top of page

Vulos magjinë: Jam Grua


VULOS MAGJINË


Bindjes time te palëkundur,

Kokfortësisë së pabindjeve që lakojnë

Të më bindin papandehur,

Unë, e ruajta për ty

Të shenjtë puthjen e përmallshme

Mallimeve


Prekjen hënore,lëmuar gishtash

Qè vec ëndrrave e lyp,

Veç unë e di sa herë ta dhashë,

Munguar përqafimesh


Zemrës ,që u dogj prangosjeve,

Mbyllur në një zarf të shpirtit

përmes vargjesh ,

Si pëllumb i bardhë shtegëton,

Sa e sa herë mungesash,

Ta dërgon një puthje,

Të vulos magjinë.


RA KY MORT DHE U PAMË


Ra dhe ky mort dhe e u pamë,

Perballë njeri tjetrit të ftohtë,

Ne mes,

Muri i heshtjes i lartë

Qe kujën ka vënë ,

Dyerve të dhembjes,

Dhe nën zë ,

Vetëm qan.


MIDIS TEJE DHE MEJE


Midis teje dhe meje,

U bë kohë e mbarsur pa fjalë


Midis teje dhe meje,

Lëkundet tërmetesh ,

Një mal ,mbushur plot me mall


Midis teje dhe meje,

Po bren një ndërgjegje,

Qe veç heshtjen ka përballë


Midis teje dhe meje,

Falja, humbi udhën,

Mëritë, ngritën kalatë.


ANTOLOGJI HESHTJESH


Kam shkruar njē antologji heshtjesh,

E cila promovohet në shpirt

Me emra ditësh që  shënjojnë

Dhembje,

Përflaken  në të faqet e kohëve

Me zjarrmi malli qe nuk flet,

Por vetëm qan mungesën

Duke ricikluar veten,

Në pështjellime vorbullash

Që fundosin pengje,

Në hapsira që fokus kanë trishtimin.


IKJET


Ikjet ,

Veç ikin ndër ikje,

E më kot,

Struken e stisen,

Të mos jepen në dukje

Mes dhëmbjesh,

Të fshehura ,

Ashtu pas puthjesh,

Të lëna përgjysmë


Në pritje,

Mes përpëlitjesh mërzish

Për ndarje ,

Klithmash të mekura

Angështish


Për të parë

Rikthimet që s’dihen,

Për të njerë,

Të njëjtat buzë prekje,

Që u lanë si hijet

Udhëve


Ahhh ikjet ,

Ku më të idhëtat ,

Janë ato ,

Që nuk njohin


KANDRRAT


Po mbërdhijnë zemrat

Po mbërdhijnë smirë,

Ditësh të ftohta bajate

Në akshihane mospajtimesh,

Po mpihen,po mpaken


Shihen tek dehen ndër ta

Vetkënaqësish

Der t’u merren këmbët

Padashurish


Po dergjen

Mosmirnjohjesh,

Vetmohuese

Po këmbejnë vetet

Padrejtësish


Në transaksione interesash,

Gjaku po shëndërrohet

Drejt asgjësë

Një jetë të tërë

Të humbur

Të zhbërë


Sfiliten ditët

Me ngrehina fjalësh

Që therin terret

E shpërndahen si kandrrat

Shpirtrat

Të brehen ndër vete


E sertë dora

Që shtrëngon inate

Nën dhëmbë

Fshehur intrigash

Ngërdheshëse fytyra

Tek sheh nën sy lakmitarë


Dhe të kujton

Që kandrrat në shtrojë

Zgrapëse, ziliqare

Zemrat po shpojnë...


KUR VDES NJË POET


Kur vdes nje poet,

Tokës së gjuhës ,i thahen rrënjët e fjalës,

Dhe qiejt,

S’kanë  më ëngjëj të kërcejnë


Kur vdes një poet,

Çahen kordat e rrathëve të dashurive,

Se s’ka më kush t’ju këndojë,

Rrezeve tek përflakin diejt


Kur vdes një poet,

Dhembja vdes nën dhembje,

E thellë në shpirt qan derti.

Der ku s’ka më zë.


GJYSMAVE TË MIJA


Përfshihem,

Në vorbulla të rrëmbyera

Mendimesh,

Ditësh e netësh rrokopujë


Nën qiej të ngrysur

Të mendjes,

Që vetëtijnë pareshtur

Agonitë


Zogj fluturakë

Të shpirtit,

Më enden fluturimesh

Krahëthyer,

Ujvarave të zemrës


Të gjejnë

Shtegëtime të reja ,

Ndjenjash,

Lirie të munguar


Larg,

Shkretëtirash

Tē djegura,

Nga pasione çastesh


Pluhrosur shpirtit,

Nga dështime

Të çala kohësh,

E njerëzish të dalë boje


Shkapërcimesh eci

Te ngre veten lart,

Nën dallgë ëndrrash

Të bardha shkumëzimesh


Përqafoj e dlirë

Krahapur dritën,

Të ndihem e plotë

Gjysmave të mija.


JAM GRU


Jam gru,

E lindun etjeve qe përpijnë  zjarr,

E gjitha një rrotullamë

Që  të përpin me sy,

Si një vorbull që nuk të len me dal,

Ndjenjës për me dasht,


Vetëtime që shkrep dashni,

Në piskamë të rrezes së parë,

E ujët si qielli kur don me shfry,

Gjithë retë e mbledhuna bashkë


E dobët si një zog i truem prej të ftohtit,

Mbi krye pa kallamë,

E fisme si zojë ,

Kur nderën me derë s’ia xanë


E trillët ,

Kur muzgjet bien  teposhtë me fjetë,

Me mendu se jam gru,

Për vete,

Për ty gru,

Edhe për ju.


Maniakët e çmëndur


Maniakët e çmëndur klandestinë,

Flisnin papushim,

Egove,

Retorikave te vetvetes përsëritëse


Pa rregulla nënrenditëse të një vargu

Elitar Fibonaçi,

Tejzgjatëse pa kuptim


Të krijonin një model figure,

Që spontanisht të habit,

Dhe që  të çmend me risitë


Pa brum,

Pa kockë,

Përdredhës gjer në frikë.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page