Nga Timo Mërkuri
I-Prezantimin me fshatrat e Zagorisë e ka bërë më së miri Andon Zako Çajupi te poezia “Fshati im” kur shkruan: “Malet me gurë/Fushat me bar shumë/Arat plot me grurë/Më tutje një lumë/Fshati për karshi/Me kish e me varre/Rrotull ca shtëpi/ Të vogëla fare..Panorama është tepër fantastike, poetike, por gjithsesi i mungon një element realist, karakteristik i Zagorisë, i mungon kënga. Të gjitha fshatrat e vendit tonë kanë male me gurë, ara me grurë dhe shtëpi të vogëla fare, por në Zagori si në asnjë krahinë tjetër, këto shtëpi të vogla kanë një këngë fine, që prezanton art, kulturë e civilizim qysh në kontaktin e parë. Po të bënim një krahasim me përdorimin e barnave mjekësore, kënga zagorite do të ishte si bimët medicinale çaj, sherebel, boronicë etj në rraport me këngët e trevave të tjera të vendit. Zagoria është një krahinë, të cilës kurbeti i ka hapur plagë në çdo shtëpi, ndaj këngët e tyre kullojnë dhimbje e lotë. Kjo është arsyeja pse në repertorin e vjetër të Zagorisë gjen mjaft këngë që janë të lidhura me krahinën e Mecovës, e cila ishte porta e parë e kurbetit. Është ky kurbet që u ka mësuar zagoritëve dashurinë për vendin, për arsimin e kulturën dhe i ka paisur me vullnet të fortë dhe humor të hollë. Pikërisht ky kurbet që i ka mësuar burrat të shohin rolin primar të femrës në familje (moj e zeza grua..ti mba shtëpinë) dhe për pasojë, t’i njohin asaj rolin primar dhe në këngë, valle, e në veshje, rol që ato e kanë fituar vetë. Zagoria është ndoshta e para krahinë që është prezantuar në nivel lokal dhe kombëtar me këngë e valle grash dhe konkretisht, në Festivali folkloristik të qarkut Gjirokaster ne vitin 1954, grupi karakteristik i vajzave te Zhejit prezantoi për herë të parë vallen e bukur "SUST" që është kërcyer e kënduar shekuj me radhë në këtë krahinë. Për herë të parë grupi i vajzave të Zhejit me Anthulla Carkën në krye e demostruan këtë vallzim të bukur të valles “sust” shoqëruar me këngë, e cila pati jehonë në popull dhe u vlerësua nga juria. Po këtë vit ky grup përfaqson Zagorinë në Tiranë, në festimet e 10 vjetorin e çlirimit të Atdheut me vallën “suste”. Sqarojmë se vallja “suste” kërcehet e kënduar nga grupi i grave dhe vajzave, pa orkestrinë, dhe vallzohet duke përkulur shumë këmbën dhe duke qëndruar në majë të gishtave, dhe vazhdon me uljen e thembrës së bashku me mesin e valltares. Kjo tip valle kërcehet vetëm në fshatrat e Zagorisë së poshtëme si Zhej, Lliar, Hoshtevë, Dishnicë. Më von kjo valle është përpunuar nga Asamble të ndryshme dhe është prezantuar si “Valle Zagorite”, por asamblet që e kanë përpunuar, e kërcejnë nën tingujt e orkestrave ndërsa në Zagori shoqërohet me këngë iso-polifonike grash si psh vallja “suste” e kënduar me “marrëse” Mimoza Bici, “kthyese” Tefta Caca dhe “prerëse” Anila Pina me tekstin: O moj fletë, ti moj fletë/ O moj fletë e hudhrëse/Dil foli, o moj fletë/ Dil foli së bukurës/ Të vishet o moj fletë/ Tsë vishet o në të bardha/Të lulëzojë si dardha/Të vishet o në të holla/Të lulëzojë si molla” . Realisht në prezantimin e sipërcituar në vitin 1954 u këndua kënga: Rrofsh Parti ku na mbështete/Te ylli me pesë cepe/Zënë nga Lenini sefte1…
II- Kënga zagorite është këngë me tonalitet të lartë, me katër zëra “marrësi”,“kthyesi”, “preresi” dhe “ iso”. Interesant është fakti se kënga zagorite nuk ka “hedhës”, por ka “preres”. “Prerësi” “është” “hedhes2” tek kënga e Zagorisë për arsye se kur nis e shtrihet kënga, ajo ndërpritet. Për ta kuptuar ju sqaroj se kënga zagorite nuk funksionon si kënga pilurjote apo himarjote, të cilat kanë “hedhës” në kuptimin e plotë të fjalës dhe që ka ardhur në isopolifoni si risi e Neço Mukos. Po të kemi parasysh se risinë e “hedhësit” Neço Muko e futi në isopolifoni në vitet 1929-1930, mungesa e këtij zëri te kënga zagorite tregon se, mënyra e saj e të kënduarit, është një mënyrë shumë e herëshme, autoktone dhe pa ndikime moderniteti.
