Çaush KULLAFI: LETMI – Vendlindja ime
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 3 min read

Shkruan: Çaush KULLAFI
Letmi, fshati im i dashur, shtrihet në veri të qytetit të Librazhdit. Me një territor të gjerë dhe histori të pasur, Letmi përbëhet nga pesë lagje dhe kufizohet me: me Gizaveshiin në jug, në perëndim me me Zgoshtin, në veri me Lunikun, Llangën dhe Fushë Studë,në lindje me malin e Mirakës dhe fshatin Kosharisht.Është fshati më i madh në gjithë zonën , një perlë e natyrës dhe e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.
Letmi është i bekuar me natyrë të mrekullueshme. Dy fushat që shtrihen në malin e tij zënë një sipërfaqe prej 50 hektarësh dhe janë pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut, për shkak të pasurive natyrore që ruan. Shpella e akullit është një nga dëshmitë më të veçanta të këtij thesari natyror. Çezma e Javarecit, ku në pllakën e saj shkruhej: Rahmeti nga Hamit Shuli, një tjetër mrekulli me ujë të kristaltë, siç përmendet në këngën e krijuar nga Çaush Kullafi
..Në Fushë Gurrë e Javarec
ujë burimi si kristal
n'kurorë malesh e rrethu
Çemenikë zoti të ka beku...
Ky fshat ka ruajtur ndër shekuj vlerat e besës, mikpritjes dhe burrërisë. Fiset më të njohura që kanë lënë gjurmë në historinë e Letmit janë: Biçaku, Bogdani, Kullafi, Borufi, Bardhi, Shuli, Lala, Dushku, Prodani, Hysa, Kaza, Gajdja, Kushi, Troshku, Dobra, e të tjerë. Në defterët osmanë të vitit 1467, fshati përmendet me emrin "Letmije", ndërsa në regjistrimet e vitit 1583 me emrin "Letmi".
Në historinë e tij, Letmi ka pasur figura të shquara që kanë lënë emër për fisnikëri dhe ndershmëri. Disa prej tyre janë: Bajram Brufi, Dan Kullafi, Fejzulla Bardhi, Man Bogdani, Selim Shuli, Haziz Lala, Tahir Brufi, Ramadan Shuli, Sinan Shuli, Sali Shuli, Ramiz Qatja, Ismail Kushi, Destan Kullafi, Ali Kullafi, Zyber Shuli, Destan Bardhi e shumë të tjerë që historia i mban në zemër.
Arsimi në Letëm
Shkolla e parë fillore u hap më 1932, me nxënësit e parë si nga Letmi, Ramadan Shuli, Shaban Dobra, Adem Dushku, Fez Bardhi, Isuf Biçaku, Tahir Shuli. Nga Zgoshti erdhën nxënës si: Jakup Qoshi, Met Boci, Ali Qoli, Qerim Qoshi, Dilaver Shpata, Veli Alla e të tjerë.
Letmi në Luftën e Dytë Botërore
Fshati mori pjesë aktive në Luftën Nacionalçlirimtare. U ngrit çeta e vullnetarëve nën drejtimin e Haziz Biçakut. Me fillimin e luftës së dytë botërore u krijuan dhe formacione partizane. Mosmarveshjet midis formacioneve krijuan ndasi dhe përplasje.
Në vitin 1943–1944, u formua Këshilli Nacionalçlirimtar me pjesëmarrës si Iljaz Bogdani, Bajram Brufi, Ramadan Shuli, Ismail Kushi. Letmi dha katër dëshmorë për lirinë: Hajdar Kullafi, Haziz Dobra, Zeqir Biçaku dhe Dalip Biçaku.
Jeta kooperativiste dhe arsimimi i mëtejshëm
Në vitin 1967, me ngritjen e kooperativës bujqësore, kryetar u zgjodh Ramadan Shuli. Më vonë, u hap edhe Shkolla e Mesme e Bashkuar “Hajdar Kullafi”, ku vinin nxënës nga fshatra si Zgoshti, Luniku, Kosharishti, Qarrishta, Llanga dhe Fushë-Studna. Fisi Kullafi shtrihet në tri lagje të ndryshme: Uljaf, Krasticë dhe Qafë-Uçurke.

Tradita, mikpritja dhe kostumi popullor i Letmit
Letmi njihej për miqësi të forta me gjithë fshatrat e Librazhdit, sidomos me Gizaveshiin dhe Zgoshtin. Kostumi popullor letman përbëhet nga: opinga prej lëkure, çorape me ngjyra të ndezura, shallvare të bardha, xhokë me ngjyrë ari dhe rruaza, xhamadan me temina dhe shamia të kuqe me thekë.
Kostumi popullor i Letmit është punuar nga shumë gra dhe vajza letmanë, përmend këtu kostumin popullor qëndisur nga mësuesja Zylfije Kullafi, i cili u promovua në televizionin shqiptar nga vajza Çermenikase Gëzime Sinani. Ky kostum u prezantua dhe para mbretit të Anglisë dhe zonjës së tij nga dy vajza librazhdase Juliana Shalla dhe Entela Terziu, Entela vajzë nga Funarsi. Burrat e Letmit shquheshin për kërcimtarë të zotë, një traditë që vazhdon edhe sot te brezat e rinj.
Besimi dhe prodhimi bujqësor
Xhamia e Letmit qëndron krenare, me minarenë që duket nga çdo fshat i Çermenikës. Imami i parë ka qenë Ramiz Qatja i cili erdhi nga Dibra e Madhe. Fshati njihet për prodhime të shumta bujqësore, falë lartësisë mbi nivelin e detit dhe klimës së favorshme.
Konkluzion
Sot, shumë banorë të Letmit janë shpërngulur për një jetë më të mirë. Por kujtimi, krenaria dhe dashuria për vendlindjen nuk janë zbehur kurrë. Letmi ka pasur dhe ka burra e gra punëtore, trima, të besës dhe mikpritës. Intelektualët letmanë po japin kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të jetës sonë kombëtare dhe më gjërë.
Ky shkrim është një ftesë për të gjithë letmanët – për ta pasuruar me kujtime, fakte dhe emra të tjerë që meritojnë të ruhen në historinë e fshatit tonë.
Një shkrim i bukur dhe i gjallë për Letmin dhe banorët e tij fisnikë e atdhetarë. Një kontribut i vyer për vendlindjen e tij z. Çaush dhe për brezat që do vijnë.
Urime!