top of page

Xheladin MJEKU: SAGA E NJË ODISEJADE KOHEZIVE



Mehmetali Rexhepi: “LËKURA E GURIT”, roman, botues “Rozafa” - Prishtinë, 2024

 

Ndërtimi i tekstit, si model

 

     Përvoja e dëshmuar narrative e Mehmetali Rexhepit në krijimtarinë e deritashme reflekton ngritje cilësore të vazhdueshme. Ky reflektim del i pandryshueshëm edhe në këtë prozë, ku përjetohet po ai vëllim foljor dhe shtjellim tematik cilësor i ngjarjeve, si modele të përvetësuara mirë, që ngërthejnë një tërësi të motiveve në konstruktimin e fabulave të veprës. Romani “Lëkura e gurit” si përcaktor tematik dhe si simbolikë e qëndrueshmërisë së vazhdueshme kundruall çdo sprove tronditëse në jetë, me plot rreziqe, por vazhdimisht i përshkuar nga vrulle jete të kryeprotagonistit Moti, defilimi i tij i kujdesshëm në çdo situatë, me shkathtësitë në përballjen me ngjarje të shumta që do t’i imponohen, ndërtojnë ngjarjen e konceptuar në një periudhë të gjatë kohore. Këto veprime të paramenduara, apo episodike shpërfaqen si një spektër i kompozuar ngjarjesh në boshllëkun e zhvillimeve të kohës.

      Ndërtimi i kompozicionit nga dhjetë pamjet-kapituj në roman, si një fushë-arenë e përhershme, ku defilojnë protagonistë e dytësorë të shumtë, pasqyrojnë një kohë relativisht të gjatë të shtjellimit të ngjarjeve biografike-historike në rrugëtimin e mundimshëm e plotë krajata të Motit. Këto dhe shumë përvoja tjera do t’i shërbejnë në përballjen dhe tejkalimin e intrigave jetësore, që e përshkojnë zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi.

      “E doja mësuesin Cen. Ishte nga ata mësues të menjëhershëm të pas Luftës së Dytë Botërore. Trup shkurtë e thatanik. As i bardhë, as i zeshkët. Jo mjaftueshëm i qeshur. Dukej se kishte moshë vjetërsie dhe nuk pritej t`i shkëlqente secilën herë fytyra. Diçka si ndrojtje e pa dëftuar e rrethonte...”(po aty, fq. 5), shpalos kujtimet për mësuesin, që i trason rrugën e jetës, ku shqetësimet i vijnë paralelisht të pandryshuara me kohën, me zymtësinë, frikën, rreziqet, por edhe me krenarinë që e përvetëson pikërisht nga mësuesi i tij, si një model i të pamposhturit në situata të tilla.

Shtjellimi veprues i ngjarjeve vazhdon të jetë në qendër të ndërtimit të kompozicionit të veprës, prej nga përvijohen situata e personazhe të shumtë. Në këto relacione Motit do t’i “përfytyrohej babai, një kosëtar bari, të shumtën i ngrysur,” ku pasqyrohet “zymtësia e vijueshme” (po aty, fq. 6), si identifikim me kohën dhe situatat e imponuara të një kohe të vështirë e plot rreziqe nga një pushtues i paskrupullt, që edhe në përditshmërinë e orvatjeve për mbijetesë fizike do të vënte gisht.  Trajtimi i fenomeneve të ndryshme që perceptohen këtu, vijnë të shtjelluara me kujdes, meqë autori, që në nismë do të venerojë shumë devijime shoqërore.

“- Nga të gjitha këto kategori frymorësh, e di ti Vijon kush di dhe, kush ankohet më së shumti e më së prekshmi për dhimbjen? Hë:

- S`do mend, njeriu. - Ishte më se e qartë për Vijonin. Madje Vijoni sikur ia përcaktoi kahen e drejtimit të Motit në ligjërimin e tij.”(po aty, fq. 15). Transformimi i ngjarjeve në përditshmërinë e zhvillimeve e bëjnë interesante jetën e Motit, i cili me kujdes ndjek çdo zhvillim, i shtrënguar të përballet me pengesat që ia parashtron rrjedhshmëria e ngjarjeve, gjithnjë e më të befasishme.

