
…tym në Tiranë

Nga Fatmir Terziu
… ndoshta do të të rigjej. Të përcolla
lundrues drejt një qielli të pafund,
teksa njolla,
më shkund,
simetrinë e një statuje të ftohtë,
ti ishe ndryshe,
ishe tym,
kursimesh të shkyera në xhepin dumedum,
ishe tym … ishe tym…
tek Tymi ishim studentë
e ti na i çapitje mendtë,
latat i mbanim kursim për një puthje,
lutje,
në tym ndryshe,
poshtë kësaj statuje të ftohtë,
fshij modelin tënd të vjetër,
por kurrë nuk zhduket,
tis mbi këtë letër,
në Londër,
eh, ndoshta do të të rigjej,
jam Kërkues,
tymos mbetjet e një zjarri dikur të shkëlqyeshëm,
ndonjëherë kaq shumë fluturues.

…zambak uji nga Dumreja
(Si një ikje në vite kujtimesh me brezin e artë 1978-82 në “Dhaskal Todhri” Elbasan. Muaji në Aksion, Dushk i Gjyralës, Belsh – Dumre, Elbasan)
Nga Fatmir Terziu
Ndërsa hëna largon diellin,
Ti hap gojën i qetë,
a thua vallë të flihet?
Unë imitoj sikur s’dihet,
hapjen tënde të lehtë
aty në errësirën e vlugave lulëzon në heshtje,
ndërsa rrënjët e afta gërmojnë thellë në ujin përreth,
dhe forca e kërcelltë tregon fuqinë e saj,
urtësia e gjetheve zbulon bukurinë e jetës,
derisa të gjitha dashuritë të shpërthehen përsëri,
mbi një pasqyrë të vjetër
ti je ende një stuhi
kur zvarritet dimri…
… ndërsa hëna largon diellin
Ti pozon nga larg patjetër,
ndryshe si do të të risillja në letër?!
Memorja ka veshur këpucët krushk
të të kërkoj atje larg në Dushk…

Duke korektuar 23 Prillin 2001
(20 vjet me diellin dhe shiun londinez)
Nga Fatmir Terziu
Mbeta duke korektuar
floku yt i djegur
një disk
muzika s’ka të mbaruar
Londër me shi
vrapoj pambarimisht për të zgjuar
dy dekada që pikojnë,
ndërsa bota po rrotullohet,
koha i djeg të gjitha …
larg
në atë prill
damarët vallëzuan pa muzikë
në trill
e dielli u shtriq
mbi zebrat e shkelura nga Bitëllsat.
Ishte si tani
Prill i terrur në diell
shiu forconte litarët në vetmi
dhe njerëzit kërkonin nga Syri i Londrës
tik-takun e ri
që Big Ben ia kishte strukur Botës.
E ftohtë ishte pasditja
zjarr ishe Ti,
e prilli kërkon pëllumbat
që pikturoheshin në sy.
E kisha një besim…
sigurisht tek Ti
isha duke korektuar prillin
23 të vitit 2001.
Comments