Në datën 02.07.2022 u hap rruga e Kardhiqit, ku prania e kryeministrit në ceremoni u prit dhe u përshëndët me këngë isopolifonike nga disa grupe folklorike të pranishme. Menjëherë pas kësaj shpërtheu një furtunë mediatike e gjithanëshme: krahu i djathtë ironizonte këngën që i kushtohej kryeministrit të vendit, tekstin e saj plot superlativa, duke argumentuar se: ai përfundoi një rrugë të nisur nga kundërshtari i tij politik, tashmë në opozitë dhe së dyti, duke ju kushtuar kënga personit të tij në postin e kryeministrit, ajo tingëllonte si një shprehje servilizmi dhe dëshmonte bjerjen e karakterit të kombit tonë dhe ca më tepër të vetë këngës isopolifonike, ndërkohë krahu i majtë e argumentoi këngën si sukses i punës së qeverisë dhe drejtuesit të saj, si shprehje e dashurisë së popullit ndaj partisë dhe qeverisë etj, etj.
I- Më vjen, keq por të dy palët gabohen në vlerësimin e arsyes së ngrithjes së kësaj kënge.
II- Kjo këngë nuk u ngrit si vlerësim pune i qeverisë. Ajo u ngrit dhe u këndua në zbatim të ritit zakonor të populli tonë në pritjen e mikut në momente festimi. Vjen miku në portën e shqiptarit, i zoti i shtëpisë del dhe e pret dhe në rastet kur bujtja e tij ndodh në momente gëzimi e festimi, natyrshëm ai pritet me këngë. Në rast se vetë miku është shkaku dhe arsyeja e gëzimit apo festës, sigurisht që kënga që i kushtohet atij do jetë plot superlative..
Po ashtu në rastin kur miku është personalitet i lartë i vendit, pritja automatikisht shndrohet në festë dhe si gjithmon në festë, miku pritet me këngë. Në këtë rast shtojmë mbi këto argumentin që vetë hapja e rrugës është një arsye e fortë për një festë lokale dhe që këtë hapje rruge e realizoi kryeministri aktual i vendit i cili, për më tepër merr pjesë vetë në ceremoni, kjo bën që momenti të jetë një festë e shtuar dhe sytë e të pranishmëve të drejtohen nga ai. Deklaratat dhe superlativat janë pjesë e protokollit zyrtar ndërsa kënga nuk është pjesë e protokollit zyrtar, por është pjesë e ritit zakonor të mikpritjes së mikut në një festë. Do vinte apo nuk do vinte kryeministrin i vendit, të pranishmit do këndonin e do hidhnin valle. Këngët dhe vallet do ishin të një natyre popullore, përgjithësisht larg emrave zyrtarë e politikë, por ama kënga do këndohej e vallja do hidhej sepse festohej.
III- Të kujtojmë ardhjen e dhëndërit në dasëmën shqiptare i shoqëruar me dyzet krushq. Sigurisht që kanë pirë, janë të djersitur e me pluhur nga rruga, nuk janë dalluar për ndonjë trimëri gjëkundi por ja që ata vijnë me këngën : “Dyzet krushq, dyzet dasmorë/ Dhëndëri vezir mbi ta/Duan të marin Stambollë/Dhëndëri vezir mbi ta”. Sigurisht që dhëndëri as që i afrohet vezirit nga pamja e nga bëmat dhe ata dyzet krushq as ndër mënd se kanë shpurë për të sulmuar Stambollin. E shumta do pinë nja dy tri opinga raki dhe po ua vonuan nusen, do bëjnë ndonjë gjullurdi në fshat gjer sa ta marin e të nisen për rrugë. Por askush nuk ua kundërshton këngën dhe as dhëndërin nuk e gjykojnë. Ai mund të jetë ai, për të cilin e shoqja kur e vajtoi i tha: “Xhamadani tirqe tirqe/ Te ara përtej në ilqe/ Bëje llaf e nxirrje ligje/ Kishe gjesdisur dynjanë /Nga mulliri gjer në arë” por ama ditën e dasmës ai ishte “..vezir mbi ta”.
