top of page

YMER HOXHA – PELEGRINI I PERVUAJTUR I ABETARES SHQIPE


Nuri Plaku


YMER HOXHA – PELEGRINI I PERVUAJTUR I ABETARES SHQIPE


Ymer Driza (Hoxha) shfaqet në konturet historike të pavarësisë sonë kombëtare si një figurë e spikatur e predikimit kulturor dhe atdhetar, sakrifikues për dijen, mbrojtës i alfabetit latin dhe pelegrin i përvuajtur i përhapjes së librit shqip në Myzeqe. Por mjerisht, për dhjetwra vjet, emri i tij është mënjanuar nga vëmendja e opinionit të gjerë publik dhe është lënë të ndryshket në humbëtirat e trishta të kohës. Ai përmendet shkarazi në Historikun e Arsmit Fier – Mallakastër dhe, vetëm mbas viteve ’90, është botuar në shtypin periodik një shkrim i shkurtër informativ nga mësuesi Nikolla Margilaj. Në rastet e tjera është përmendur në mënyrë sporadike. Një nga shkaqet e kësaj harrese është qendrimi nacionalist i fisit Hoxha gjatë LANÇ - it dhe, ky pozicion, rëndoi mizorisht edhe mbi emrin e të parit të tyre, hoxhë Ymerit.

Ymer Hoxha është pasardhës i denjë i patriotëve të njohur të traditës në rrethin e Fierit, si: Sejfulla Hamit Hekali, Kahreman bej Cakrani etj., që punuan e sakrifikuan për përhapjen në popull të mësimit dhe abetares shqipe. Por, ndryshe nga këta, hoxha i Radostinës e ka ushtruar aktivitetin në kushte edhe më të vështira, sepse ai hynte në mënyrë aktive në kategorinë e patriotëve të nomenklaturës së religjonit, ashtu si atw Isaia, Mustafa Hoxha i Vreshtazit, Saqellarët e Kolkondasit, Ikonom Dhima etj. Priftërinjtë dhe hoxhallarët e kishin më të vështirë aktivitetin e tyre patriotik, për shkak të detyrës, e cila jo vetëm që nuk i lejonte të merreshin me gjuhën e ndaluar shqipe, por dënimi i tyre ishte i dyfishtë; nga shteti dhe feja. E megjithatë, ata nuk u tërhoqën, përkundrazi krijuan odisenë patriotike dhe bën historinë e lavdishme të kësaj krahine.

Ymer Hoxha lindi më 20 tetor të vitit 1867 në Radostinë të Fierit nga prindërit Sulejman dhe Selime Shehaj, të cilët kishin zbritur aty, nga fshati Kutë i Mallakastrës. Fillimisht u vendosën në fshatin Drizë – Myrtezak, në pronat e Omer pashë Vrionit dhe punuan për disa vjet si bujq të tij. Këtu morën mbiemrin Driza, të cilin e ruajtën edhe kur u vendosën me banim në Radostinë.

I ati, Sulejmani ishte burrw i mençur dhe e çoi të birin në shkollat turke; në Vlorë e Berat. Më pas, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjatë të cilit shfaqi aftësi të veçanta profesionale dhe u shpërblye me grada. Mbas përfundimit të tij, u mbajt në radhët e ushtrisë dhe u emërua në Jemen e Arabi Saudite, ku shërbeu për 16 vjet. Sipas të dhënave të botuara nga Margilaj, ka pasur nën komandë njw baon (batalion) të përbërë nga 600 nizamë dhe ka marrw pjesë në disa përpjekje luftarake që janw zhvilluar në këto rajone nga ushtria osmane.

