Tregim nga Xhovani Moska
Mposhtja e djajve të vegjël
Përktheu: Vasil Premçi
Isha vetëm njëzet vjeç atëhere kur, duke mbajtur në xhepin e brendshëm të xhaketës letëremërimin e mësuesit të përkohshëm dhe duke shtrënguar dorën fort, shumë fort mbi xhepin e gjoksit nga frika se mos e humbisja atë letër të shumëpritur, u paraqita në shkollën e caktuar dhe kërkova drejtorin.
Zemra më rrihte me forcë.
-Kush je?- më pyeti sekretarja. - Në këtë orë Zoti drejtor pranon vetëm mësuesit.
-E di…Jam pikërisht mësuesi i ri… - i thashë dhe bëra të nxjerr letrën.
Sekretarja, duke ofsharë si e lodhur, hyri tek drejtori, që, doli shpejt dhe, sapo më hodhi një vështrim, vuri duart në kokë si të kishte ndodhur një gjëmë e madhe.
-Pa shiko ç’bëjnë dhe ata të sektorit të arsimit?! - briti. Më dërgojnë një çunak kur puna kërkon një njeri të zot që ta hajë hekurin me dhëmbë, të aftë t’i bëjë zap me një vështrim këta dyzet djaj të tërbuar! Por, më dërgojnë një çunak, pothuajse moshatarin e tyre… E di si buka që ha se, sapo ta shohin, do ta hanë të gjallë me gjithë lecka të gjorin!
Pastaj, duke kuptuar se, në fund të fundit, isha si të gjithë mësuesit e tjerë dhe se, në këto rrethana, puna më e mirë që mund të bënte ishte të më dilte në krah, uli zërin, më buzëqeshi si me mundim dhe më rrahu shpatullat:
-Nuk më thoni, vërtet kini mbushur njëzet vjeç, ëë?! Dhe, pas një heshtjeje të shkurtër vijoi:
-Ah, ju besoj, or mik, ju besoj, ndryshe nuk mund t’ju kishin emëruar, por ta dini: në dukje tregoni sa një djalë gjashtëmbëdhjetëvjeçar, askush nuk mund ta besojë se jini në moshë madhore, aq më tëpër mësues! Ngjani më shumë me një nxënës të klasës së pestë, që ka përsëritur klasën, se sa me një mësues. Dhe kjo bie aq shumë në sy sa…pse të fsheh, më shqetëson shumë. Mos vallë është një gabim i seksionit të arsimit?! A është shkruajtur aty emri i shkollës “Dante Aligeri”?
-Po, ja ku është, - tha po vetë, si i zënë në faj, duke i hedhur një sy letëremërimit, -ashtu shkruhet: shkolla “Dante Aligeri”.
-Zot, briti befas ai pa gjetur qetësi si të kishte sjellë nëpër mend ndonjë skenë tronditëse, -janë fëmijë që askush deri më sot s’ka mundur t’i shtrojë. Jo pak, por plotë dyzet djaj të organizuar, madje, kanë edhe një kryetar, me një emër të frikshëm: Guerreski. Mësuesi i tyre i fundit, mjaft autoritar dhe me një përvojë të madhe, u detyrua të kërkonte transferimin…
-Ah, të paktën të kishe një palë mustaqe… -mëmëriti me keqardhje dhe bëri një gjest të dyzuar, si për të thënë se, edhe kjo masë do të kishte qenë e kotë dhe e dështuar përpara tyre sepse, tek e fundit, as këto marifete nuk do të mund të ma rrisnin moshën.
Në fund ngriti sytë në qiell si të donte t’i shtrohej fatit:
-Ejani, - belbëzoi me të shpejtë, për të mos humbur kohë. Përshkuam një korridor të gjatë krah për krah njëri-tjetrit duke lexuar emërtimet e klasave të IV-d,V-b,V-c…
-Tani duhet të hyni këtu! - tha drejtori, duke ndaluar përballë derës së klasës V-c, nga e cila është pak të thuhet se vinin vetëm zhurma, krisma topash, plumbash, që godisnin dërrasën e zezë, të shtëna pistolete, këngë dhe zhurma bangash që tërhiqeshin zvarrë.
-Besoj se tani po ndërtojnë barrikada - vuri në dukje drejtori qejfprishur dhe i trembur në fytyrë.
Pastaj, më shtrëngoi fort nga njëri krah dhe iku pa më hedhur sytë duke më lënë vetëm përpara derës së të V-tës c.
Nëqoftëse nuk do të kisha aq shumë nevojë për atë rrogë, ndoshta do të isha larguar me gëzim prej andej, pa e cënuar aspak atë orgji dhe mbase, edhe sot e kësaj dite klasa e V-të C e shkollës “Dante Aligeri” do të ishte në pritje të sundimtarit të saj, por meqenëse babai, nëna dhe vëllezërit e mi më të vegjël prisnin me padurim, me lugë në dorë, që unë t’ua mbushja pjatat e tyre të zbrazta, hapa derën e asaj klase dhe hyra.
