top of page

"ZOTI JU DHASHTË...NA FALNI CA PËRKRAHJE..."


"ZOTI JU DHASHTË...NA FALNI CA PËRKRAHJE..."


- Se braktisa "sigurinë e plotë amerikane" -

Shefqet Meko Minneapolis SHBA

Një debat i kohëve të fundit për rolin e të rinjve në politikën shqiptare, më solli në mendje të njëjtën batutë të njohur se "Enver Hoxha braktisi Francën për fatet e Shqipërisë..." Por kishte një ndryshim të madh, sepse autori që braktisi "sigurinë e plotë amerikane..." sikurse deklaronte Velija në TV Klan, edhe pse ka një vullnet dhe dashuri të madhe për Shqipërinë, ka një mangësi të madhe: i mungon karizma në publik. E pashë për herë të parë këtë djalë në TV dhe e admirova për guximin që tregon për ta ndryshuar politikën në Tiranë. Por Velija nuk të bënte për vete me ato që thoshte. Madje ai edhe përrallat nuk i tregonte me dëshirë që t'i dëgjoje. Dhe thashë: Nëse ky është modeli i udhëheqsit "të ri" në Shqipëri, Dash Shehi tingëllonte më i ri edh pse me plot thinja që nuk i leu kurrë... Duket se ata që kanë shkuar në Shqipëri për ta ndryshuar, e kërkojnë ndryshimin si "dhuratë" nga baballarët e politikës tradicionale shqiptare. Debati duket se ishte "ju" dhe "ne"...Ju të vjetrit, ne të rinjtë...Por ajo që më shokoi dhe më futi në mendime ishte se Erion Velija gati sa nuk u thoshte politikanëve me thinja: "Zoti ju dhashtë...Na falni ca përkrahje...". Dhe duke dëgjuar debatin e "të vjetërve" Shehu dhe Lubonja, duket se të rinjtë belbëzonin projektet e financuara dhe nuk ofronin ansjë ëndërr dhe shpresë që mund të galvanizojnë shoqërinë shqiptare. Unë nuk dua askpak të futëm në detaje se ku ka qënë Velija apo tjetri në SHBA, çfarë shkolle ka bërë apo çfarë lidhje ka me politikën apo binzeset amerikane. Mua mud duke rrëngjethës fakti që kjo "shpresë e madhe" shqiptare pohoi se " u financuam" nga Europa, Perëndimi... "Zoti të dhashtë..." Po si mund të sjellim shpresë tek një vend kur vijmë të paguar nga të tjerë? Si mund të luftosh një qeveri të korruptuar, kur ti ke bërë të njëtin pazar me dikë tjetër? "Na falni ca përkrahje...Zoti ju dhashtë..." Më erdhi i gjallë Migjeni me frigëllimën drithëruese të ideve të tij... Zotni...Zoti të dhashtë... Unë, nuk jetoj në Shqipëri prej vitesh, dhe ja dua të mirën Shqipërisë po aq sa Velija, Shehu apo Lubonja, por ndërsa pret një shpresë që të të gjallërojë dhe të të bëjë të besosh se "erdhi dita", duke ndjekur këtë debat është po aq aktuale ajo thënia e Konicës perifrazuar aq bukur nga Lubonja se në Shqipëri ende ka njerëz që disa kanë lindur më parë dhe disa kanë lindur më vonë... Madje ka nga ata që të lindur herët, por janë shumë më revolucionrë në ide dhe gjykime se sa ata që kanë lindur më vonë...Duke respektuar gjithshka ka bërë deri më sot Erion Velija, mendoj se ai mbetet një element organizator për protesta dhe projekte, por jo për politikë të madhe. Erion Velija ka një të drejtë kur thotë se nuk janë politikanë ata që u futën menjëherë "në valle" si psh Ilir Meta, Pandeli Majko, apo plot pionerë të tjerë rreth Berishës që nuk u bënë dot kurrë kryeministra, siç patën fatin këta "dy fatosa të Fatosit". Politika edhe pse është zanati më i vjetër në një shoqëri njerëzorë, përsëri duhet të menazhohet nga njerëz që kanë jo