 

 Invencioni organizativ i romanit në fokusin përmbajtësor

      

  Invencioni organizativ i romanit në fokusin përmbajtësor sa vjen e merr formën e tij, ku gërshetim ngjarjesh në transformimin e tërësisë narrative krijojnë relacionet e mëtutjeshme të veprimeve të Motit, tashmë i përcaktuar të ndërtojë “një shtëpi prej vargjesh, së paku një kasolle imagjinare, por kulmin, së cilës nuk i rrjedh shiu, me frymëmarrje që ngroh hapësirën pa djegie drurësh e, me oxhak që dëshmon gjallërinë e vatrës. Jetën, mësymjet e saj i shpija mes paradoksesh. Dritaret t`i shihja si syza të blerta vere dhe, kumashe të bardha acari dimrave mbi trupin e ngrohtë të vashës sime. Për shirat e mars-prill-majit e të qershorit nuk më duhej ombrella, mbi kokë e gjymtyrë më strehonte ombrellë letre e shkrolave. Ishte kjo imagjinatë, që me sy zymrydi i shikoja buzëmbrëmjet, vashat, motakët”. (fq. 17), për të zgjeruar pastaj veprimet brenda fuqisë narrative të shkronjave, me të cilat ndërthur vazhdimësinë e jetës përplotë shqetësime, vrazhdësi, herë-herë edhe befasi të këndshme që sjell bota imagjinare e një krijuesi, veçanërisht të një të riu, që mëton të kap yje në horizontin e pafund të Kashtës së Kumtrit, ëndrra e dëshira për një ardhmëri edhe përtej të imagjinuarës. Në këtë rrugëtim të filluar të hapërimit, i vetëdijshëm për sprovat që mund ta takojnë dhe atakojnë, do të inkurajohet  plotësisht, i bindur se aty e ka frymë-gjallërimin e të ardhmes së tij, si synim parësor; shpreh besimin, se tashmë e ka kapur pikënisjen jetike të tij. “Përjetësisht u lidha me shkrola, me këto hulli të zeza, me të cilat mëtoja të mbillja diçka nga dhimbjet e ngazëllimet, nga fati im i pleksur me fatet e të tjerëve. Fatet nuk ishin të ngjashme, por, meqë ishin të një relievi njerëzor kishin puqjet e tyre” (po aty, fq. 31), deklaron autori, me gjuhën narrative të Kryepersonazhit. Në këtë prizëm ngjarjesh do ta gjejë veten, për ta vazhduar rrugën e tij prej krijuesi, me përballjet e shumta të një jete skëterrë, që herë akuzohet për bashkëveprim me të tjerët për shpërndarje afishesh, herë ndiqet si i dyshimtë për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit, etj. Kështu, ai po bënte punën e tij prej njeriu të vendosur në rrugëtimin e përcaktuar që në rininë  e hershme, ku liria individuale, liria e popullit dhe e atdheut ishin pikëtakimi i përbashkët në çdo segment të jetës. Ai tashmë po ndërtonte “Poemën e gjallë”, i ndrojtur, por vendimtar në rrugëtimin e tij të pandalur, pavarësisht nga sprovat që ia sillte ajo kohë skëterrë dhe plot mistere.   

  Gjetjet e personazheve, si: Epshori, Dytëshori, Idealisti, Shkrimtari, Synimi, etj. krijojnë mozaikun e portretizimit të njeriut, si reflektim i një diskursi të ngjarjeve dhe veprimeve të ndryshme narrative nëpër kohë, për të pasqyruar denjësisht të bukurën, si virtyt i njeriut, si dhe pjesën tjetër të zymtë, që rrugëtojnë paralelisht në roman, në përplasje të shumta, deri në triumfimin e së drejtës. “Në atmosferën e hirtë e të pelinit të vazhdimësisë, ndodhi përballja. Andej tavolinës ku çdo shqiptim i artikuluar zanoresh e bashkëtingëlloresh kapej për vjegëza fjalësh, që zgjonin shtrëngatën dhe, ç’të shihja: miku im Synimi i ndryshuar sikur asnjëherë më parë! I dërmuar dhe i trishtuar! I gatitur për kufomë! Por, nuk dukej se do të jepej... Patjetër e njëjta mbresë e leximit të tmerrit, jehoi pazëshëm dhe shqisave të dëgjimit të Synimit kundruall meje!... Tingujt e krismave të asaj jehone ia ndjenim vetëm ne njëri-tjetrit!

      Prokurori cinik:

      -I akuzuari Mot Rafuna, çohu në këmbë!

      -Sa herë jeni takuar me të akuzuarin Synim në Prish-stinë për të shpërndarë afishe armiqësore?

      -Tri herë.

      -I akuzuari Synim Bardhori, ngrihu në këmbë!

      -Sa herë jeni takuar në Prish-stinë për veprimtari armiqësore, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, me të akuzuarin Mot Rafuna?

      -Dy herë.

      Prokurori:

      -Mut ti, sturrë ti!” (po aty, fq. 177).

