Vullnetarizmi humanitar është mirësi
Nga Xhovana Kodra (Joy)
Shërbimi vullnetar është një aset shumë i rëndësishëm ku sot shoqëria ka më shumë nevojë për vëmëndjen e kësaj fushe.
Një nga rrugët më shpëblyese që mund të përfshihesh si vullnetare është periudha e universitetit duke dhuruar kohën tënde të lirë për të asistuar në aktivitete dhe evente të ndryshme, në mbështetje të kauzave ose organizatave që ke pasion. Unë e kam nisur karrierën time të parë gjatë kohës kur studioja në universitet, fillimisht pranë organizatës ndërkombtare United Nation (UN) si aktiviste në projekte mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe më pas në Qendrën Franklin në Tiranë në ndihmë të moshuarëve ku sot i shpreh mirënjohjen time për mundësinë që më dha që të jepja sadopak kontributin tim simbolik, shpirtëror e moral. Ishte një eksperiencë e cila më shërbeu shumë për të zhvilluar aftësitë e mia drejtuese ndërkohë duke i shërbyer komunitetit. Vullnetarizmi humanitar kultivoi tek unë sensin e qëllimit për të bërë ndryshime positive në jetën e tjerëve, më dhuroi sensin e komunitetit, rriti vetbesimin dhe më zhvilloi aftësi si të folurit publik, bashkëpunimin në grup, organizimin dhe drejtimin e eventeve të ndryshme. Më mësoi të motivoj dhe të bashkëpunoj me njerëz të ndryshëm me përpjekjen për ti bindur të bashkoheshin me kauzën time.Është një praktikë shumë e mire për të krijuar një skuadër duke e inspiruar per të bërë diferenca positive.
Personalisht kam zgjedhur të jem një vullnetare aktive në kauza që i kam më pranë zemrës. Kryesisht vëmendja ime është tek shtëpia të moshuarëve por gjatë jetesës time në Londër jam aktivizuar në projekte me shoqatën National Deaf Children’s Society.
Në vizitën time të parë në shtëpinë e të moshuarëve “Ali Demi” takova një grua pothuajse moshatare me gjyshen time, e cila ishte sëmurë. Sipër krevatit ku ishte e shtrirë kishte vendosur fotografinë e dy fëmijëve të saj që jetonin prej vitesh jashtë vendit dhe nuk i takonte shpesh. Stafi i azilit bënte të pamundurën për ta ndihmuar atë, por ndonjëherë ndihma është më komplekse se sa duket. E tregoj këtë histori sepse mendoj që instiktivisht tek të gjithë ne kur përballemi me dhimbjen duam të ndihmojmë. Nga eksperienca ime si vullnetare në shtëpinë e të moshuarve “Ali Demi” kam kuptuar që dhurata më e bukur që mund t’i bësh dikujt është koha që i kushtohesh. Vetëm disa orë të shpenzuara në fundjavë duke organizuar aktivitete të ndryshme, duke ju shërbyer një vakt apo duke ju ofruar shoqërinë time veçanërisht personave që nuk kanë vizita nga familjarët ka patur një impakt pozitiv. Kam mësuar shumë nga te moshuarit si eksperiencë jete, këshilla dhe histori të ndryshme me mesazhe plot vlerë . Disa prej tyre më motivonin të jepja më të mirën ngaa vetja. Gjatë bisedave kam kuptuar shumë nga shijet dhe kultura personale e gjithësecilit, cfarë dëshirash dhe ëndrrash kanë pasur, marrëdhëniet me fëmijët, karrierën, pasionet e besimet fetare duke më orientuar si t’i mbështesja. Padyshim ka pasur dhe sfidat e veta si ofrimi i kujdesit të personalizuar, respektimi i privatësisë dhe kompleksiteti i komunikimeve dhe preferencave individuale.
Unë besoj fort që shoqëria jonë ka shumë për t’i dhënë me zë të lartë këtij komuniteti që ka dhënë kontribute të pazëvendësueshme në vëndin tonë. Vullnetarizmi humanitar në thelb është mirësi. Ndjesia e lumturisë që njeriu arrin kur dhuron një akt sadopak të vogël mirësie është e madhe, ta mbush zemrën, të bën të ndjehesh vetë mirë dhe të motivon të dhurosh më shumë dritë nga vetja jote.
Комментарии