vetëm aftësi, por edhe vizione, që jo vetëm dinë të flasin, por edhe të të bëjnë për vehte, që jo vetëm të jenë të përgjegjshëm, por edhe të besueshëm... Tani për tani ka një krizë besimi mes brezave të çoroditur shqiptarë. Më tepër qahet halli se cili do të jetë në pushtet që të "mjelë" pushtetin se sa të vijmë në pushtet që të qeverisim Shqipërinë...Të rinjtë që thonë se "vijnë nga Perëndimi" nuk kanë guxim të evidentojnë anët negative të kësaj shoqërie, sepse është kjo që ka investuar për ta, ndaj nuk "nuk bëhet shaka me miellin e gjermanit"...Dhe nga ana tjetër, këta të rinj ose nuk kanë aftësinë, ose nuk kanë mundësinë dhe mençurinë të përfqasojnë ëndrrat shqiptare...Asnjë nga ata nuk di të rrokë dhe të zhvillojë një traditë shqiptare, sic është ndërshmëria si virtut, besa si një princip, karakteri si një tendencë burrërore...Brezi i ri, akoma nuk rrëmben një flamur frymëzues që t'u japë shpresë shumicës dhe kur vjen në mejdan me "ju" dhe "ne" nuk bën gjë tjetër veçse përsërit etërit komunistë, që gjithmonë na ndanë ne dhe ata...Ata dhe ne...Shqipëria ka nevojë për një politikë gjithpërfshirëse, por mbi të gjithë Shqipëria ka nevojë për një ringritje institucionale...Kush e bart, zhvillon dhe bën të ecë përpara një shoqëri? Liria është elementi i parë, por nuk ka liri pa institucione. Erion Velija mund të shikojë rininë e vet tek këto ide që të respektohen instucionet, sepse ato do të janë "shinat" ku mund të lëvizë një shoqëri e lirë dhe demokratike...Dhe për ta bërë këtë ka financime dhe kjo është diçka e pranueshme, por jo të futesh në politikë "i financuar" nga lobe që nuk dihet nga vijnë dhe çfarë përfqasojnë... "Ju bijtë e shekullit të ri..." sillni një freski në isntitucionnet shqiptare. Filloni ta shihni ligjin si "perëndinë" e një shoqërie të lirë ku secili luan rregullat e lojës dhe të gjithë mbetemi në lojë. Amerika, pa këtë magji institucionale nuk do të ishte ajo që është..Erioni edhe pse vjen nga Amerika, nuk e thotë se këtu je sa i sigurt, po aq edhe i pasigurt...Erioni Velija tregon një përrallë që as vetë nuk e beson dhe pastaj thotë : "Zotërinj, na hapni pak portën...Shtyheni gardhin..." Migjeni thoshte: Përditë shoh qartë dhe më qartë, dhe vuaj thellë e më thellë... Dhe unë, dëgjoj këta të rinj që tregojnë me gisht "të vjetërit" dhe them: "bëmë baba të të ngjaj". Nuk lyp kush kaq gjyhnashëm në politikë. Politika është shesh beteje. Në betejë ose futu për të fituar ose mos u fut fare...Me sa pashë dhe me sa dëgjova, Velija përfaqëson një talent që mund të organizojë fare lehtë projekte të suksesshme të shoqërisë civile, (vërtet talent për sa kemi parë), por nuk mund t'i bëjë dot shqiptarët të votojnë për të dhe "elitën" e vet... Brezat në Shqipëri janë ende "ngjit" me njëri-tjetrin. Një brez sfidon brezin tjetër kur gëzon pavarësi, sfidon, dhe nuk lyp lëmoshë për tu futur në vallen politike. Pra, me sa duket edhe për shumë vite, në Shqipëri do shohim po ato dukuri dhe fenomene që kemi parë ose siç thuhet në një gjuhë të vjetër "Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë..."

Shenim: nga arkiva Sa origjinale edhe sot....

Minneapolis SHBA

25 mars 2009

16 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page