Në fillim të shekullit XX, kreu dy herë radhazi ritin e pelegrinazhit në Mekë dhe mori statusin fetar “haxhi.” Ndërkohë, kishte pasur kontakte e njohje me njerëz përparimtarw të kohës, kishte krijuar nivel kulturor mjaft të mirë dhe një edukim atdhetar e fetar bashkëkohor. Të gjitha këto, shpreheshin në krijimin e një vizioni të qartë për fenë e atdhenë, shpalosur në thënien e tij proverbiale: “Shkriji të gjitha,veç shpëto atdhenë, se në atdhe të lirë mund të mbash fenë!”Pjesë e kësaj kulture ishte edhe një numër gjuhësh orientale, të cilat ai i fliste e i shkruante mjaft mirë.

Në periudhën e lëvizjeve çlirimtare të popujve të shtypur nën sundimin e Perandorisë Osmane, kur idetë e Rilindjes sonë Kombëtare po frymëzonin lëvizjen e madhe të patriotëve shqiptarë, Ymer Driza e braktisi detyrën ushtarake dhe u kthye në atdhe. U emërua imam në xhaminë e Radostinës e filloi aktivitetin e tij në shërbim të shqiptarizmës, nëpërmjet mësimit të gjuhës dhe përhapjes së librit shqip në Myzeqe.

Krahas shërbesave fetare, xhamia e Radostinës, ashtu si gjithë institucionet e tjera islame të këtij niveli, shërbente edhe si njw shkollë e vogël fetare për mësimin e Kuranit. Pikërisht me djemtë e regjistruar në këtë kurs fetar, hoxha zhvillonte në mënyrë të fshehtë edhe mësimin e gjuhës amtare. Pastaj me trastën e mbushur me libra, dilte “derë më derë” , u mësonte djemve shkrim e këndim nëpër shtëpitë e tyre dhe shpërndante librat shqip tek ata që kishin mësuar të lexonin.

Ky akt përbënte për hoxhë Ymerin edhe anatemën më të madhe të kohës, pasi Porta e Lartë, me politikat e saj shkombëtarizuese, edhe pas ardhjes së xhonturqve, e ndalonte kategorikisht mësimin e gjuhës shqipe dhe e konsideronte atë, një krim të rëndë politik. Pikërisht për këtë arsye, lëvizja patriotike shqiptare, në vitet e para të shekullit XX filloi të intensifikohej e strukturohej. Më 15 tetor të vitit 1908, në Berat u krijua dega e klubit “Bashkimi” me kryetar Baki Gjebrenë dhe, rreth tij u mblodhën patriotët më në zë të kohës, si: Babë Dudë Karbunara , Neshat e Islam Vrioni, Ferit Abdullah Numani, Hysni Alush Myftiu, Sulo Resuli, Fiqiri Kaçeli, Hysni Toska, Bektash Cakrani, Baki Gjebrea, Kol Rrodhja, Selfo e Hajredin Hamitaj etj. Me këta patriotw u lidh e bashkëpunoi edhe Ymer Hoxha. Ai udhëtonte nga Radostina në Berat me kafshë dhe në kthim, brenda samarit fuste abetaret e shqipes. Me vete mbante gjithmonë një armë brezi e, nga ky shkak, quhej në popull “hoxha me kobure.”

