top of page

Fatmir Terziu: Nga kënga tek poezia model e Zhuljana Jorganxhi

Updated: Apr 19


Nga kënga tek poezia model e Zhuljana Jorganxhi

 

 

Zhuliana Jorganxhi është një nga figurat më të ndritura të jetës poetike shqiptare. Në të njëjtën kohë, fakti që ajo ishte pjesëmarrëse aktive në lëvizjet poetike, dhe puna e saj krijuese poetike e sidomos e këngëve në Festivale e ktheu në një ikonë, e bën atë një nga figurat më të respektueshme, nëse nuk do të kishte fatin e vetëm të ishte krijuese, në një kohë të ngurtë e diktuese. Poezia e saj, besimi utopik, frymëzimi në pranverën e së ardhmes, aktivitetet me këtë rast po sfidohen. Nga ana tjetër, megjithatë, Zhuljana Jorganxi, është një nga të paktët poete dhe poetë, vepra e të cilës është e pranishme jo vetëm në vetëdijen letrare të kombit, por edhe në gjuhën e përditshme. Shumë shpesh, edhe në një bisedë të rastësishme në rrugë, do të dëgjojmë një nga poezitë-këngë të saj. Sikur poetja ka gjetur fjalët që neve na duhen për të shprehur problemet e jetës sonë edhe në kohë tjetër. Prandaj, poezia e saj, kjo poezi nuk është e pranishme vetëm në vëllime me vepra të mbledhura apo në tekste shkollore, por vazhdon të ketë ndikimin e saj të dobishëm në jetën tonë të përditshme. Jorganxhi vazhdon të ndikojë me shembullin e saj moral, me ekspresivitetin e mahnitshëm të fjalës së saj, me besimin e saj te jeta, rruga e përditshme, jetikja, dhimbja dhe dashuria, tek gjithë ky proces ku rrethrotullohet gjithnjë e pashtërshëm edhe vetë njeriu. Ajo me tërë atë që ka krijuar mbetet një shkrimtare që ka lënë emër në historinë e letërsisë sonë, dhe që ka kërkuar kaq pak për të nxjerrë në pah misionin e saj poetik dhe njëkohësisht ka qenë kaq gjallërisht e pranishme në fatet e kombit.

Gjatë kohës që krijoi këngë të pëlqyera, gjatë tërë kohës kur vuri talentin në krye të gjërave, edhe pavarësisht diktatit dhe censurës, poezia e saj, si dhe prania e saj personale, tregojnë se ajo është një tjetër poete me fatin e dy kohëve, ndjekëse e rrugës me emrin e vetë real, tërheqës, poetik e të veçantë.  Ajo mbi të gjitha është vetë Njeriu! Jo vetëm në art, por edhe në atë shkrirje të talentit dhe jetës në emër të pasionit që dallon personalitete të mëdha.

Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran "Artistit të Merituar" Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pa rreshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare "LIRA". Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare.

Me njëherë mbas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën "Shqiptarja e Re" dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe inçizimeve muzikore pranë Radiotelevizionit shqiptar. Aktivitetin e saj letrar e ka filluar në moshë të njomë dhe që prej moshës 17 vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si "Drita", "Zëri i Rinisë", "Nëntori" dhe "Les lettres albanaise", etj. Ka botuar libra me poezi si "Net provimesh"(1969), "Rritje" (1971), "Lule në pemën e lirisë" (1982) dhe vëllimin me tregime për fëmijë "Fëmijët e teto Nastës" (1975). Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj. Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar mbas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës.

Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Rtvsh dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e Rtvsh si ai "Kur vjen pranvera", "Këngët e stinës", dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera. Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, kurse për 40 vjetorin e Festivalit të këngës në Rtvsh më 2001, ju dha "Çmimi i Karrierës".

Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: "Jon", "Se kënduam Let it bi", "Jeto dhe jetën time", "Bashkëmoshatarët", "Në duart e nënës", "Jemi emri i vet jetës", "Kthehu për vete, për mua!", "Ne, bijtë e lirisë" (me këtë të fundit, në dhjetor të '90-tës, hapeshin dhe mbylleshin manifestimet e studentëve në sheshin, sot të quajtur "Demokracia"). Sot Zhuliana Jorganxhi jeton jashtë atdheut në qytetin e Triestes të Italisë, por asnjë çast nuk ka ndërprerë lidhjet e saj artistike me vëndin e saj. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine, si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore.

 

Këngët ritmike

 

Poezia e Zhuljana Jorganxhi ndikoi mjaft në kontekstin e kryesores së kohës që ajo filloi e krijoi, ku më më kryesorja ishte individualizimi i fatit njerëzor. Për këtë ajo u mundua të shkëputej nga tërsia masive e krijuesve të asaj kohe që theksonin se, heroi i epokës ishte kolektiv – turmat, masat – ose ishte një figurë simbolike si Punëtori, Proletariati... Për Jorganxhi, heroi është një person tokësor, konkret dhe i individualizuar.

