VËSHTRIM PËR DRAMËN
(Shfaqur në Teatrin Shqiptar të Shkupit dhe të Tiranës)
Dyzet e katër vite më parë, në pranverën e vitit 1969 në një sallë të Teatrit Shqiptar të Shkupit, saktësisht në ndërtesën shumëkatëshe të quajtur “Rabotnički dom”, qe shfaqur drama e Henrik Ibzenit “Armiku i popullit” me regji të Muharrem Qenës.
Përshtypjet e mia, por edhe të të tjerëve, të para pesë dekadash, mbetën të pashlyeshme që ahere. Ja po përmend e po citoj shkrimtarin Mehmet Kraja që shkruan: “Ishte një zë i protestës kundër intrigave, një zgjim kombëtar, siç ishin demostratat e 1968-s”.
(“Fakti”3.10.2006)
Nga ky mall, apo nostalgji, posa dëgjova se të shtunën më 21.09.2013 në orën 20:00 po shfaqet “Armiku i popullit”, pa ngurrim u nisa nga Struga për në Shkup, në Teatrin Shqiptar dhe e përcolla dramën, tani më me tjetër regjisor, me të tjerë aktorë, me skenografi e vlera të tjera skenike, me realizime të reja, me shumë porosi që i ka pas, i ka dhe do t`i ketë kjo vepër dramaturgjike. Dramat më të rëndësishme të Henrik Ibzenit me të cilat hapet rruga e stilit natyralist, me analiza e probleme morale që bënë ndikim të madh në dramaturgjinë evropiane janë: “BRAND”, ”PERGINT”, “SHTYLLAT E SHOQËRISË”, “NORA”, ”ANETËT”, ”ARMIKU I POPULLIT”, ”RAMOS HOLIN”, ”NDËRTIMTARI SOLNES”, ”JONGABRIEL”, ”BURMAN” etj.
Dihet se Fan Noli ynë na la përkthime mjeshtërore të disa kryeveprave botërore e midis 6 përkthimeve kryeveprash botërore është edhe “Armiku i popullit” për të cilën po flasim.
Në letërsinë shqipe është e njohur fjala e Dora D’Istries: “Atë që bëri Skënderbeu me shpatë ti e bëre me pendë, o i madhi De Radë”. Kjo është thënë edhe për Ibzenin nga një botim autoritativ me një krahasim nga letërsia gjermane e norvegjeze: ATË QE BËRI GËTE me “FAUSTIN”, Ibzeni e bëri me dramat e tij për artin dramaturgjik të Norvegjisë.
Kjo kryevepër botërore u vu në skenë sa me artin e fjalës të folur e të kënduar nga Ilire Vinca edhe me artin e shtatë, me videomonologët tërheqës e sugjestivë dhe lojën, mizanskenën e mrekullueshme të të gjithëve e sidomos të bartësve të kompozicionit, sa me fjalën artistike të folur, atij muzikor, edhe këngët anglisht si individ e si grup. Pra, pamë një dramë shumë-dimensionale, që mahniti publikun në skenën e përbashkët të hapur nga të katër anët...
Ja cilët qenë ata që ngjallën Ibzenin: Bajrush Mjaku- Dr. Stokman, Ilire Vinca - Katerina Stokman e shoqja, e bija e tyre mësonjëse shkolle Arta Selimi, Pjetër Stokman i vëllai më i madh i Doktorit, kryeplak i qytetit drejtor i policisë, drejtor i stabilimentit të banjave: Bislim Muçaj, Matrin Kili fabrikant, i ati adaptiv i zonjës Stokman: Salaudin Bilalli etj. Këtë dramë duhet ta shikojmë si vepër teatrore sociologjike, psikologjike për të gjitha kategoritë nga akademiku deri te filloristi apo analfabeti. Ta shohin të gjithë që të përfitojnë përvojë se si shkruhet e si luhet një dramë që bën fjalë për raportet e dy vëllezërve: Dr. Stokmani që mbron shëndetin e popullit dhe Pjetër Stokman kryetar i qytetit, drejtor i policisë, drejtor i stabilimentit të banjave...si dhe të tjerëve që përbëjnë turmën: Bislim Muçaj, Martin Kili, Salaudin Bilalli, Hof Stadi, redaktori i gazetës “Zëri i popullit” Alban Ukaj, Fisnik Zeqiri, Adrian Morina etj.
Ju lumtë aktorëve në krye me regjisorin plot invencion krijues për t`i dalë zot të vërtetës sipas thënies së Aristotelit antik: E dua, e kam mik Platonin, por më shumë e dua të vërtetën, ajo e “vërtetë”, që të drejtin e përbalt, e shkel, e mohon.
Pamë një dramë me regji nga Dino Mustafiq, ku individi përballet me turmën qorre, hipokrite, duke përfunduar në aktin final të jetës me infarkt (Dr. Stokmani), e vëllai, në pozitën e drejtorit, i ndez qirinë...
Aktorët me regji të Dinos e me tekst të përpunuar të Ibzenit, stigmatizon poltronët e shumtë që ka jeta: dallkaukët, butakët, aparatçikët, deledashët, hermafroditët, kulltukofagët, hazarderet, cinikët, fllasterët, ”elitarët”, egocentrikët etj., si dhe reaksionarët, pronarët e shtëpive dhe gazetarët që shkonin kah fryn era e pushtetit të qytezës norvegjeze.
