top of page

X: Perëndim apo...?!


Perëndim apo...?!

Novelë-


Pjesa -X-


10- Ne të dy i gëzoheshim vajzës që rritej e zbukurohej nga dita në ditë. Ishte e urtë, e pastër, e bindur dhe fizikisht e fortë. E merrnim kudo me vete, madje edhe në kinema dhe nuk na bezdiste. Ishte si një engjëll që ne na dukej sikur fluturonte me flatra. Pasi shihnim ndonjë film operistik të kompozitorëve të mëdhenj klasik, gjatë kthimit për në shtëpi ajo përsëriste fragmente muzikore nga uvertura e operës. Na habiste që ajo në moshë aq të njomë, i kapte tingujt muzikor qysh me dëgjim të parë. Talenti i saj na gëzonte pa masë, po njëkohësisht edhe na trishtonte. A do t’ia japin mundësinë që të vazhdojë studimet për muzikë?!”- pysnim veten në heshtje secili nga ne. Frika e luftës së klasave na grryente palcën edhe për fatin e saj. Nuk donim t’i shuheshin ëndrrat ende pa u lindur si nënës dhe babait të saj. Një ditë më kërkuan në prokurori. Nuk di pse, po vetëm emri i institucionit më shkaktoi rrëqethje. Shkuam të dy bashkë me Timin. Unë trokita dhe hyra brenda. Sa përshëndeta, një zotëri, meso burrë, pa më pyetur, m’u drejtua gjithë dashamirësi: -Ti qenke “Aja”?!Unë të mendova një grua të pjekur, kurse ti qenke fëmijë, moj vajzë. Ai foli me një buzeqeshje prej prindi. -Nga ma dini emrin, kur nuk më njihni? Letra që i keni dërguar Prokurorit të Përgjithshëm, duket sikur e ka shkruar një grua e pjekur. Unë jam Xhevdet Beqo nga Nivica. Jam Zv/Prokuror i Republikës. Kam qenë mbrëmë tek im kushëri, Qemal Toto, i cili bashkë me gruan m’u lutën që të të ndihmoja. Për ty kam thirrur edhe Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Qytetit, shokun Llazar Isaija, që të të sistemojë në një punë. Në arsim nuk ka vende. Por Partia mendon edhe për ty, paçka se Këshilli Popullor dhe partia në fshat, më folën shumë keq, e nxinë fare biografinë tënde. Ne e biseduam dhe vendosëm që ti të punosh në ndërmarrjen e veshjeve. -Shoku, zv/prokuror, bashkëshorti im është aksidentuar me traum të rëndë në kokë, gjatë punës. Ai s’është në gjendje as për vete, jo më të kujdeset për vajzën tonë, kur unë të jem në turnin e natës. Mundësisht më jepni një punë ditën. -Atëherë, do të shkosh në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në sektorin e rrobaqepsisë. -Po për të vazhduar studimet, si do bëhet? Edhe pse e di që arsimi i lartë nuk më hyn në punë, unë e dua atë për kulturë. Në të njëjtën kohë me fletën e punës më dhanë dhe një letër për drejtorin që të më jepte të drejtën për të vazhduar studimet. -Vajzë e mbarë, çfarë t’i them Prokurorit të Përgjithshëm? -I thoni që jam shumë e pakënaqur. Ndërkohë lotët e grumulluar ndër vite, filluan të rrjedhin lirshëm dhe pikonin nën mjekërr. Kur më thatë për kujdesin e Partisë, e dini çfarë më kujtuat?! Më hapët një plagë të fëmijërisë. Isha 6 vjeçe, kur më arrestuan babanë. Pasi