Në periudhën pas Kongresit të Manastirit mbajtur më 1909, një nga frontet kryesore të shqiptarizmës u bë mbrojtja e alfabetit latin përkundër atij arab që pretendonin xhonturqit dhe klani klerikal fanatik i mbështetur prej tyre. Në mbrojtje të tij ishin rreshtuar forcat më progresiste të kohës, të cilat punonin nën terror, pasi përkrahësit e alfabetit arab, kishin ngritur një rrjetë të tërë kundërvënës, të përbërë nga deputetë, imamw dhe funksionarw të ndryshëm shteti. Në krahë të tyre ishte radhitur edhe “Komiteti për Bashkim e Progres,”krijuar nga xhonturqit, i cili kryente aktivitet të gjerë prapagandistik, në mbështetje të alfabetit arab. Më e vështitë akoma bëhej kjo luftë midis hoxhallarëve, të cilët ndaheshin në progresistw e fanatikw, pasi pranimi i alfabetit latin interpretohej si kundërvënie e Kuranit. Madje Sheh Ul Islami nxori njw fetva, nëpërmjet së cilës dënonte përdorimin e alfabetit latin dhe ngrinte lart shkronjat arabe me të cilat ishte shkruar “Kurani në gjuhën e hijshme dhe të madhërishme, që është shkaku i mirëqënies së besimtarëve dhe i origjinës së thelbit të myslimanëve.” Në të vërtetë, ky ishte nji spekullim, pasi konflikti midis dy alfabeteve nuk kishte karakter fetar. Sipas analizës së orientalistes franceze, Nathalie Clayer, “Shkronjat latine nuk ishin kundër Kuranit, sepse Kurani nuk e përmendte këtë çështje dhe Profetët kishin saktësuar se çdo alfabet mund të shërbente për të mësuar.” Por fetvaja ishte pjesë e politikës diskriminuese të Portës së Lartë në kundërvënie të zhvillimit të vetëdijes kombëtare dhe të nacionalizmit shqiptar. Gjithsesi, ajo pati efekte negative dhe nxiti më tej përçarjen midis hoxhallarëve. Mjafton të kujtojmë se njeri nga mbështetësit e kauzës xhonturke, myftiu i ri Musa Qazimi në Shijak, arriti deri atje sa të nxirrte një fetva, që ndalonte t’u flitej me gojë partizanëve të alfabetit latin, sepse ata “udhëhiqeshin nga djalli.”

Në këto kushte, qendrimi dhe aktiviteti patriotik i hoxhë Ymerit bëhej edhe më i vështirë. Pesha e Kuranit dhe fetvave të tilla në mendimet dhe psikologjinë e një hoxhe, në edukimin dhe bindjet fetare të kohës, krijonte një luftë të brendshme, mbushur me dilema e pikëpyetje të shumta, që natyrisht edhe mund ta lëkundnin e ta kthenin atë nga rruga e nisur. Por ai nuk u tërhoq. Nuk u tërhoq nga bindjet e tij idealiste dhe as nga grupi i klerikëve progresistw të kohës. Kjo, përbën një element domethënës shumë të rëndësishëm, i cili e ngre aq lartë figurën e tij patriotike, sa e kthen atë, në një gur themeli të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në krahinën e Myzeqesë.

Në mbështetje të arabeckave u botuan artikuj të shumtë, promemorje, thirrje e libra të ndryshëm e, mbi të gjitha, edhe dy abetare, njëra në Stamboll në pranverë të vitit 1909 e tjetra në Shkup në vitin 1910. E dyta kishte autor Myftiun e Manastirit, Rexhep Vokën, i njohur si Kara Rexhepi, i cili ishte edhe pika kyçe e përhapjes së alfabetit arab. Hoxhallarët fanatikw, të nxitur e mbështetur fuqimisht nga qeveria osmane, u hodhën në veprim e filluan ta prapagandonin e promovonin abetaren e Kara Rexhepit në disa qytete kryesore të Shqipërisë. Kësaj propagande antishqiptare, i bashkohej edhe klubi xhonturk i Beratit me kryetar Ramadan Kadushen, i cili ishte kthyer në vegël të verbër të klerit. Ata kishin sjell në Berat dhe prapagandonin në popull abetare shqipe të përgatitura nga Kara Rexhepi dhe të shtypura me gërma arabe.

Për t’iu kundërvënë alfabetit arab, klubi “Bashkimi”i Beratit organizoi më 28 shkurt 1910 një miting madhështor në Milet Baçe, ku merrnin pjesë 15 000 vetë. Të pranishmit i vunë flakën “abetares së zezë”të Rexhepit të zi mu në mes të sheshit duke thirrur: “Rroftë Shqipëria!” Ky akt kundërvënës pati jehonë të fuqishme në gjithë Shqipërinë dhe frymëzoi patriotët për punën e tyre të mëtejshme. Në këtë miting, merrte pjesë edhe Ymer Hoxha i Radostinës, atw Isaia, Mustafa Hoxha i Vreshtazit e mjaft patriotw të tjerë të krahinës së Myzeqesë.

