top of page

Çaush Kullafi: Festivali që bën bashkë  Shqiptarët



 

 

Fshati Krrabë ndodhet në pjesën juglindore të Tiranës, midis rrjedhës së mesme të lumejve Erzen dhe Shkumbin. Krraba në vite shquhet si një zonë industriale dhe e pasur me bukuri natyrore. Rruga e asfaltuar, si degëzim i rrugës Tiranë - Elbasan, kalon mespërmes shkurreve dhe pyjeve të dushkut. Fshati Krrabë shquhet për veshjen popullore me atë karakteristikën e veçantë të zonës. Veshjet popullore përdoren në kostumet e nuseve të Malësisë së Krrabës, që identifikohen me vargonjtë e mesit, tirqet dhe kallçet. Ndërsa në veshjet e burrave spikat xhoka e zezë me krahë dhe pa krahë. Këngët e vallet, që janë luajtur në shekuj nga popullsia e kësaj zone, janë trashëgimi kulturore e trashëguar në breza. Instrumentat më të përdorur janë cyrlja dhe daullja.

Djali nga Krraba, Ilir Selba, duke pasur në shpirt traditën kulturore me plot pasion mendoi se ç'mund të bënte për t'i ruajtur në breza këto tradita kulturore.  Iliri, bashkë me disa artistë nga Krraba, morën nismën për të krijuar Ansamblin Artistik "Visaret e Krrabës".

Ky ansambël performoi për herë të parë në vitin 2004 në Pallatin e Kongreseve, në aktivitetin “Sofra e Tironës”.  Në vite, falë punës plot përkushtim të Ilir Selbës, ky ansambël u zgjerua me artistë të tjerë, duke marrë pjesë në shumë konkurime brenda dhe jashtë atdheut. Ansambli "Visaret e Krrabës" ka një aktivitet të gjërë në vend. Çdo vit në Krrabë organizohet Festivali Mbarëkombëtar “Ritet pranverore", ku marrin pjesë ansamble nga gjithë trojet shqipfolëse.

Këtë vit, si në vitet e tjera,  Festivali Mbarëkombëtar "Ritet Pranverore" u zhvillua në Krrabë, në kujdesin e drejtorit të ansamblit "Visaret e Krrabës", z. Ilir Selba.



Më 4 maj 2024 Krraba priti miqtë artistë nga gjithë trojet shqipfolëse. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ky festival u zhvillua në ambjentet të mbyllura, për shkak të kushteve natyrore. Ky ishte edicioni i 19- të i këtij festivali.

Për organizimin e këtij festivali u angazhuan institucionet e pushtetit lokal, si: Njësia Administrative Krrabë, Bashkia Tiranë, Qarku Tiranë, dhe Ansambli “Visaret e Krrabës”, i drejtuar nga z. Ilir Selba.

Në këtë konkurim morën pjesë mbi 200 artistë nga gjithë trevat shqiptare, si: Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. Këngët dhe vallet popullore dhanë jehonë në luginat e fshatit Krrabë. Kostumet popullore krijuan mozaikun shumëngjyrësh në lëndinat e bukura të saj.

Ilir Selba, Drejtor i Ansamblit "Visaret e Krrabës", u kujdes për mbarëvajtjen e zhvillimit të këtij festivali.  Ky festival u ndoq nga shumë pjesmarrës, që në çdo numër duartrokitën interpretimet e artistëve. Nderuan me ardhjen e tyre në këtë festival zotërinjtë: kryetari i qarkut Tiranë z. Aldin Dalipi, deputeti i parlamentit shqiptar z. Xhemal Qefalia, Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Skënder Dyrmishi, Zv ministri i Ministrisë së Kulturës në Maqedoninë e Veriut z. Daim Laçi, Nën kryetari i Komunës Preshevë z. Almir Shaqiri, Administratori i Njësisë Bashkiake Bërzhitë z. Alban Shaba, Kryetarja e Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Qarkut të Tiranës znj. Vera Tarafia, prof. Gëzim Bare, kryeredaktori i gazetës" Zana e Çermenikës" z. Çaush Kullafi, Kryetari i Shoqatës Kulturore "Iliria" z. Setki Jashari,Sekretari i Përgjithshëm i saj z. Kadri Dauti. Uruan për mirëseardhjen miqtë, z. Lorenc Isufi, Kryetar i Njësisë Administrative Krrabë dhe Ilir Selba, Drejtor i Ansamblit

 "Visaret e Krrabës".

Tradita jonë vazhdon, Himni kombëtar. Emocion përcollën në nisjen e këtij festivali dy motrat e vogla nga Shkupi, Hana dhe Isra. Hana 4 vjeçe sot ka ditëlindjen, dhe motra e saj Isra i kishte dedikuar një këngë të bukur, të cilën e interpretuan së bashku.

Gjerdani i artë i këtij festivali mori rrjedhën e tij me performancën e gjithë grupeve pjesmarrëse. Secili grup performoi me shumë mjeshtëri   këngët dhe vallet e vendit nga vinin. Ky është gjerdani më i bukur i folkut tonë.

Krraba sot u vesh me kostumet shumëngjyrëshe  nga artistët shqiptarë. E veçanta e këtij festivali ishte se mes artistëve kishte ndërthurje moshash, 4 vjeçarë  dhe 87 vjeçarë.

Secili grup artistik shpalosi trashëgiminë kulturore kombëtare.

Festivali përfundoi me shumë sukses. Juria e festivalit, si çdo vit e përbërë nga specialistë të folkut, mjeshtri i madh Enver Dizdari, Gëzime Bragjeçi dhe Endri Sallaku, vlerësuan grupet sipas performancës së tyre. Çmimi i tretë ju dha Ansamblit Artistik "Visaret e Krrabës", Ansamblit " Dance Plus" Elbasan dhe Ansambli "Benda" Tiranë. Çmimi i dytë iu akordua Ansamblit "Tradita Folklorike" Kuçovë dhe Qendra Kulturore Ulqin, Mali i Zi. Çmimin e publikut e mori Ansambli "Dufla" ,Maqedonia e Veriut. Këtë vit çmimin e  parë e meritoi Ansambli "Zëri i Kosovës", Fushë Kosovë. Kupa e festivalit shkoi për Ansamblin "Shqipet e Drenicës", Drenas Kosovë.

Kështu u mbyll edicioni i 19 - të i Festivalit "Ritet Pranverore" në Krrabë. Drejtori i Ansamblit "Visaret e Krrabës" z. Ilir Selba për çdo vit nëpërmjet këngëve dhe valleve popullore në Krrabë i bën bashkë shqiptarët.  Vitin që vjen është edicioni i 20-të i këtij festivali. Iliri, si gjithmonë, shpreh krenarinë e tij dhe jep premtimin se festivali i radhës në 20 vjetorin e tij do jetë më madhështor e gjithëpërfshirës.

95 views1 comment

1 Comment


Guest
May 09

Një shkrim informues e vlerësues i këtij aktiviteti kulturor-artistik me vlera të mëdha jo vetëm për traditën e bukur të krahinës, por edhe me vlera mbarëkombëtare. Një aktivitet festiv dhe përbashkues të trevave shqiptare!

Urime!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page