e dënuan me burgim të përjetshëm, na sekuestruan gjithë pronat e tundshme dhe të patundshme. Në shiritin e kuq që i vunë shtëpisë sonë, shkruhej “pasuri shteti”. Plaçkat i hodhën në një kamion bashkë me bibliotekën e familjes sikur ishin plehra pa vlerë dhe jo pasuri apo kulturë. Unë me lot në sy u thashë atyre të përmbarimit: -Si do bëj pa krevatin tim? Ku do ta gjej tani engjëllin tim që e kisha shok? -Ç’të duhet engjëlli, kur për ty ka menduar Partia? Qysh atë ditë përfunduam në internim në një kasolle mes kënetës. Për mua filloi jeta e endacakes. Jetoja sa te tezja, te halla apo dajot. Të jetosh për mëshirë është kafshatë që s’kapërdihet. -E di sa keq më vjen, por kaq mundësi dhe kompetenca kam..., moj vajzë.-U përshëndet me mua sikur të ishte një i afërmi im, të cilin e kujtoj me respekt. Edhe sot, pas më se disa dekadash, lotët e lodhur më vagëllojnë nga sytë, kur i kujtoj të dy rastet. Qysh të nesërmen fillova punë si rrobaqepëse në një lokal pa dritë dhe gjithë lagështi. Ndërkohë fillova arsimin e lartë. Gjuhësia kishte kaluar më vete, kurse histori-gjeografia ishte katedër tjetër. Gjuhësia ishte plotësuar, atëherë më regjistruan në degën e Historisë. Për fat, në atë kohë ishte hapur Filiali në Vlorë. Shkoja në leksione çdo mbrëmje në orën 16. Isha tejet e ngarkuar, në punë, në shtëpi, shkollë, me vajzën që më merrte shumë kohë. Veç këtyre, punoja dhe privatisht, qepja e qëndisja në shtëpi, sepse rrobaqepësia s’kishte punë. Më parë me punë, duhet të furnizoheshin të tjerët që ishin nën ombrelën e partisë. Vetëm po të mbetej ndonjë veshje e vjetër ma jepnin mua. Edhe Timi kishte ngarkesat e tij dhe ishte shumë i lodhur e i drobitur, vazhdonte dhe ekonomikun, por më hiqte një pjesë të mirë të punëve. Kishte një të mirë se tani punonte magazinier në Uzinën Mekanike. Viti 1972... Na dukej sikur punët na ecnin mirë, por ne kishim lindur për të vuajtur dhe nuk na qeshte buza kurrë. Ansambli artistik i Vlorës do të shkonte në Kosovë dhe Maqedoni për një turne. Timi gëzohej dhe bënte plane se çfarë dhurate mund të na sillte prej andej. Deshte të na gezonte si mua dhe Lindën. Një ditë para se të niseshin, e lajmëruan se nuk do të shkonte. U kthye në shtëpi i mërzitur. -Po ti nuk qëndrove për prova? – e pyeta gjithë merak. -Jo, jo...- tha dhe ishte aq i dëshpëruar, sa që po t’i prisje mishin me thikë, nuk do t’i dilte gjak, po vrer. -Nuk më lejojnë të shkoj, se nuk kam garanci politike, pasi jam martuar me armiken e popullit. Ai kishte të drejtë. Madje dhe motra e tij e vogël, kur e mësoi që nuk do të shkonte në Kosovë, i tha gjithë mllef: “Ah more vëlla. Kishte humbur pazari për gjilpëra që vajte dhe more këtë për grua. Prit kur të na vërvisin të gjithëve në kanalin e... Do të vijnë mendtë ty, por ka për të qenë vonë.” -Zemër, mos u mërzit! Ajo ka të drejtë, - i thashë me zë të ulët.

