top of page

Çaush Kulllafi: NXËNËSI IM QË MË MËSOI DURIMIN



 

( Bazuar në një realitet)

 

Në fillim të një viti shkollor, më erdhi një nxënës nga një zonë e largët dhe e thellë e Shqipërisë. Kishte ardhur në klasën ku unë do të jepja mësim atë vit. Ishte një fëmijë që vinte me një botë të vetën, të rritur pranë prindërve me shumë dashuri dhe përkëdheli. Nuk ishte mësuar me kufizime, nuk pranonte lehtë këshilla dhe shpesh sfidonte rregullat që i vendosnim në klasë.

Unë, pas kaq shumë vitesh në arsim, isha hasur me shumë karaktere të ndryshme, por ky djalë kishte diçka ndryshe. Kishte teka, po kishte dhe shpirt. Kishte kundërshti, po kishte dhe ndjenjë. Mundohem gjithmonë ta kuptoj secilin nxënës sipas botës së vet, por me të shpeshherë ndihesha i pafuqishëm. I flisja, përpiqesha ta bindja për rëndësinë e disiplinës, por shpesh më kundërshtonte. Kishte ditë kur më mërziste aq shumë sa më ngrihej zëri ndaj tij, por ai zë e mërziste më shumë dhe e mbyllte edhe më fort vetveten.

Në momente të tilla më dukej se po më humbte durimi, dhe pyesja veten: mos vallë vitet në mësimdhënie po më lodhin? Mos po rritet një brez tjetër që s’e kuptoj dot më? Nuk kisha përgjigje. Vetëm heshtje.

Ulesha në tavolinën time dhe mendoja: "Ky fëmijë është në një moshë të ndjeshme. Në një etapë formimi që do ta shoqërojë për gjithë jetën. Kur të rritet, kur të dalë në jetë, do ta ndjej si përgjegjësi nëse unë, mësuesi i tij, nuk dija të sillem siç duhet me të."

Më kujtoheshin fjalët e profesor Hamit Beqjes: "Mësuesi i mirë njihet para nxënësit të vështirë." E dija që ky ishte çasti im për ta dëshmuar këtë.

Djali ishte i dashur në mënyrën e tij. Me shokët sillej mirë, me mua kishte respekt, por çasti e bënte marrëdhënien tonë të vështirë. Megjithatë, zëri i tij në biseda më emociononte. Kishte një ndjenjë të thellë brenda tij, një dëshirë për t’u ngritur, për të arritur të tjerët. Kur erdhi për herë të parë në klasë, nuk dinte as të lexonte.

Vendosa t’i kushtoja kohë. Pa orar, pa kufij. T’i mësoja durimin vetes, t’i ndërtoja besimin atij. E përfshiva në detyra, në projekte, në aktivitete grupi. E lavdëronim për çdo arritje, e falënderonim për bashkëpunimin. Filloi të ndjehej pjesë. Filloi të besonte në vete.

Grupi i klasës filloi ta shihte si një vlerë. "Ti i bën gjërat bukur", i thoshim. "Ti je i saktë, ti je i dashur." Për çdo zhvillim isha në kontakt të ngushtë me prindërit e tij. E angazhova edhe në konkurse në nivel shkolle. Sa shumë gëzonte! Çdo hap përpara ishte një fitore për të — dhe për mua.

Sot, ky nxënës është në vitin e fundit me mua. Tani, është nxënës i  mirë  në klasë. Nuk largohet nga shkolla pa më përqafuar. Sot e shoh të qetë, të edukuar, të aftë për të ecur vetë në jetë. Dhe shpesh mendoj: ndoshta nuk ka nxënës të vështirë — ka vetëm botë të pakuptuara. Po të lexosh shpirtin e tyre, do gjesh rrugën për ta ndriçuar.

Besoj fort se një ditë, kur të më takojë në rrugë, ai djalë do më thotë:

"Faleminderit, mësues, që pate durimin dhe nuk hoqe dorë. Faleminderit që më ndihmove të bëhem nxënës i mirë në mësime dhe edukatë."

Mësuesi, në çdo moment të vështirë, duhet të kalisë durimin. Ai është në rolin e formuesit të filizave të rinj. Dhe siç t’i formojë, ashtu do të lulëzojnë në jetë.

Për nxënësit e tu mund të shkruash gjatë... dhe përsëri të mos e thuash të gjithën.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page