III- Duke qënë krahinë me traditën e kurbetit tepër të zhvilluar, vetkuptohet që edhe tema e këngëve do jetë kryesisht kurbeti dhe vija melodike do jetë dhimbja, por mqse se Zagoria ka ditur t’i shfrytëzojë pozitivisht efektët e këtij emigracioni, ajo është shndruar në një krahinë me një nivel të lartë jetese, arsimimdashëse dhe me kulturë, ka të zhvilluar elementët civilizues në jetë dhe në art, si pjesmarjen masive të elementit femër, rolin e saj primar në këngë e valle zhvillimin e një arti (këngë e valle) me temë humori.. Nga sfera e humorit mund të përmëndim këngën “Nikoqire gruaja” e cila veçse një këngë me temë humoristike, ka karakteristikë të veçantë tipike faktin se është me dy “marrësa” , “marrëse grua -Marjeta Vlashi dhe “marrësi” burrë-Kico Muçi, “kthyes” Mitro Hila, “prerës” (e quajnë hedhës) Anila Pina, me tekst popullor: Gruaja-Hodha një ka pastërma Burri- Nikoqire gruaja. Gruaja -Erdhi miku, thela s’ka. Burri- Nikoqire gruaja. Burri-Grua, moj e mira grua/ Të merrje tri thela hua / Të më nderoje dhe mua/ Jo moj jo se është shaka/Nikoqire si ty s’ka/Bujareshë gruaja/Grua zagoriteja3 … Ky “dialogim” në këngë është i vështirë teknikisht dhe kërkon nivel të lartë interpretimi të këngëtarëve. Duke qënë se ky tip kënge është pjesë e jetës familjare, themi se ky tip kënge dhe ky nivel humori në mjediset familjare, në prani të miqve dhe në ambientet shoqërore, dëshmon një civilizim të lartë në mardhëniet burrë-grua në familje dhe shoqëri, një harmoni familjare që në shumë
krahina të vendit tonë mungonte.
IV- Thamë se elementi femër ka prioritet në këngën isopolifonike të Zagorisë dhe ajo është
kryesisht “marrëse” e këngëve me temë dhimbjeje, duke i dhënë tonin dhe drejtimin vijës melodike të këngës. Ky fakt ka bërë që të paraqitet si “marrëse” e këngës një femër si Tefta Duda, që kur këndon, ngjan se vajtojnë gjithë nënat dhe gratë e Zagorisë për djemtë dhe burrat në kurbet, ata e dëgjojnë dhe të duket se marrin rrugën e kthimit për në Atdhe. Vështirë të gjesh në tërë isopolifoninë shqiptare ”marrëse” me një zë të tillë drithërues, e cila dhe vetëm me një këngë të futet në histori. Tek kjo lloj kënge “marrësja” është figura qëndrore e evidentuar dhe pas saj është “iso-ja” e burrave, që përballon këngën në tonalitetin e lartë. Një “iso” në natyrën e origjinës së saj, një rënkim vajtimor që të shkakton dridhje shpirti.
Në shtator të vitit 1973 në kulmin e pregatitjeve për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ku grupi i Zagories ishte pregatitur të paraqitej me “Këngën e kurbetit” që do e këndonte” marrëse” Tefta Duda, papritur vjen një urdhër nga komiteti i partisë së rrethit që e ndalonte këngëtaren Tefta Duda të këndonte në Festivalin Folklorik Kombëtar më 5 Tetor 1973 në kështjellën e Gjirokastrës. Ky urdhër partie u ra si rrufe pjestarëve të grupit dhe vetë “marrëses” Tefta Duda sepse grupi i kishte kaluar gjithë fazat e konkurimit lokal dhe kishte fituar. Tashmë duhej nisur gjithçka nga e para. Tefta Dudit4 ju “mbyll” goja për të kënduar në publik për gjithë jetën, por hajde dhe gjej një Teftë tjetër që të këndonte në atë nivel sipëror këngën në skenën e festivalit. Sepse duhet të pranojmë që kënga ishte një nga këngët më të bukura, më tipike, me një tekst të goditur dhe një vijë melodike brilante, që anonte nga baladat e dhimbëshme, një këngë isopolifonike katër zërrëshe që ndrinte nga të gjitha anët si një gur diamanti. Ishte një këngë e përzgjedhur në mbi 400 këngë zagorite.