Kjo dramë na zgjon asosacione, siç theksova më lart më 1968 e këndej, luhej një dramë tjetër në jetën e shqiptarëve këndej kufirit politik të Shqipërisë. Qindra arsimtarëve, pedagogëve, u merrej e drejta e ushtrimit të profesionit, duke bredh pa punë; qindra të tjerëve u shkileshin të drejtat elementare njerëzore, dënoheshin për bindje politike, për bindje shkencore, fetare...
Sa largpamëse janë idetë e Njeriut apo Mbinjeriut të Ibzenit, atyre si Stokmani që hapin rrugë drejt të vërtetës pa marrë parasysh pasojat nga politika diskriminuese e kohës.
Në një fjalim të Henrik Ibzenit më 26.05.1898 thuhet kështu: “Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut.” Ibzeni insiston që të ngrejë popullin në nivel më të lartë, e për ta zgjidhur këtë detyrë, janë të thirrura sidomos gratë. Pikërisht gratë, me konsekuencë e dalëngadalë, të zgjojnë në popull tendencën për kulturë dhe ndjenjën e disiplinës. Kjo duhet të bëhet doemos, por para së gjithash populli të jetë në nivel të lartë. Duke bërë këtë, gratë zgjedhin çështjen e njeriut. Me një fjalë, për shkak të të drejtave njerëzore, gratë duhet të kufizohen ”në dhomën e fëmijëve”. A është e qartë kjo?
Kështu shtron problemin G.V. Plehanovi me parimet e tij në “Vepra të zgjedhura” që më 1966 (f. 379).
Kësaj pikëpamjeje për gratë i bashkohet edhe F. Niçe me këto fjalë: “Lumturia e burrit: Unë dua; Lumturia e gruas: Ai don...”
Ky mendim e universalizon problemin e femrës, duke mos e kufizuar as me kohë të caktuar as me një komb të caktuar. Por, ndërsa jeta ka ligje dhe normat e veta, arti i dramaturgut Ibzen bën hapa përtej realitetit jetësor.. (Dr. N. V. LPSHD, IAP, Pr 1989 f. 103).
Regjisori me invencë e gjetje artistike, pra Dino Mustafiq e ka njohur krijimtarinë e Ibzenit. Ai i ka ditur mendimet, trajtesat, studimet e P. S. Kohanit, të Plehanovit, mendimet e Enciklopedisë së Entit Leksikografik të Zagrebit në krye me M. Kërlezha dhe duke ditur rrethanat e së djeshmes e të sotmes, ka vepruar siç duhet për t’i pajisur personazhet, qoftë Stokmanin (Bajrush Mjaku) apo të të tjerëve. Ka njohur edhe filozofinë e Lindjes edhe të Perëndimit, prandaj edhe shpreh ato mendimet e Niçes për gratë.
Për Dr. Stokmanin studiuesit e letërsisë së Evropës Perëndimore kanë thënë edhe këtë mendim:
“...Dr. Stokman është përfaqësuesi më i dalluar i ideve të Ibzenit për njeriun e shoqërinë. Ai stigmatizon turmën që jeton me vlerat e vjetëruara, mallkon udhëheqësit e saj që janë bërë të tillë vetëm e vetëm se shkojnë pas gjurmëve të turmës dhe me mjeshtëri forcojnë ato vlera. Ai feston, lëvdon ata që krijojnë vlera të reja, ata që kërkojnë vlera të reja, që shkojnë kundër turmës, shkatërrojnë traditat dhe besimet e tyre, pra ata që janë “Armiq të popullit” (P. S. Kohan, ZEK, Sarajevë, f. 115). Përveç këtij mendimi, më duket shumë i qëlluar dhe sugjestiv ajo që thuhet në “Veprën 5” të Mitrush Kutelit, përgatitur nga Atalanta Pasko: “Kështu, brenda nesh, doktor Stokmani e të tjerë rrojnë edhe rrënjosen më fort përmjet analizës noliane... Po Noli kritik bën shpesh edhe një çap më tej. Ai u gjen protagonistëve të huaj ekuivalentët e tyre në botën shqiptare...” Teatri modern, i përbotshëm a i vjetër, shkruan Noli, s`ka një dramë tjatër (“Armiku i popullit”) e cila të tallet aq bukur e aq thellë sa kjo me idealet borgjeze....
Liria e fjalës? Po kjo nuk ekziston posa u ngitet interesi kapitalistëve.
Sundimi i shumicës me anë të votës? Po kjo shumicë është e verbër edhe e marrë, s`di ç`voton... dhe kryqëzon mirëbërësin e saj”.
Drama me vlera të tilla duhet të konsumohen, të analizohen, të përjetohen. Kështu pasurohemi me ide e koncepcione që do t’u ndihmojnë në jetë, do të kënaqemi me thesaret e urtësisë; teatri na ofron një jetë të ringjallur në skenë... “Arti i vërtetë është i amshueshëm” thotë Bethoveni. (Nuhi Vinca)
Commentaires