top of page

ÇAUSH KULLAFI: Vëllim me poezi i autorit Bashkim Saliasi




SHKRUAN ÇAUSH KULLAFI

Shpesh qëllon, që poeti dhe njeriu janë larg, por kur ata piqen bashkë, është një pikëpamje e bukur estetike dhe njerëzore.

Këtë e preka në vëllimin me poezi "Tomori-Mal i shenjtë", të poetit Bashkim Saliasi. Në poezitë e tij janë bashkë njeriu dhe poeti. Në këtë vëllim poezia vjen jo si një shtirje, por si një përjetim. Gjithëçka e shkruar në vargje, shpreh dashurinë për vendlindjen, familjen, të afrmit, prindërit, shokët dhe veçanërishtë për Malin e Shenjtë, Tomorin në të cilën është rritur. Libri me poezi trajton tema të ditës, që godasin fenomenet e pabesisë, mashtrimit, intrigat dhe zhgënjimin, që po pësonë shoqëria çdo ditë. Në poezinë “Servili” poeti shkruan: Si qen i pabesë, shoqërinë ngatërron, bajgë e ngjitur në lesë, leh dhe kafshon. Me këtë poezi të thjeshtë, autori godet servilizmin e zyrtarëve dhe njerëzve të korruptuar, që po pasurohen në kurriz të popullit me vila të shtrenjta e makina lluksoze. Kjo trajtohet edhe te poezia “Zullumqari”.

Zbriti nga fshati në qytet, pallate ndërtoi me shumë kate, pronën e tjetrit e bëri të vetën, përzuri pronarët brenda një nate.

Autori nëpërmjet satirës fshikullon politikanët e korruptuar, të cilët porsa marrin votën mbyllin telefonin dhe nuk zgjidhin problemet e premtuara gjatë fushatës. Në poezinë “Zagarët politikë”, duket qartë fenomeni e njerëzve të gënjyer nga këta politikanë të pandershëm. “Zagarët politikë” janë shtuar shumë, “lehin” në mitingje, sheshe e rrugë, kur zgjedh në krye maskarenjtë, populli vuan dhe e paguan shtrenjtë. Në poezinë “Padrejtësi” autori kritikon vesin e mashtrimit dhe të korrupsionit, që po ndodh nga dita në ditë në shumë fusha të jetës në shoqërinë tonë qoftë në zgjidhjen e problemeve juridike, spitalore apo dhe probleme me drejtësinë. Ja si shkruan ai:

MENDIME RRETH LIBRIT "TOMORI-MAL I SHENJTË"

Drejtësia veç para, tjetër s’kërkon, padrejtësia vjen e të dhunon, e vërteta, diellin me shoshë s’e mbulon, ajo vuan, por kurr s’harron. Poezitë e Bashkim Saliasit janë frymëzim që buron nga dashuria për vendlindjen dhe me një ndjenjë të fuqishme e shprehn edhe te poezia: “Fshati im” Lagjet s’dallohen, shtëpitë kanë rënë, oxhaqet nuk nxjerrin tym e zë, po humbasin varret me ferra zënë, fshati në heshtje rri e flë. Sikundër shpreh dhimbjen dhe malldashuri për fshatin e lindjes në poezinë “Dobrusha ime”; Sot, kudo heshtje e shkatërrimi mbretëron, shtëpitë e braktisura janë shëmbur përtokë. Vendlindja e braktisur klith e loton, si një nënë hyjnore: -Kthehuni!-na thot!

Bashkim Saliasi, duke qenë mjeshtër i penës, them se në të gjitha poezitë e tij, zotëron një preceptim figurativ mjaft interesant për dashurinë në të gjitha përmasat e saj.  Ky ngacmim të shton kureshtjen, ta lexosh këtë libër xhepi dhe të jetosh me problemet dhe hallet e shoqërisë. Poezitë kanë një frymëmarje të gjerë dhe janë shpirti krijues i autorit pa sforcime, por frymëzime të autorit të derdhura në vargje. Ato që i bëjnë të këndshme poezitë e Bashkimit, janë mesazhet dhe emocionet, figuracioni pasur dhe magjia e fjalës. Çdo poezi përcjell te lexusi një mesazh njerëzor. Poeti Saliasi përcjell te lexuesi tingujt e një poezie jo vetëm të çiltër, por plot aromë vendlindje.

Në çdo poezi të këtij vëllimi shprehet lirizmi i ngrohtë dhe i thjeshtë. Në poezitë e tij poeti i këndon, rinisë, dashurisë për jetën, dhe vendit ku ka lindur. Poezitë e tij janë të veshura me sfondin e asaj kuptimsisë orgjinale që është limfa poetike i një shpiriti të dashuruar të sinqertë dhe të dlirë.

Dashuritë e poetit Saliasi janë të shumta. Ai me plot pasion në vargjet e tij, i këndon Malit të Tomorit, mal i shenjtë, që për çdo vit pret me mijëra vizitorë bektashinjë me besimin se, ai i ndihmon në jetën e tyre. Në këë Mal të shenjtë vijnë pelegrinë nga gjithë krahinat e jugut të Shqipërisë, por edhe nga diaspora si Amerika, Kanadaja, Anglia, Australia, Italia, Franca, Gjermania, Greqia, dhe  të gjitha vendet, ku punojnë e jetojnë besimtarët bektashinjë. Nuk dua të humbas kureshtjen për këtë vëllim me poezi dhe as t’i bëjë analizë  botimit të librit, “Tomori-mal i shenjtë”, të autorit Saliasi, por në këto rreshta shpreha impresionet e mia, të cilat dëshiroj t’i ndaj me lexuesit.

Një arritje e dukshme në këtë vëllim me poezi në krahasim me librat e tjerë të botuara më parë, është ritmi dhe muzikaliteti harmonik i ëmbël. Vargjet e tij shprehin muzikën harmonike që ndjen tërë pulsimet shpirtërore të dashurisë në të gjithë dimensionet e saj.  Si shok, mik dhe koleg i uroj poetit Bashkim Saliasi, udhëtim të këndshëm në fushën e krijimtarisë, në veçanti atë të poezisë.

57 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page