Ky urdhër ishte një “pushkatim politik” për këngëtaren dhe i devijoi nga normaliteti rrugën e jetës së saj, duke e future nëpër shtigje e labirinthe privimesh. Ky urdhër ishte një krim ndaj jetës së një femre dhe si çdo krim, la dhe ai gjurmën e tij. Për të justifikuar urdhërin politik, i cili la një shije të hidhur në popullin e krahinës së Zagorisë, u përhapën fjalët se “Tefta nuk e kishte arirë nivelin e duhur të këngës”, por fatmirësisht TVSH e kishte filmuar këtë këngë kënduar nga Tefta Duda dhe grupi i Zagorisë në formën e një video-klipi, Ky filmim është dëshmi e nivelit të lartë artistik të interpretimit të këngës së kurbetit nga Tefta Duda dhe grupi i Zagorisë në ambientet e kështjellës së Gjirokastrës, disa ditë para mbritjes së “fermanit” partiak, por është njëkohësisht edhe një dokumentim i një vlere të lartë të këngës isopolifonike të krahinës së Zagorisë. Teftë Duda nuk u ngjit në skenën e festivalit folklorik, madje qysh nga ajo ditë ajo nuk do këndonte as në grupin e Sheperit. Kënga e saj ishte kishte dhe ka edhe sot e kësaj dite një bukuri dhe freski origjinale, sa në motivin, në vijën melodike apo në aktualitetin e saj. Duhet të theksojmë se këtë këngë e lindi plaga e madhe e kurbetit në krahinën e Zagorisë, prandaj grupi e këndoi jo me “zë” por me shpirt. Poetja zagorite Vasilika Nasi, autore e tekstit të Kësaj kënge që në ato vite ishte mësuese në shkollën e mesme të Nivanit, ja përshtati tekstin pikërisht portretit artistik të Tefta Dudës, mënyrës së saj të të kënduarit. Ndoshta ishin këto arsyet që, megjithëse u përjashtua nga grupi Tefta Dufa, pas kërkimeve të shumta e provave të lodhëshme, këtë këngë e prunë në skenën e festivalit të Gjirokastrës nxënësit e shkollës së mesme të Nivanit, me “marrëse” Vasilika Mboqe dhe “kthyes” Thoma Stani, “prerësi” Jorgo Telo dhe “iso” Margarita Kllapit, Afërdita Meçi, Liljana Dine, Natasha Mila etj..Interpetimi i tyre ishte sa i bukur aq dhe befasues, duke e bërë këtë këngë të pranishme dhe të kërkuar kudo në Shqipëri. Dhe Tefta Duda, shpirt madhja dhe fisnikja Tefta Duda e përqafoi plot me dashuri dhe e puthi në ballë këngëtaren e re Vasilika Mboqe me urimin “Të lumtë që e realizove kaq bukur këtë këngë zagorite”. A dëshironi ta lexoni tekstin e kësaj kënge e cila të përlot edhe me vargjet e saj, se dihet që me melodinë të ngashëren në dënesa dhe të bën të mendosh se: a ka patur ndonjë popull në historinë e tij kaq shumë dhimbje sa populli shqiptar?
Kënga e kurbetit
Të përcollën nënë e nuse
Larg për në kurbet
Fushës Sheperit ca lot
Shamizeza derdh
Nusja se ç’të tha mënjanë
Kthehu se të pres
Shkuan vite ajo priti
Të priti një jetë
Tu rrit djali të bën letër
Hajde ç’bën atje,
Eja të shoç Zagorien
Kush është si ne
Një ditë të bukur Maji
Qielli pa re
Fushës Sheperit po vije
Përmes arave
Djalin që ngiste traktorin
nuk e vure re
Nuk i fole ku ta dije
Qe ai a s’qe
Prapë tu kthye djalëria
Erdhe në atdhe
Kurrë më s’do marrësh udhët
E kurbeteve .
