Prof. Mahir Hyka, djali nga Çermenika, ekselenti; që shkëlqeu si student dhe si mësimdhënës
Me emrin e zotit Mahir Muka janë rritur breza të tërë. Edhe më të rrinjtë që kanë ardhur në jetë kohët e fundit duke dëgjuar më të moshuarit të thonë pa frikë se Mahir Muka është një figurë e kompletuar në Çermenikë. Si e tillë kjo figurë intelektuale është dhe mbetet edhe priorotet i shoqatës sonë “Çermenika 2017“.
Shoqata Kulturore “Çermenika 2017“, sikurse dihet tashmë, në çdo kohë promovon figura dhe intelektualë të Çermenikës në vite. Ndër këto figura, pra sikurse e cituam më lart është dhe prof. Mahir Hyka. Po kush është intelektuali Mahir Hyka?
Jeta dhe shkollimi i tij në vite
Të shkruash për prof. Mahirin, i bën një nder vetes dhe zonës, ku ai u lind dhe u rrit dhe i shërbeu atij komuniteti me devotshmëri. Profesor Mahiri ka lindur më 15 maj 1951, në fshatin Orenjë, të zonës së Çermenikës. Profesor Mahiri kishte etje për dituri. Ai, në vitin 1965 mbaron arsimin 7 vjeçar me rezultate të shkëlqyera. Duke parë arritjet e tij, në vitin 1966, e dërgojnë në Shkollën e Gjuhëve të Huaja, dega gjuhë ruse. Kjo shkollë, në atë kohë, varej nga Ministria e Arsimit dhe merrte nxënës me mesatare 10, dhe profesor Mahiri e plotësonte këtë kriter. Në përfundim të vitit të parë, nga 27 nxënës, që kishte klasa, përfunduan vetëm 14 nxënës. Në këtë shkollë, kryesisht studionin fëmijë pushtetarësh. Në vitin 1970, profesori mbaron shkollën e mesme me rezultate shumë të mira dhe po atë vit fillon studimet në Fakultetin e Gjuhëve të huaja, dega gjuhë ruse, degë kjo shumë e vështirë. Këtë fakultet, profesori e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1973 dhe emrohet mësues i gjuhës ruse në shkollën 8 vjeçare të qytetit të Librazhdit. Në vitin 1974, mbron diplomën shkëlqyeshëm dhe pas përfundimit të zborit vazhdon të punojë në shkollën 8 vjeçare Librazhd deri në vitin 1975.
Angazhimi dhe profesionalizmi mes punës
Për punën e tij, ai propozohet për zv. Drejtor shkolle në këtë shkollë, por drejtuesët e pushtetit në rreth, duke qenë poshtë nivelit të profesor Mahirit, e emrojnë zv. Drejtor në shkollën 8 vjeçare në Orenjë . Këtë detyrë e kreu me devotshmëri deri në vitin 1980. Në vitin 1980 kalon në stazhin e partisë, njëkohësisisht vazhdon Shkollën e Partisë, pa shkëputje nga puna.
Në vitin 1983 emërohet drejtor i Shkollës së mesme Orenjë , shkollë kjo me 34 mësues dhe 560 nxënës, detyrë të çilën e kreu deri në vitin 1991. Në vitin 1984 është dekoruar nga Ministria e Arsimit si mësues dhe si drejtues i dalluar.
Në vitin 1980 fiton konkursin për pedagog në Universitetin Bujqësor në Kamëz, në degën e financës, por nuk lejohet nga rrethi i Librazhdit për të punuar në universitet.
Në shtator të vitit 1993 emërohet mësues i gjuhës ruse në shkollën e mesme të Librazhdit me gjysmë norme dhe pjesën tjetër e plotësonte, duke kryer detyrën e specialistit të gjuhës ruse në Drejtorinë Arsimore të Librazhdit. I pushtuar nga emocionet e viteve që tregon profesori ndalon për një çast dhe si di ai shprehet tregon: “Jam krenar se qindra e qindra nxënës, mbajnë në dëftesën e lirimit dhe të pjekurisë firmën time”.
Familja dhe përkushtimi
Në korrik të vitit 1978 prof. Mahiri martohet me vajzën nga fshati Zdranjsh, znj. Flutura Kaca, në profesion farmaciste. Flutura e ushtroi profesionin e saj me shumë pasion e profesionalizëm në fshatin Orenjë nga shkuti i vitit 1979 e deri në gusht të vitit 1994. Çifti Hyka kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të dy të martuar.
Angazhimi i mëtejshëm
Profesor Mahir Hyka, në vitin 1996 transferohet në Tiranë dhe është marrë me biznesin e tij privat. Ai është i angazhuar në Shoqatën Kulturore “ Çermenika 2017”. Gazeta “Zana e Çermenikës”, i ka lënë një hapësirë profesor Mahirit me rubrikën “Thënie të mençura”, që tashmë është bërë e dashur në faqet e gazetës.
Si konkluzion mes fjalës së Tjetrit
Miq të shumtë flasin fjalë vlerësuese për professor Mahirin. Rastësisht në bisedë me z. Eduart Xhani dëgjojmë se profesori qenka mik i familjes së Hyqmet Xhanit në Gizavesh të Librazhdit. Kemi kujtime të bukura me profesorin, tregon Eduarti. Ai është një mik i mirë për familjen tonë.
Në përfundim të jetëshkrimit, ne i uromë profesor Mahir Hykës, të ketë jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Tiranë, më 20 dhjetor 2024
Comments