Por, hiri i zi i arabeckave imamiste që u ngrit nga mitingu i Beratit, u kthye në teshtimë urrejtjeje për turqit e rinj. Tashmë, ata u hodhën në një sulm të tërbuar aventuresk. Mbyllën shkollat shqipe, klubet kulturore, ndaluan shtypjen e gazetave dhe librave shqip, ndaluan rreptësisht mësimin e gjuhës shqipe dhe çdo gjë shqiptare. “Edhe shtypja e fjalëve “Shqipëri” dhe “shqiptarë” ishte e ndaluar, shkruan historiani Swire. Nuk kishte më shqiptarë! Të gjithë ishin otomanë! Vështirë të përfytyrohet një politikë më foshnjarake se ajo e xhonturqve!”

Vala e terrorit xhonturk përfshiu edhe patriotët fierakw. Por ishte pikërisht ky terror, që krijoi edhe historinë më të lavdishme në krahinën e Myzeqesë, luftën e përgjakshme të abetares. Pikat e para të këtij gjaku i derdhën dy martirët e religjonit, dy sivëllezërit fetarw e idealistët e shqiptarizmës: Ymer Hoxha dhe Irakli Pylli. Sipas të dhënave që vijnë nga copëza të përhumbura rrëfimesh, Ymeri u arrestua nga zaptijet e komandës së Fierit në xhaminë e Radostinës, pikërisht pas mitingut të Beratit. Dhe njwherazi me të edhe atw Isaia në kishën e Shën Pjetrës. Këto ishin arrestimet e para të ofensivës xhonturke.“Në pranverë të vitit 1910, - shkruan Nathalie Clayer, - u shënuan arrestimet e para kundër veprimtarëve të shqiptarizmit,” Të dyve iu gjetën libra shqip, ua morën, ua dogjën, i lidhën këmbë e duar e i hoqën zvarrë pas kuajve. Sipas tekstit të Historikut të Arsimit Fier – Mallakastër, dy patriotët e lidhur filluan t’i torturonin që në momentin e kapjes. Pastaj i hipën në një varkë në lumin Seman dhe: “I sillnin nga njëri breg i lumit në tjetrin që të frikwsonin popullin e Semanit, se ata që do merreshin me shpërndarjen e librave shqip, kështu do ta pësonin.” Pas “shetitjes”makabre, i çuan në burgun e Fierit. Atëherë, komanda e zapties (policisë) ishte te godina dykatëshe e lagjes Shkozë, godina e cila gjatë Luftës së Parë Botërore, u bë fillimisht spital prej forcave serbe dhe, më vonë, forcat austro - hungareze e kthyen në kishë katolike. Aty u burgosën 15 ditë dhe u torturuan për të treguar lidhjet konspirative me patriotët e kohës. Pastaj bën aktin e shnderimit në popull. I lidhën dorë për dore ditën e pazarit, iu varën njërit një këmborë në qafë dhe tjetrit zile, e i nxorën si bagëti nëpër qytet të shoqëruar nga tellalli, që deklamonte “turpin”e tyre për shpërndarjen e librit shqip dhe shkeljen e ligjeve të qeverisë. Dhe, pikërisht, këtu ndodhi dështimi xhonturk. Populli i martirizoi dy apostujt e dijes. Burra e gra ndalonin në rrugë dhe përkuleshin para tyre me respekt e nderim të thellë. Kjo ishte përgjigjja e Fierit, për martirët e tij. Kjo përbën edhe një nga pikat kulmore të historisë së lavdishme të këtij qyteti. Qwllimi diskreditues i xhonturqve për dy figurat e abetares shqipe, i ngjan procesionit të Jezusit me kryqin mbi shpinë, i cili me gjakun e shputave të këmbëve të zbathura , shkroi në udhët e gurta të Golgothait, aktin më të lavdishëm të krishtërimit. Pikërisht në këtë procesion , dy apostujt myzeqarw të abetares, shkruan në memorien historike të kësaj krahine, kapitullin më të lavdishëm të abetares shqipe. Dhe kjo shënoi turpin e vërtetë të xhonturqve, dështimin e tyre dhe parantezën e lëvizjes së madhe popullore që do shpërthente në kryengritjet e fuqishme të viteve 1911 – 1912.