V- “Marresja” e re e këngës së Zagorisë dhe e krejt jugut është Mimoza Kosturi (Duda), e bija e Tefta Dudës e cila e ka çuar isopolifoninë në një stad më të avancuar. Ndërimi i tonaliteteve brenda një marrjeje dhe “kadifja” e ngrohte e zërit të saj, janë veçori individuale dhe të pa pëtsëritëshme të saj. Vlen të thuhet se ajo është këngëtare e kultivuar që ka një kulturë të gjërë muzikore.
VI- Grupet folklorike të Zagorisë e kanë fillesën qysh në vitet e para pas çlirimit, si grupe të organizuara ndërsa baza e tyre kanë qënë këngëtarët amatorë të fshatrave. Pas konkurimeve të grupeve të çdo fshati, në Festivalin e parë Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1968, paraqitet grupi i organizuar i Zagorisë me një grup burrash e një grup grash. Grupi i grave u paraqit me valle ''suste '' ndërsa grupi i burrave u paraqit me këngën: ''Shokë foli Mao Ce Duni'' kënduar nga “marresi” korifeu Stavri Nasi, “kthyes” Sotir Menkshi, “prerës” Ilia Kllapi. ”iso” Vangjelo Duri, Lliko Ndreu, Kiço Lena, Mitro Hila.. Përgjegjës grupi ishte Thoma Suli. Teksti i këngës së bujëshme : “Shokë vij në festival / Që të them dhe unë ca fjalë / Këngë zemre të shpërthej / Ngritur-o në fshatin Zhej / Rrahën telat anë e mbanë/ Ç’tha Mehmeti në Tiranë/ Ç’tha Partia jonë e ndritur/ Për traktatin e fëlliqur/ O ta lumça moj Parti/Miq të fortë na fale ti/.Lajmi tjetër botën tundi/-Shokë foli Mao Ce Duni / Shqipërinë e ka me besë/ Në fill floku kush ta prekë/ Do t’ja bëj këmbët direk/ A të lumtë moj Parti/ Ç’mik të madh na fale ti” befasoi spektatorët dhe u prit me duartrokitje dhe ovacione të zgjatura. Kënga u vlerësua me çmim si për melodinë ashtu dhe për tekstin, pasi i përgjigjej flakë për flakë denoncimit të Traktatit të Varshavës që bëri në atë kohë Partia e Punës. Melodia qe ritmike me vargëzim gjithë strofa dhe pati një interpretim të lartë nga “marresi”. Kjo këngë u bë menjëherë masive në gjithë vendin,. Vlen të theksojmë se Grupet e Zagorisë janë vlerësuar në gjithë festivalet për interpretim të lartë dhe prurje të teksteve aktuale dhe të goditura si dhe të melodive të veçanta lirike, humoristike etj.
VII- Në Zagori, çdo fshat ka patur grupin e vet folklorik, bile dhe me këngë e melodi te ndryshme, konkuronin në qëndrën e krahinës dhe përzgjidheshin grupet më të mira. Psh në vitin 1973 u përzgjodhën tre grupe me tekste e melodi të ndryshme dhe konkretisht: a)-grupi i burrave të të Hoshtevës me korife Stavri Nasi, b)-grupi miks i Sheperit me këngën e kurbetit dhe grupi i vajzave të shkollës së mesme Nivan me këngën lirike “Moj lule rritur në male” dhe vallen e kënduar “Në sy më shkelqen drita”. Grupi i Lliarit me “marrës” Kiço Llane, “kthyes” Sotir Menkshi dhe “prerës” Mitro Koç në Festivalin Folklorik të Gjirokastrëss më 1978 prezantuan suksesshëm këngën: ''Morët vesh /E kush s’e mori/ Pekini masken e çorri/ S’i mbaj më petët lakrori / Dhe gatuan tetë pika/ Në guzhinë te Amerika/ Me ca yçkla nga teknika/ Jo se: prishën një valvulë/ Seç ngatruam një formulë/ Pula vezë e veza pulë/ Botë e tretë një projekt tjetër/ Këngë e re avaz i vjetër/ Na shet përralla me mbretër/ Shqipen se fut dot në kthetër” këngë e cila jo vetëm që u shpall “Laureat6” i Festivalit por mori një përhapje dhe jehonë mbarë kombëtare për vetë tekstin akatual të saj dhe ritmin e melodisë7.