IV- Më lejoni tju kujtoj një fakt: Rruga Himarë-Pilur është ndërtuar me dy lote, të parin Vumblo-Pilur e ndërtoi dhe inaguroi Berisha (kërkoj mirëkuptimin tuaj kur shprehem kështu) dhe lotin e dytë: nga rruga e Bregdetit gjer në Vumblo e ndërtoi dhe inaguroi Rama. Të dy kryeministrat, përkatësisht në kohën e qeverisjes së tyre, kur edhe mbaroi pjesa përkatëse e rrugës morën pjesë në inagurimin e pjesës së përfunduar në festimet e organizuara me këtë rast në Pilur. Të dy u pritën me këngë dhe valle. Ishte i njëjti grup folklorik që i këndoi të dy këngët kushtuar kryeministrave, madje ishte dhe i njëjti autor teksti, por kjo nuk do të thotë që populli i Pilurit ju servilos kryeministrave, zhvlërësoi këngën isopolifonike apo ndryshoi qëndrimin politik. Asgjë e tillë nuk ndodhi, thjeshtë pilurjotët zbatuan ritin zakonor të mikpritjes të personaliteteve të vendit në një ditë feste, aq më tepër që kjo festë kishte si zanafillë edhe kontributin e tyre personal.
V-Të kuptojmë, populli nuk u ngre këngë udhëheqësve apo prijësve të tyre menjëherë, për së gjalli, për një rrugë apo për një urë aq më tepër kur ata vijojnë të jenë në funksione shtetërore. Kënga do kohë që të filtrojë në kujtesën e kombit që të burojë më pas e kristaltë diku, dikur në brezat pasardhës. Kënga nuk është një simite që shijon e ngrohtë, kënga vjen si ujë burimi që të shijon i ftohtë. Prandaj këto nuk duhen parë si këngë të mirfillta isopolifonike, këto tipe këngësh nuk do bëjnë pjesë në fondin e artit gojor të popullit tonë. U kënduan me mijra këngë për Enverin në monizëm, por ato po firojnë nga kujtesa e kombit dhe repertori i këngëve.
VI- Një mik në një shkrim shtron pyetjen: pse popujt e tjerë nuk u ngrenë këngë shtetarëve të tyre për vepra madhështore që ndërtohen në kohën e qeverisjes së tyre. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë: Popujt që nuk u ngrenë këngë udhëheqësve të tyre kanë një rraport modern me t'a. Ata e dinë që çdo investim publik bëhet me taksat e tyre, me djersën e tyre, madje drejtuesit e shtetit janë të tillë me votat e tyre dhe zbatojnë programe që ka miratuar populli nëpërmjet votimit. Pra, duke njohur rolin e tyre si popull në shoqëri dhe histori e dinë që progresi është meritë e tyre, popullit dhe jo e udhëheqësve, të cilëve u mohohet atributi drejtues kur ata e gjykojnë të tillë, pavarësisht kontributit të mëparshëm. Kujtoj që Çurçilli drejtoi me sukses Anglinë gjat luftës së dytë botërore, por populli s'ja dha votën në zgjedhjet e para të pasluftës.
VII- Europianlt jetojnë në kohën e modernitetit dhe aty nuk egziston baza e këngës popullore. Tek ne kjo bazë gradualisht po zvogëlohet dhe nesër do t'i përkasë kujtesës historike bashkë me produktin e saj, këngën. Sot egziston akoma, ndaj kemi këngë të tilla, që u ngjajnë riteve zakonore të nderimit të mikut, krushkut, fqinjit prandaj janë plot me hiperbola, sepse u mungon esenca e këngës. Kujtoni këngën për Rrapush Xhaferin, për Sali Berishën etj që sot janë pjesë e fondit humoristik shqiptar.. Ndryshe janë këngët psh për Skënderbeun, të pakta por lapidare. Po ashtu dhe këngët për heronjtë e kapedanët.
Kënga nuk i jipet kujtdo, ashtu si kurora e mbretit që nuk është për çdo njeri.
Sarandë, korrik 2022
Comments