top of page

ZYBA HYSA: THIRRJE PUBLIKE!


DUKE U MARRË ME PROBLEMET PARËSORE…… SHESHOHEN ATO DYTESORET…

 

THIRRJE PUBLIKE!

 

“Mendoj, se duhet të marrë fund “show publik” duke u marrë me problem dytësore, se duke u marrë me problemet parësorë, sheshohen ato dytësoret!

Të bëhemi bashkë të gjithë, ai që është shqiptar, se institucionet tona janë pushtuar nga mbeturinat barbare e kurrë mos prisni bashkëpunim, përkundrazi, do keni pengim, ndaj t’i gëzohemi faktit që jemi në kohën e internetit që na mundëson komunikimin me të gjitha anët e botës”!

 

 

Dëgjoj rëndom, poetë, shkrimtarë, studiues… që ankohen, se dikush u ka vjedhur një varg, apo poezi, një fragment, apo më shumë, një ide, a një të dhënë shkencore… në një kohë që interneti na ka dhënë mundësi të komunikojmë me “hajdutët” për të sqaruar ankesat, apo për të bashkëpunuar me njëri - tjetrin për më të mirën e mundëshme.

Kjo dukuri, për fat të keq, ka dy, apo më shumë anë të qëllimshme dhe rastësore, por sido që të jetë, duhen sqaruar me fakte e dokumenta, me bisedime miqësore duke kërkuar ndjesë!

Po e nis nga vetja:

Kur isha me banim në Vlorë, më tërhoqi vemendjen vendi i shenjtë “Kuzum Baba”, kjo, nga rituali i çdo të enjte që krijonte një lumë njerëzish tek i ngjiteshin shkallëve deri shkonin në tyrbe, ku ishte një varr i huaj e më pas shkonin në teqe, për të hedhur para, në këmbim të një bisede me babain e teqesë, i cili e quante punë këtë shërbesë. Një ditë të enjte, pasdite (isha në punë paradite), u bashkova lumit të njerëzve dhe u ngjita lart, por në fillim shkova tek teqeja, ku më tërhoqi vemendjen flamuri shqiptar dhe gdhendja e shqiponjës dhe shprehjes: “PA ATDHE, S’KA FE” në derë e për këtë fillova një studim për bektashizmin dhe sigurisht lexova shumë autorë e ndër të tjerë, një profesor të Vlorës, i cili kishte bërë një shkrim tek revista “Urtësia”.

 

Të qenit mësuese gjuhe, më jepte mundësinë të kuptoja, sesi mund të marrësh diçka nga një autor, pra vendosja në thonjza e fjalëve të autorit, vendosur më pas vizë dhe jepen sqarimet, ku është marrë, pra të përdorja saktë drejshkrimin e ligjëratës së drejtë e kështu veprova. Rastisi që redaktor të kisha po këtë profesor dhe ja dërgova materialin të shkruar me makinë shkrimi (2006) dhe ai bëri korrigjimet e nevojëshme, më ktheu materialin, pasi e kishte hedhur në kompjuter dhe e kishte dërguar për botim.

Deri këtu jemi në rregull, por kur doli nga botimi libri im “Obelisku i Bektashizmit”, më telefonon redaktori i shqetësuar dhe menjëherë shkoj të sqarohem, se çfarë nuk shkonte. Më priti me “këmbët e para” duke më thënë: “Ti më ke vjedhur!” Sigurisht u befasova dhe kërkova shpjegim dhe bëhej fjalë për pak rreshta që kisha marrë nga revista “Urtësia” dhe më tregoi librin e botuar, por siç ishte shktruar aty, ai kishte të drejtë, s’kishte as thonjëza, as emrin e tij, as se ku ishte marrë…

 

Kundërshtova, por ai më tregoi gjykatën, shkurt do më hidhte në gjyq për vjedhje. Menjëherë u kujtova tek dorëshkrimi që kisha në shtëpi të korrigjuar nga ai dhe i kërkova të më priste pa më denoncuar derisa të kthehesha, se “ashtu kisha një punë”. Shkova dhe përmbysa gjithçka dhe fatmirësisht e gjeta, mora faqen e redaktuar, ku ai kishte bërë shënimet, pra i kishte hequr qëllimisht thonjzat dhe shënimet tjera dhe shkova përsëri atje dhe që nga dera ja tregova poshtërsinë e paramenduar ndaj meje. Ai u mundua të ma merrte, por i përplasa derën dhe dola.