VIII- Vitet ’90 si kudo në Shqipëri edhe në Zagori krijuan një vaakum për jetën kulturore. Prishja e strukturave kulturore dhe emigrimi masiv i artistëve amatorë ishte si devijimi i ujit të burimeve duke lënë një “thatësirë” kulturore në vend. Kjo “thatësirë” zgjati gati 20 vjet, por zagoritët nuk rrojnë dot pa këngë e valle. Kështu elementët amatorë u rigrupuan dhe në vitin 2009 u paraqitën në Festivalin Folklorik Kombëtar me këngën “Nikoqire gruaja” (për të cilën folëm më sipër)duke treguar në këtë mënyrë se grupi i Zagorisë vazhdon traditën e mëparëshme të këngëve e valleve të suksesëshme. Ky grup folklorik jo vetëm që ka marrë pjesë në gjithë Festivalet Folklorike Kombëtare qysh nga viti 2009, por ka zgjeruar gamën e veprimtarisë së tij duke marrë pjesë dhe në realizimin e dokumentarit ''Dasma Zagorite''. Këtu vlen të përmëndim punën e madhe që ka bërë me grupin poeti Jorgo Telo, që për disa vjet rresht ka qënë udhëheqës artistik i grupeve të Zagorisë dhe pjestar këngëtar i këtij grupi. Tashmë drejtimin artistik të grupit folklorik e ka marrë Kiço Muçi, një ish arsimtar, njëri i shkathët dhe i papërtuar, me kulturë të gjërë, njohës dhe ruajtës i traditave kulturore të krahinës dhe këngëtar. Është meritë e tij edhe çuarja e grupit aktual të Zagorisë në Festivalin Folklorik Kombëtar 2015 me këngën humoristike “Ma bënë shoqet ma bënë” me “marrëse” Marjeta Vlahi, “kthyes” Mitro Hila, “ptrerës” Valentina Nasi. Po ashtu në 22 dhjetor 2016 e çoi grupin në dy performance televizive të Vizion Plus në Programin “TU SI QUE VALES” ku u paraqit me këngën “Gruaja nikoqire” me “marrëse” Marjeta Vlashi dhe Kiço Muçi. Në performancën e dytë grupi u paraqit me këngën “Shaka Zagorite” duke dëshmuar vijueshmërinë e traditës humoristike të folklorit zagorit.
Do dëgjojmë dhe do flasim shumë për grupin, këngën dhe vallen zagorite edhe në të ardhmen.
Sarandë, më Mars 2021
1-Vetkuptohet që tekstet e këngëve në vitet e pasçlirimit do ishin në përputhje me vijën politike të kohës.
2- Te kënga “Nikoqire gruaja” Anila Pina quhet se është “hedhëse’ e grupit, por në fakt ajo kryen funksionin e “prerëses” së këngës.
3-Ky tekst me motiv popullor është përpunuar nga poeti Jorgo Telo. Kjo këngë u prezantua në FFK në vitin 2009.
4-Tefta Duda është nga Sheperi i Zagorisë, lindur e rritur në Sheper, ku u martua me Aleko Dudën. Sot jeton me të bijën, këngëtaren Mimoza Kosturi në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare, ndoqi një kurs për mësuese dhe filloi punë në Malëshovë të Përmetit, ku punoi disa vjet, duke ardhur në familje vetëm të shtunave.Aty nisi të aktivizohej në grupet popullore të fshatit . Kur u martua me Aleko Dudën , mqse familja e tij paskësh qënë familje tregëtare asaj i shënohet si “cen” në biografinë e saj origjina “jo proletare” e të shoqit. Për këtë arsye pushohet nga puna si arsimtare. Më pas punon në Sheper si punonjëse në furrën e bukës. Duke qëndruar e “heshtur” publikisht ariti të shkollonte vajzën, e cila është një ndër këngëtaret më fine të këngëve popullore. Tefta Duda ka statusin e të përndjekurit me vendimin nr. 27, datë 18 janar 1994 .
5- Fillimisht kjo këngë kishte një tekst tjetër, por pas prezantimit zonal, tekstin e saj e rishkroi poeti Tasim Gjokutaj në variantin që u këndua në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
6-Grupi i grave të Zhejit është nderuar me Diplomë për interpretim të valles “Suste”, Grupi I Hoshtevës, Lliarit është shpallur dy herë “Laureat” i Festivalit Folklorikm, Gjirokastër, grupi I Sheperit është vlerësuar me Diplomë për interpretimin e “Këngës së kurbetit” etj.
7- Në Qershor të vitit 1979 në Vlorë u mbajt Kongresi i V i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe grupi i Zagorisë e përshëndeti me po këtë këngë.
Comments