-Kur vendose të martoheshe duhet t’i shikoje me lentë, të gjitha anët, edhe ato politike. Gjithsesi, unë dhe ti u mësuam tani me disfata. Veç më vjen keq për vallet se janë koreografia jote. -Vallet do të kërcehen, por emri im nuk do të zihet në gojë. E di, Aja, këta sikur e bëjnë enkas për të na mbajtur nën trysni e me dhembje gjithë jetën. “Ata” jo pa qëllim na rihapin plagët e vjetra. Pa u mbushur 20 vjet mua më kanë ndaluar tri herë për të dalë jashtë shtetit. Për herë të parë isha nxënës shembullor i politeknikumit të Durrësit. Do të shkonim me pushime në portin e Varnës në Bullgari. Hipa dhe në anije, por më zbritën. Isha ende fëmijë dhe ma vranë ëndrrën, më humbën shpresën pa mëshirë. Në vitin 1959, isha ushtar në aviacion. Meqë kisha dalë mirë në shkollën e aviacionit, isha dhe i mirë në praktikë me avion, më caktuan që do të shkoja me studime në Bashkimi Sovjetik për aviator. I përgatita gjithë dokumentet, u përgatita dhe shpirtërisht, por nuk më lejuan të nisesha, ndërsa shokët e mi u nisën. Mos vallë, ti ishe shkaku dhe dy herët e para që më vranë shpresën dhe ëndrrat?! Kjo ishte hera e tretë, me të cilën u mbush kupa e helmit dhe ka filluar të derdhet. Para të tjerëve nuk e jepnim veten edhe pse shpirtin e kishim plagë. Vazhdonim shkollën rregullisht. Vajza ishte gati për shkollë. Meqë kishte talent ne nuk donim ta humbisnim. Veçanërisht unë si baba dhe si njeri i apasionuar pas artit, e çova në shkollën e muzikës të praktikohej për veshin muzikor, me të vetmin synim që të konkuronte. Për fat, një ditë e gjen duke bërë prova në shkollë folkloristi ynë i famshëm, Ramadan Sokoli. Ai e përzgjodhi për klasën e parë të liceut “Jordan Misja” që bëhej çdo vit me fëmijët më të talentuar nga i gjithë vendi. Në takimin që bëri me mua për kushtet e liceut, pyetja e parë e profesorit ishte: -Sa fëmijë keni? -Vetëm këtë vajzë, - i thashë duke e parë drejt në sy. Profesor Sokoli më foli hapur. Ai më tregoi për anën pozitive të kesaj shkolle ketu në Tiranë, për aftesite dhe talentin qe vajza ime kishte, po dhe për veshtirësitë qe ajo ( Linda) dhe ne si prindër do të kishim. -Unë kam dy fëmijë dhe nuk futa asnjërin në muzikë. Nëse ti dhe e ëma e vajzës do të duroni mallin, ftohjen e saj ndaj jush dhe mungesën e dashurisë prindërore, mund ta sillni vajzën këtu në Tiranë. Kur të shkoni ta gjeni të sëmurë me bronkopolmonit, apo të ketë zënë parazitë, ju do ta rrëmbeni si skifteri dhe do ta sillni në shtëpi. Është shumë e talentuar, ka vesh të përsosur, por mendoheni mirë. Jeni ju që do të vendosni. Duhet të njoftoni drejtorinë e liceut tri ditë përpara se ç’do të bëni. Ne, pasi e diskutuam gjatë e gjerë, vendosëm të mos e çojmë në Tiranë. Po qe se ka fat, do të dalë edhe këtu në shkollën e mesme artistike, në Vlorë. Edhe pse fitoi vendin e parë këtu, nuk e pranuan me pretekstin se ka fituar për në lice dhe duhet të shkojë atje, sepse i ka zene vendin dikujt. Gjithsesi me ndërhyrje dhe miqësi, e pranuan. Ajo, si e ëma, qysh fëmijë 6 -vjeçar, e ndjeu peshën e luftës së klasave. E dinte që ishte e talentuar, ecte mirë në njohjen e violonçelit dhe të luante me vegël, por shpirtin e saj të njomë e vriste trajtimi i pabarabartë me të tjerët. Vogëlushja jonë përfaqësonte shkollën në gjithë aktivitetet artistike për gjithë