Së dyti, imazhi i botës i ndërtuar nga poezia e Jorganxi është objektiv. Imazhet e zakonshme simbolike të revolucionit janë zhdukur, të përfaqësuara si valë zjarri ose një shpërthim vullkanik i dashurisë dhe shpirtit të dashuruar. Në vend të gjërat të diktuara tek këngët e saj vijnë përpjekjet e përditshme të njeriut për të luftuar me jetën.

Së treti, në veprën e Jorganxhi, konteksti nuk krahasohet me ndonjë fuqi hyjnore, por tregohet si një gjendje ngërçi njerëzor, duke u rritur në keqdashje dhe urrejtje, duke çuar në krime dhe në shkatërrimin e njerëzimit. Zemërimi nuk është më një forcë konstruktive, megjithëse ndëshkuese "Se kënduam Let it bi". Është një e keqe që e depersonalizon njeriun, ekthen në atë që e kuptojmë bukur nga "Jemi emri i vet jetës". Dhe prandaj bota duhet të pastrohet nga ky zemërim, i cili është përhapur si “myk helmues”. Dhe kjo mund të bëhet vetëm me dashuri dhe besim.

Prandaj themi se poezia e poetes Zhuljana Jorganxhi është një midisje tek lirika dhe logjika. Kjo mbetet si një lidhje interesante, një kuptueshmëri e forcuar me një unanimitet të rrallë në jetën letrare. Lirika ka atë butësinë e saj, dhe logjika mbetet një skemë e ngurtë. Pra më saktë lirizmi është një fluturim i lirë, një pikëpamje e denjë për natyrën e lirizmit dhe për thelbin e logjikës, madje dhe për logjikën formale.

 

Poezia model e Jorganxhi

 

Poezia e poetes Zhuljana Jorganxhi „Vajtoj nënën atje larg“ (18 Prill, 1997) nuk është një model i pashpjegueshëm. Poezitë dhe krijimtaria e saj ndër vite na thonë ndryshe. Fjala "gur" në këtë poezi do të thotë shtrëngesë, fortësi, durim dhe përballje deri në harresë të dhimbjes.

Dhe ai gur nuk është shkëmbyer në atë masë të dhimbjes së njohur për ikjen e Nënës, dhe na prezanton me fjalë të matura mirë. I ndjeshëm, dhe i dhimbshëm. Ndjenjat e thella po shpërthejnë përtej arsyetimit të gurit, si një produkt i një fotografie që fiksohet në itinerarin e ndjeshëm vajzë-nënë. Ai ka qenë i dashuruar gjatë gjithë jetës së autores dhe rrjedh plot si lum lotësh, edhe pse janë ca lotë, ata e shpërthejnë gurin, dhe formojnë një lumë poetik. Një lumë poetik ka rrjedhur duke marrë me vete ekzistencën, duke larë depozitimet e gurta në nëntokë. Ashtu si lumi i largët i dhimbjes në Trieste më 18 prill 1997, ai në këto vargje, në këtë poezi model është bërë një kufi midis dhimbjes së ashpër dhe një mendimi të qartë të pjekur për shkëlqimin qiellor të vargjeve: „Nuk shkoj dot t’i qaj mbi kokë,/det e qiej s’i çaj , as tokë!/Më s’mendon AJO për mua,/jetimmbeturën, mërguar!“.

Ajo e lë dhimbjen të bëhet gur. E lë të këndojë rrugëve, të trokasë në trotuare si i verbër, me shpresën se pushtetarët do të shohin padrejtësinë e madhe që po ia shqyen shpirtin njerëzve, duke i bërë të huaj në dashuritë e tyre, e të huaj në dhimbjet e tyre: „Dhe në  shkofsha si dikur,/do të puthem me një gur!“

Kudo bie erë e tillë dhimbjeje, fryma e vërtetë e lirisë nuk njihet. Një vdekje e dëshpëruar dhe e dukshme zvarritet nga të gjithë këto arsye të gurta. Nuk janë vetëm miqtë ata që vendosin. Koncepti "botë" është bërë i panevojshëm dhe i izoluar deri në atë pikë sa vret botën e vetë: „Ç’paskam bërë në këtë botë,/Mos t’i derdh ATJE ca lotë?!“

 

VAJTOJ NËNËN ATJE LARG

 

Loti - gur u rrukullis…

Zemra humbi brenda tij,

nëpër mjegull u gremis.

 

Ç’paskam bërë në këtë botë,

Mos t’i derdh ATJE ca lotë?!

 

Nuk shkoj dot t’i qaj mbi kokë,

det e qiej s’i çaj , as tokë!

 

Më s’mendon AJO për mua,

jetimmbeturën, mërguar!

 

Dhe në  shkofsha si dikur,

do të puthem me një gur!

 

Trieste 18 prill 1997

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page