      Nuk mund të  tejkalohen edhe situatat e shumta kur Kryeprotagonisti do të përballet me pyetje të shumta për emra e personalitete, për njohjet, për lidhjet eventuale me ta, për bashkëpunimin e  mundshëm, për shkollimin, për leximin dhe këmbimin e literaturës së ndaluar, etj. Me kalimin e kohës, pas daljes nga burgu, po ky personazh do të përjetoi edhe ngjarje të tjera, si luftën e UÇK-së, pastaj çlirimin e atdheut, ndërtimin e vendit të tij të shkatërruar pothuajse në tërësi nga okupatori i paskrupullt barbarë. Përjetimi i lirisë tashmë i shtron shumë çështje e peripeti nga më të paimagjinuarat ndonjëherë, që autorit ia zgjerojnë fushë-veprimin e shtjellimit të shumë temave e ngjarjeve në një kronologji të pafund të zhvillimeve.                                     

    Autori vazhdimisht e zgjeron gamën e shtjellimit të këtyre ngjarjeve, në këmbim të përvojave   dhe përjetimeve gjatë jetës së ndrydhur të shkrimtarit në situata episodike të vazhdueshme, ku ndryshimet reflektojnë shpresat, mundësitë dhe ballafaqimet me realitetin që imponohet, që nënkupton shpërfaqjen e kontrasteve jetësore, të ndërtuara nga ngjarje të shumta historike dhe shoqërore, gjithnjë në kërkim të identitetit të tij, që ia ndërthur imazhin e jetës.

     “Vjen stina e zverdhjes dhe e shirave të lotve të ftohtë. Është periudha e vjeljes së të mbjellave tua, e domosdosë që katin e ri të pranverës t’ia lësh në varëse pasardhësit, nëse ka të njëjtën shije të zgjedhjes e të pëlqimit, e përmasës e numrit?” (po aty, fq. 229). Ky ndryshim i stinëve sikur paralajmëron edhe ndryshimin e mendësisë, vizionit dhe veprimeve të njeriut të sotëm, që  interpretohet përmes figurës së Kryepersonazhit të transformuar në përmasën e një trasuesi të ardhmërisë, duke u lënë dëshmi brezave shumë fakte e ngjarje nga e kaluara e tij.

      “Ishte bota magjike  që e shpëtoi Motin nga vrazhdësia, porse Ai nuk e ndoqi rrugën e përfitimit me ndër-skamca dhe me bërryla deri te pallati vetjak. E thoshte zëshëm:

      -Ç’më duhej një pallat i luksit pa magjiken e jetës brenda tij?” për ta përkufizuar besimin e tij “Kurrë nuk do ta robëroja në kafaz bilbilin për zërin e tij!” (po aty, fq.281). Sa i saktë dhe vizionar del të jetë Moti, dëshmon edhe ky citat i shkurtër nga një prozë kaq e zgjeruar e me brumosje të shumë ngjarjeve e temave nga një aktualitet i shpërfaqur me frymën narrative të autorit, që gjatë gjithë rrugëtimit në roman e takojmë herë si shkrues, herë si veprues e përjetues i ngjarjeve të trajtuara këtu.

 

 Lajtmotivi që frymon jetë

 

 Romani ”Lëkura e gurit”, prek kujtesën historike dhe ndërlidhjen e tërësisë zhvillimore të ngjarjeve deri në ditët e sotme, që përkufizojnë jetën e larmishme të Motit, duke ruajtur frymën moderne të narracionit, që e karakterizon krijimtarinë e Mehmetali Rexhepit, i dëshmuar denjësisht edhe në veprat e tij të mëparshme. Ky si lajtmotiv i një ndërtimi të veprës mbi bazamentin e historisë dhe jetës së shtresuar nëpër situata e ngjarje të shumta të një periudhe të caktuar kohore.

 Saga e një odisejade kohezive në këtë roman vjen e ndërtuar si tërësi e një jetëshkrimi narrativ, për të mbetur dëshmi dhe kujtesë e pashlyeshme pë marrësin e pasionuar, që kaherë nuk i mungon Mehmetali Rexhepit, falë një fondi të mirë veprash e vlerash që i ka dhënë letrave tona.

81 views1 comment

1 Comment


Guest
Nov 13

Tungjatëjeta Fatmir Terziu! Të dëshiroj të gjitha të mirat! Më gëzon njohja me ty! E mbarë të qoftë puna në portalin tuaj FJALA E LIRË! Kur të më jepet mundësia,nëse pajtohesh do të dërgoj shkrime të herë pas hershme. Shëndet e të mbara!

Mehmetali Rexhepi

Like

Shkrimet e fundit

!
Widget Didn’t Load
Check your internet and refresh this page.
If that doesn’t work, contact us.
fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page