vitet rresht. Për aftësi si instrumentiste e futën në orkestrën simfonike të Vlorës në moshën 11 vjeçare. Kur vinte puna për të konkuruar, dërgonin një shoqe të saj pa talent. I kushtova gjithë rininë dhe shpirtin sime bije. Kishim një dhomë dhe ajo nuk kishte ku të studionte. I ati,i lodhur e i zhgënjyer, e shoqëronte te bijën në shkollë deri në orën 11 të natës që studionte violonçelë. Çdo të shtunë e çonte në Tiranë të merrte mësime private në Institutin e Arteve, te violonçelisti, pedagogu, Gëzim Laro që ishte shoku i tij. -Që talenti i saj të mos shkonte dëm, unë,- thoshte Timi,- që dikur bija në sy për ndjekje mode, nuk më vinte turp që shkoja në Institutin e arteve me opinga të qepura me tel. Çfarë nuk bën prindi për fëmijën. Nuk mund të hedh poshtë duart e arta të së ëmës. Ajo e bënte të vjetrën të re. Ose fustanin e moshës gjashtë vjeçe e modifikonte tri herë deri në klasën e katërt. Linda dukej aq e veshur sa, kur luante në violonçelë, në saxho, apo në skenë, ngjasonte si shtojzovalle. Shokët habiteshin dhe klithnin: -Shiko pak Lindën, sa bukur është veshur. I ka ardhur fustan i ri nga Amerika,- pëshpërisnin vesh më vesh. Ky ishte mendimi i të gjithëve, sepse të deklasuarit kishin njerëz të arratisur në perëndim, ndërkohë që nga familja ime vetëm eshtrat e xhaxhait të arsimuar në perëndim, kishin ngelur në Mat’hauzen. Ai përfundoi në krematorimet e shfarrosjes, më 9 maj të 1945. Po kështu dajon tim, Sami Pashaj, partizan i Divizionit të parë, e dogjën serbët në spitalin ushtarak në Vishegrad bashkë me të tjerë të plagsur. Në vitin e fundit të studimeve, Aja, ishte shtatzënë, por nga një pakujdesi e mjeksisë gjatë lindjes së vajzës, në muajin e dytë dhe deri sa lindi ishte me rrezik aborti. Ndaj e mbanin në regjim shtrati në spital. Ajo s’kishte ç’të bënte. E shtruar ne spital vazhdonte të studionte dhe të përgatitej për provime. Gjatë një kontrolli drejtoresha e shtëpisë së lindjes, Liri Balili, e gjeti Ajën me leksionet e hapura mbi shtrat. Menjëherë i drejtoi një pyetje tendencioze: -Çfarë po bën ti, kështu? - Meqë jam me regjim shtrati, po studioj,- i fola e trembur. -Vërtetë?! Qysh kur spitali na qenka shndërruar në universitet dhe ti qënke shtruar për kovaleshencë?! -Unë jam e sëmurë për faijn e mjekësisë. Mund ta humbas fëmijën, nëse ngrihem në këmbë. -Të njoh unë, të njoh mirë! Ja, do ta shohim me mjekun tënd. Cili të ka në patronazh ty? -Doktor Mikel Anastasiadhi. Megjithë konsultat dhe analizat e bëra, nuk u plotësua egua e saj prej të sëmure psikike ose e mbrujtur me psikopatinë klasore. Unë qëndrova në spital deri sa hyra në muajin e nëntë. Si prindër, ne i jemi mirënjohës doktor Mikelit. Vetëm prej kujdesit, zotësisë dhe këmbënguljes së tij, u bëmë me djalë. Kur vajza mbaroi klasën e dytë, Aja, lindi djalë, një fëmijë të shëndetshëm me peshë maksimale gati pesë kg. Çuditem me guximin e saj. Atë ditë ajo shkoi në Filial që në orën 6 të mëngjesit dhe likujdoi provimin e Filozofisë Marksiste-Leniniste. Kurse në orën 8, shkoi me këmbët e saj në spital dhe lindi djalin. Kjo ishte arritja më e madhe e saj.Një gëzim i pakufishëm yn, se familja u plotësua. Ishim të tre shumë të lumtur. Ne u bëmë me djalë dhe vajza u bë me vëlla.

***

17 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page