 

Po në Vlorë, po shkruaja librin studimor “Sharrajt në Jetën e Kombit” një mikja ime, kishte bërë një shkrim në gazetën “Republika” 30 shtator 2012, me titull “Kujtimet e Kudret Kokoshit për qëndistaren e flamurit M.Posio” më rekomandoi që të marr pjesën që fliste për këtë familje dhe këmbënguli, të mos i përmend autorësinë. Po të mos isha “djegur” një herë, mbase dhe do e besoja, se 6 vjet shoqe ishim, por s’më lejonte ndërgjegja ime profesionale, ndaj e pse asaj nuk i thashë gjë, e vendosa sipas rregullave. Po, ç’ndodhi pasi unë botova librin dhe pati jehonë pozitive në Vlorë, ku për herë të parë, u mblodhën nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallime bindjesh politike, në sallën e hotel “New York” në Vlorë, me mbi 3oo veta, “mikja” në fjalë nuk la njeri pa i thënë se unë e kisha vjedhur dhe do më shpinte në burg. Ajo më e keqja ishte, se unë s’dija gjë, kur një ditë më telefonon një poet vlonjat me banim në Greqi, A. Gj. dhe më fton për kafe, por të merrja dhe librin me vete. Shkova dhe u befasova, nuk më dha dorën, por më rrëmbeu librin dhe e hapi në fund ku ishin referencat dhe kur e lexoi emrin e saj, të pestën, e hapi në faqen 23, në kapitullin “Familja Sharrajve” dhe lexoi fjalët e saj sipas rregullave, vendosi librin mbi tavolinë, u ngrit në këmbë dhe më puthi dorën!

 

Pra në të dy rastet “akuzat” ishin të pregatitura me “dashamirësi”, prandaj kur merr përsipër të bësh një studim, në radhë të parë, duhet të dishë disa rregulla, se ata që vjedhin vetë, kërkojnë të quajnë hajdut!

Ka pasur raste që në facebook, kam lexuar poezi, ku gjysma e saj ishte imja, pa hequr asnjë shkronjë, por kurrë s’e bëra publike, por u sqarova me zonjën që e kishte bërë duke e uruar për vargjet e saj, por e këshillova, që vargjet që merr nga dikush tjetër, vendosi në thonjza dhe në fund veri autorësinë. Shumë herë lexoj shprehjet e mia filozofike të publikuar nga të tjerë pa vendosur autorësinë, por asnjëherë s’harrojnë të vendosin autorësinë e autorëve botërorë, apo të autorëve të oborrit pushtetar. Edhe në këto raste kam ndërhyrë me qetësi, se kjo është kultura e trashëguar nga koha e pa kohë për popullin shqiptar. Duhet të jesh i huaj, apo me prejardhe nga ishpushtuesit, që të lartësohesh si në rastin e fabulës “Mbreti lakuriq”! Kjo kohë duhet të marrë fund dhe kjo merr fund me dinjitet, jo me “show”: “ti hajdut, unë studiues” vetëm e vetëm për të ofenduar tjetrin e me anë të kësaj, të ngremë veten! Ajo lloj ngritje është flakë kashte, s’na dërgon askund, përvese në përçarje mes studiuesish, shkrimtarësh, apo intelektualësh, në një kohë që duhet një bashkëpunim i ngushtë mes njëri – tjetrit për të dalë në përfundime serioze për shumë probleme që ka populli ynë në lidhje me historinë, gjuhën, identitetin!

Intelektualët e ndershëm, s’kanë pse krijojnë shoqata, apo akademi (të gjitha këto drejtohen nga antishqiptarë), ata duhet të kërkojnë njëri – tjetrin dhe të konsultohen me njëri – tjetrin, se sado studiues të jeshë, ato që mund t’i ketë lexuar njëri, s’i ka lexuar tjetri e kështu plotësojmë njëri – tjetrin, se duke vepruar me ofendime, dashje padashje, qorrojmë dritën e diturisë dhe nuk i shërbejmë kombit, por i shërbejmë antikombit!

Po jap një shembull tjetër: Dëgjova në një video të studiuesit dhe historianit, Gjergji Nezha, ku disa emra që kanë guxuar të shkruajnë libra studimorë për gjuhën shqipe, si Aleksandër Gjollama, Agron Dalipaj… sipas tij i paskan vjedhur idenë, apo shpjegimin e disa fjalëve me anë të gegnishtes…

Unë sapo kisha mbaruar së lexuari librin e zotit Gjollma dhe vërtet jam mrekulluar, bëra dhe një shkrim për ta botuar, por hezitova nga dyshimet e mia, jo me çfarë më thonin tjerët, por se z. Gjollma u përket intelektualëve të monizmit dhe zakonisht ata rrinë në atë strofullën e ngrohtë që u ka krijuar politika dhe nuk mundohen të dalin kundër “korifeve” të dekretuar nga politika, por ai libër ishte një mrekulli!