Papritur klasën e mbuloi heshtja.
Përfitova nga ajo për të mbyllur derën dhe për t’u ngjitur në katedër. Të ulur mbi banga dhe të befasuar nga pamja ime e re, duke mos ditur nëse isha një nxënës i ri apo një mësues, të dyzet djemtë m’i ngulën sytë kërcënueshëm.
Ishte një lloj heshtjeje që paraprin shpesh një luftë të sigurtë dhe të rreptë.
Jashtë kishte shpërthyer pranvera. Pemët e kopshtit kishin çelur gjethet e para gjelbëroshe e plot dhëmbëza, ndërsa degët e tyre të njoma shushurinin nga era e, kohë më kohë, përkëdhelnin në paqe me embëlsi xhamat e dritareve.
Shtrëngova grushtat dhe përmblodha forcat në heshtje. Edhe një fjalë e vetme mund ta kishte prishur atë magji, ndaj më duhej të prisja, për të mos zgjuar nga gjumi “djallin” që flinte.
Fëmijët po më vështronin me kërshëri. Edhe unë ua ngula vështrimin si një zbutës luanësh. Menjëherë e kuptova se kryetari i tyre, ai Guerreski, për të cilin sapo më kishte folur drejtori, duhej të ishte me siguri ai djali i rreshtit të parë, imcak e kokëtullë, me dy dhëmbë më pak në gojë, me sy të vegjël dhe të egër, që hodhi menjëherë nga njëra dorë tek tjetra, një portokall, si të ishte zgjuar nga gjumi dhe më vështroi me guxim në dritën e syrit.
E kuptova shumë mirë që vështrimet e tij ndaj portokallit nuk kishin të bënin aspak me shijen e athët të frutit, se sa me një farë kontrolli të gatishmërisë në gjëndjen kërcënuese të paraluftës.
Duket se për mua kishte mbërritur dhe çasti më kritik. Ndërkaq, Guerreski lëshoi një britmë të frikshme, që të kujtonte atë të një indiani të egër, shtrëngoi portokallin në dorën e djathtë, tërhoqi pas me vrull krahun dhe e lëshoi përpara me forcë frutin. Pata kohë sa të shmangja pak kokën, duke lënë frutin të përplasej në dërrasën e zezë, pas shpatullave të mia. Lëvizja e parë shahistike ishte kryer. Ndërsa Guerreski kishte gabuar për herë të parë në gjuajtjen e tij me portokaj, unë kisha mundur ta përballoja, pa u thyer, vetëm me një shmangie të lehtë të kokës.
Por lufta midis nesh sapo kishte filluar.
I egërsuar edhe më shumë nga humbja e parë, Guerreski u ngrit në këmbë dhe mori shenjë mbi mua, duke tërhequr një palë llastiqe të kuqe me plumba kartoni, që sapo i kishte fabrikuar në gojë, duke i mbllaçitur.
Me këtë sinjal, ishin ngritur në këmbë njëhe-rësh, pothuajse tridhjetë e ca të tjerë si ai, duke më shënuar me llastiqet e tyre të zakonshme, ndonëse jo të kuqe, sepse me atë ngjyrë, me sa dukej i lejohej vetëm kryetarit të tyre. Në atë çast për ata nuk isha gjë tjetër veçse një tabelë qitjeje.
Heshtja ishte bërë më e fortë. Nga jashtë degët e pemëve vazhdonin të përkëdhelnin xhamat e dritareve. Papritur në atë heshtje prej varri u dëgjua zukatja e vetmuar e një mize që kishte hyrë në klasë. Çuditërsiht ajo mizë u bë dhe shpëtimi im.
Pashë Guerreskin kokorroç e kokëtullë që, me njërin sy më vështronte mua, ndërsa me tjetrin mizën. Me siguri që edhe fëmijët e tjerë kishin zbatuar në heshtje urdhërat e tij. E kuptova se nuk kishte më kohë sepse në zemrat e tyre tani po bëhej një luftë e vërtetë: Cilin duhej të sulmonin të parin, mësuesin apo mizën?
Rasti e solli të shihja me sytë e mi ndikimin e një mize mbi fëmijët e një shkolle fillore dhe magjinë e këtij insekti. Vërtet sapo kisha dalë nga bangat e shkollës, por megjithatë ia dola të përmbahem në vizitën e papritur të një mize aq të çuditshme. Nuk e lashë të më shpëtonte nga duart një rast i tillë.
