat, si elementë ekzistues e aktivë të shoqërisë, marrin atributet e vlerave artistike. Ajo (kultura artistike) është tërësi vlerash artistike të nevojshme për njeriun aktiv që prodhon, konsumon dhe që nëpërmjet prodhimit material kthehet në promotor të riprodhimit të vlerave artistike të reklamave të mallit, që trajton te konsumatori. Në këtë mënyrë, kultura artistike e aktivizuar me jetën që lëviz, merr përmbajtje dhe vlera nxitëse për të ecur përpara, që do të thotë, se ajo përmban në vetvete forca që sjell larmi vlerash të reja dhe veprime produktive krijuese. Kultura në tërësi dhe kultura artistike në veçanti si fenomen shpirtëror gjeneron dukuri të veçanta shoqërore, ndryshime në ide, koncepte dhe mentalitete bashkëkohore për njeriun, shoqërinë e sotme dhe të ardhme. Kultura e sotme artistike shumëdimensionale e kultivuar me ndryshimet e kërkesave të reja artistike moderne, të realizmit konceptual bashkëkohor dhe të qarkullimit të veprave artistike merr frymë të re shoqërore dhe traditë krijuese demokratike për kohën dhe brezat e ardhshëm artistësh. Tradita kulturore dhe shpirtërore e ngritur në art është ajo dhe vetëm ajo që ka jetuar dhe vazhdon të jetojë deri në ditët e sotme. Arti në gjithë ekzistencën e tij shekullore, i mbrujtur në shpirtin e njerëzve, ka krijuar një shumësi traditash të reja, që përcjellin si vijimësi vlerash në breza dhe shoqëri njerëzore, histori, heroizëm, identitet dhe dinjitet, ekzistencë dhe sakrificë, atdhedashuri dhe patriotizëm, folk dhe këngë, kostumografi dhe art, frymë kombëtare dhe popullore shqiptare etj., të cilat, edhe sot, nga brezi i ri, ruhen, pasurohen dhe përvijohen si kulturë e patjetërsueshme tradicionale shpirtërore dhe artistike të popullit shqiptar. Arti ynë popullor shqiptar trashëgon artistikisht dhe kulturalisht një pasuri të çmueshme e përparimtare të së kaluarës epike shqiptare deri në ditët e sotme të lirisë dhe demokracisë që gëzojmë. Nëpërmjet këtyre traditave popullore të shpirtëzuara në kulturë artistike tipike shqiptare dhe vetëm shqiptare, është ruajtur trashëgimia e mëparshme kulturore e brezave të hershëm stërgjyshor, e cila sot merr vlera të pallogaritshme shpirtërore dhe ekzistenciale të saj dhe të një pasurie, që çdo ditë kërkon të frymëzohet dhe mbahet gjallë nga brezi i sotëm. Vitaliteti i kulturës artistike, ndonëse me zigzage të vështira të saj, është ruajtur në çdo kohë sistem politik dhe ekonomik, në një raport dialektik të traditës së çdo treve shqiptare dhe dinamike për nga forca e shpirtit të popullit, për dashurinë për jetën dhe ekzistencën e tij në këtë truall mbarëshqiptar dhe shqipfolës i kudondodhur. Në këtë kuptimësi vlerash shpirtërore dhe artistike, raporti dialektik progresiv i krijimit dhe traditës popullore shqiptare ka ndërtuar mekanizmin e vlerave të çdo kulture artistike në Shqipëri. Ky mekanizëm dhe dinamizëm është vlerësuar dhe përjetuar në çdo kohë nga arti, si një traditë dhe kulturë e përhershme artistike. Këto, në hershmëri të ekzistencës së shqiptarit në shekuj, janë vlerësuar si lëvizje e natyrshme dhe e domosdoshme e kulturës artistike shqiptare, si ndërgjegje e vullkanizuar, si ide dhe pathos artistik, të lidhura shpirtërisht me jetën e shoqërisë dhe të popullit. Gjithçka, e mbështetur në jetën e individit, shoqërisë dhe popullit, merr atributet e traditës dhe të kulturës artistike, të cilat në themel të tyre kanë lidhjen e artit me jetën aktive të shoqërisë. Historia e artit është vetë historia e zhvillimit të shoqërisë. Jeta shoqërore në tërësi karakterizon kulturën artistike në çdo kohë të zhvillimit dialektik të saj. Ndryshimet e objektit dhe subjektit të artit, ideve dhe tematikës, teknikës dhe stileve të tij, të kërkesave të reja artistike dhe të qarkullimit të veprave artistike kanë qenë të imponuara nga ndryshimet e jetës shoqërore të kohës, ditës dhe të vetë artistit krijues. Në çdo stad të zhvillimit të shoqërisë, edhe struktura e kulturës artistike sa e thjeshtë dhe komplekse, është ndërtuar nga vetë jeta e saj. Zhvillimi i artit në vetvete ka qenë dhe është një proces i ndërlikuar dhe i ngarkuar nga dhe me faktorë të shumanshëm. Historia e artit merr vlera të vërteta njerëzore dhe artistike, kur ajo për objekt dhe subjekt të krijimtarisë artistike të saj, ka njeriun, jetën e tij dhe të gjithë shoqërisë. Arti është marrëdhënie individuale dhe shoqërore, i sintetizuar me kulturën shpirtërore të tyre dhe me gjithë ekzistencën morale, që ato mbajnë në subkoshiencë si qenie njerëzore në këtë botë universale të pafundme. Ndini R. Bardhi

Piktor, studiues arti

126 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page