Unë e kam thënë shpesh: “Do jem e lumtur që dikush merr idenë time dhe e vërteton!” A ka më lumturi, kur ndodh kjo gjë, në një kohë që unë jap ide, por s’kam mundur ta shtjelloj në një libër studimor, dikush tjetër është nxitur ta bëjë këtë, unë “I heq kapelen!” dhe jovetëm kaq, e marr librin e tij dhe e studioj, heq, ose shtoj diçka tjetër dhe ja bëj present autorit miqësisht, që në ribotim, të shtojë, apo të heqë diçka, duke më cituar, siç ka bërë me autorë tjerë! Kështu kemi bërë detyrën ndaj kombit, o shqiptarë, ndryshe, “një i bie gozhdës, tjetri patkoit” dhe ku shkojmë, asgjëkundi!

Jam dakord me zotin Nezha, që duhet ta citojmë autorin që e ka thënë këtë ide, por idenë, apo thënien “Gjuha e Perëndive” e kanë përmendur shumë autorë, si Gjergj Zhei, Aristidh Kola… të cilët autori Gjollma i përmend në libër, kështu mendoj, se po të kishin kontaktuar me njëri – tjetrin, do ishin sqaruar, mbase z. Gjollma nuk e ka dëgjuar nga z, Nezha e kjo ndodh! Zoti Gjollma ka dhënë një version të thjeshtë, por shkencërisht bindës për ta quajtur gjuhën tonë, si gjuha e fillimit dhe e ka shprehur bukur në titull “Tingujt e natyrës, kroi (croni) i gjuhës shqipe”!

 Miqësisht fola me z.Nezha, të cilin gjej rastin ta përshëndes për të dhënat që shpalosh nëpër video dhe sinqerisht i kërkova të bisedonte me z.Gjolla për të bashkëpunuar. Ndër të tjera i shkrova: “Ai përmend shumë studiues që u referohet, por jo juve, mbase kjo është një koicidencë… mua do më vinte mirë të bazoheshin në idenë time, se për një ide flasin dhe shkruajnë shumë, kur bëhet një libër duhet respektuar e drejta e autorit nga merret ideja, por nëse shtjellohet në një libër, kjo është mrekulli! Unë nuk të kisha dëgjuar në you tube, mbase edhe ai nuk të ka dëgjuar, ndaj një takim, apo komunikim mes jush duhet, jo për të fyer njëri – tjetrin, por për bashkëpunim! Nëse kjo nuk arrihet, duhet dënuar hajduti! Por nuk jam dakord me atë që shprehet z. Nezha: “A ka ndonjë diplomim në gjuhësi? Asnjë lidhje nuk kanë me gjuhën”! Edhe unë s’kam mbaruar për histori, por kjo s’do të thotë të mos merrem me studime historike. Ju duhet të pranoni, apo të rrëzoni faktet e Gjollmës, jo të merreni me diplomat e tij, se një filozof shqiptar, Isuf Luzaj, shkroi filozofi, por edhe letërsi, edhe histori, edhe astronomi…

Të gjithë studiuesit s’kanë pse ngrenë zërin duke u munduar të ulin tjetrin, thjesht thuaj argumentin dhe njerëzit s’janë, aq injorantë të mos zgjedhin të vërtetën, se ajo shkëlqen! Unë e ngre zërin, atëherë kur kërkoj bashkëpunim dhe ikën duke kthyer shpinën, siç bëri Pëllumb Xhufi, kur i kërkova të lexonte librin “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu” dhe të organizonim një bisedë në lidhje me studimet e mia 6 vjeçare!

Mendoj, se duhet të marrë fund “show publik” duke u marrë me problem dytësore, se duke u marrë me problemet parësorë, sheshohen ato dytësoret!

Të bëhemi bashkë të gjithë, ai që është shqiptar, se institucionet tona janë pushtuar nga mbeturinat barbare e kurrë mos prisni bashkëpunim, përkundrazi, do keni pengim, ndaj t’i gëzohemi faktit që jemi në kohën e internetit që na mundëson komunikimin me të gjitha anët e botës!

 

Zyba Hysa

Tirana, më 9 Korrik 2024

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page