Befas iu drejtova djalit:
-Guerreski, (tani djali kokëtullë u hodh përpjetë, i befasuar që thërrita në emër), - nuk më thua, je i zoti që, me një goditje të vetme të llastiqeve ta rrëzosh për tokë atë mizë?
-Ky është zanati im! - m’u përgjegj djali duke buzëqeshur shpirtlehtësuar që, për herë të parë, një mësues po i kërkonte
një gjë kaq të thjeshtë.
Midis shokëve të tij u ndie një mërmërimë. Ndjeva se rrethimi ndaj meje ishte hequr vetëm për një çast. Sytë e të gjithëve tani u drejtuan nga kryetari i tyre që, për të përballuar sfidën e papritur, u ngrit mbi bangë dhe mori në shenjë mizën. E ndoqi atë një çast, pastaj u dëgjua një “bam” mbi lampadarin ndriçues, ndërsa miza, e qetë, vazhdoi rrathët zhurmues si një aeroplan.
-Tani m’i jep mua llastiqet! - i thashë me rreptësinë e nevojshmë që kërkonte çasti, duke marrë mbi vete një barrë të rëndë.
Pastaj përtypa gjatë një copë karton, pas mbllaçitjes sajova një topth dhe, me llastiqet e Guerreskit, mora në shenjë mizën që fluturonte atje lart në tavan.
U mundova me të gjitha forcat t’i mposhtja rrahjet e zemrës që ma hidhnin gjoksin përpjetë, sepse shpëtimi dhe dinjiteti im i ardhshëm, si në fije peri, tani vareshin, plotësisht nga ajo goditje.
U vonova një copë herë përpara se të gjuaja.
-Të kujtoj, - i thashë, - se kur isha një nxënës si ti askush nuk ma kalonte në goditjen e mizave me llastiqe!
Pastaj, me duart e fiksuara, tërhoqa sa duhet llastiqet dhe i lëshova. Goditja ime e papritur, por shumë e saktë, e ndërpreu zukatjen e bezdisshme, ndërsa vetë miza ra pa jetë në tokë pranë këmbëve të mia.
-Llastiqet e Guerreskit, - thashë natyrshëm, duke u kthyer menjëherë në tryezë dhe duke treguar llastiqet e kuqe, - janë në duart e mia. Tani secili prej jush do t’i dorëzoje të vetat tek unë!
Në klasë u ngrit një murmurimë, më shumë admiruese se sa armiqësore.
Por nuk vonoi që, një nga një, me kryet ulur dhe pa guxuar të më shihnin në sy, djemtë radhitën përpara tryezës llastiqet e tyre.
Nuk rashë në kurthin e lakmisë për të shijuar triumfin tim frelëshuar, i cili do të kishte qënë një gabim fatal që mund të kthente gjithçka nga e para.
Qetë-qetë, sikur të mos ksihte ndodhur asgjë, vazhdova:
-Le të fillojmë me foljet. Guerreski në dërrasë! - dhe i zgjata shkumësin me një gjest të vendosur që nuk pranonte kundërshtim.
-Unë jam, - filloi ai, - ti je, ai është…
Dhe kështu deri tek mënyra pjesore e shkuar, ndërsa të tjerët, nisën të shkruajnë në fletore me shkrim të bukur e të kujdesshëm si dhe Guerreski, kryetari i tyre i mundur në dërrasën e zezë.
Po drejtori, ç’po mendonte vallë?!
I frikësuar nga heshtja e pazakontë, nga ajo burgosje gjatë, së cilës kisha mundur të vija në heshtje dyzet “djajtë” e pamposhtur dhe gati i mrekulluar nga kjo, lëshoi një britmë admirimi.
Më vonë, kur dolën fëmijët, nuk mundi të përmbahej nga kureshtja që e hidhte përpjetë, ndaj më pyeti se si kisha mundur t’ia dilja mbanë. Më duhej t’i jepja patjetër një përgjigje dhe, për më tepër, në përputhje me normat pedagogjike, ndaj ia ktheva:
-Shumë thjeshtë, zoti drejtor: Duke u hyrë atyre thellë në zemër në botën e brendshme shpirtërore.
Edhe sot pyes veten: A mund t’i tregoja vallë se për t’i mposhtur ata “djaj” të vegjël më ishte dashur të vrisja një mizë në klasë me një goditje të saktë llastiqesh?!
E dija fort mirë se një veprim i tillë nuk ishte rekomanduar në asnjë metodë pedagogjike, teori apo rregullore të LLambruskinit*, Aportit**, Lombard-Radices***, të cilëve, as që u kishte shkuar nëpër mend ndonjëherë të shkruanin në librat e tyre pedagogjike mbi dobinë e një mize.
_________________
Shënim: Në origjinal titulli i tregimit është “Pushtimi i të V-C ”
, *, *** dhe ****,
- pedagogë dhe edukatorë të njohur të shkollës
perëndimore.
Comments