top of page

VUVI I TUSHIT


VUVI I TUSHIT


Nga Agim Mato



Në fëmijëri shihja burrat të ngjiteshin në Llotrua

me një mëngë të zhveshur të xhaketës,

që u varej e boshatisur

dhe bënte t’u dilte gjoksi leshtor përpara.

Për t’u ndjerë burrë

fillova të gjarpëroja edhe unë nëpër monopate,

duke tundur mëngën e hequr të xhaketës,

i fryrë si gjel.

E trashja zërin me shokët.

Qentë, macet dhe pulat

më hapnin rrugën të trembur.

Po një ditë, nga kroi i Agait, pashë të vinte,

si katallan,

i ngarkuar me bucelë, Vuvi i Tushit.

Mbajta këmbët

dhe, me një alarm të brendshëm,

u fsheha pas një shkëmbi,

me krenarinë e burrërinë e deriatëhershme,

të shembur.

Kur u afrua,

shputa e tij e stërmadhe u ngrit mbi kokën time,

gati për të më shtypur.

Përmes ulërimave të mia,

pashë të ngrihej shputa tjetër tërë pluhur,

si në një film me xhiro të ngadalësuara,

kurse Vuvi, duke u lëkundur

e duke lëshuar

një “ëh!” në çdo hap,

nuk më përfilli kurrsesi,

po vazhdoi rrugën e tij.

E futa krahun në mëngë

dhe fillova ta ndiqja së largu,

deri te gardhi i shtëpisë

të rrethuar me fiq deti.

E pashë tek zgjidhi litarët në sofat,

hodhi ujë në një ibrik

dhe ja zgjati butësisht një fëmije

me nojma e pasthirrma.

Që atëherë,

kurrë nuk e zbraza mëngën e xhaketës,

duke hequr dorë nga fiksimi

i të ndjerit burrë para kohe.


9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page