Me shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare, Ymer Hoxha u bë pjesë integrale e ngjarjeve kyçe të zhvilluara në krahinën e Myzeqesë. Ai ka qenë pjesëmarrës në pritjen e Ismail Qemalit në Fier përgjatë vitit 1912 dhe pjesë e mitingut të Vlorës, ditën e shpalljes së vetqeverimit. Por një tjetër akt patriotik u krye prej tij, fill pas shpalljes së Pavarësisë. Ymer Hoxha, së bashku me njw grup hoxhallarësh përparimtarë, hoqën nga koka festen turke dhe, në vend të saj, vendosën qylafin kombëtar të mbështjellw me çallmën fetare. Ky veprim përbënte njw akt të lartw atdhetar, sepse dëshmonte çlirimin e uniformës fetare nga simbolet turke dhe bëri një përshtypje mjaft të madhe në popull e në rrethet intelektuale të kohës. Pikërisht për këtë veprim, gazeta e qeverisë së Vlorës,“Përlindja e Shqipëniës” do të shkruante:“Shumë patriot shqiptarë që kanë qënë hoxhë në kohët e vjetra që shikojnë se mbushen dëshirat, e që u sigurua jetë e Shqipëriës, i flaknë festat e tyne dhe në vënt të festavet vunë qylafin kombëtar dykë mbështjellë me çallmë.”

Në periudhat e mëvonshme, Ymer Hoxha vazhdoi me përkushtim detyrën klerikale në xhaminë e Radostinës, duke predikuar mësimet e Kuranit dhe dashurinë vëllazërore midis besimtarëve, pavarësisht nga përkatësia fetare e secilit. Ai ka marrw pjesë në ngjarje të shumta të krahinës dhe ka qenë i ftuar nderi në përvjetorët festivë, organizuar nga institucionet shtetërore të qytetit të Fierit. Fal lavdisë që trashëgonte nga e kaluara, fal kulturës e mirësisë që rrezatonte, kishte krijuar lidhje të ngushta shoqërore me titullarë e figura të rëndësishme të qytetit, tregtarë, mësues, politikanë e klerikw. E njohur është shoqëria e miqësia e tij e ngushtë me Ibrahim Buharanë, babain e orientalistit të shquar beratas, Vexhi Buharasë, i cili në periudhën e mbretërisë shqiptare , nga viti 1930 deri më 1939, ka shërbyer në xhaminë e Fierit.

Në vitin 1941 Ymer Hoxha u nda nga jeta duke lënw mbrapa tij një emër kleriku e atdhetari të mirë e të nderuar. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, djemtë e tij u angazhuan në radhët e nacionalistëve shqiptarë dhe, mbas çlirimit, vuajtën dënimet dhe persekucionin e diktaturës komuniste. Nga ky shkak edhe emri i atit të tyre, mbeti për dhjetwra vjet, në hije dhe harresë të plotë institucionale. Por nderi dhe lavdia e vërtetë nuk mund të vdesin. Ymer Hoxha i Radostinës është e do të mbetet një “gur themeli” i Rilindjes sonë Kombëtare në krahinën e Myzeqesë, mbrojtës i alfabetit latin dhe pelegrin i përvuajtur i përhapjes së abetares shqipe dhe librit shqip në Myzeqe.


327 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page