top of page

Vullnet, mik i çmuar i poetëve e shkrimtarëve


Mimoza Çobo

Mimoza Çobo


VULLNET MATO, DIAMANTI I RRALLË I LETRAVE SHQIPE,

QË MAHNIT LEXUESIT ME VEZULLIMIN E TIJ


Hyrje


E ndiej obligim moral që,sot në përvjetorin e datëlindjes  së mikut tim,shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe, Vullnet Mato, t’i përcjell urimet e mia të përzemërta përmes  zërit të ëmbël të gazetës “Fjala e Lirë”, revistës më të dashur për shqiptarët, për krijuesit  e artit dhe kulturës shqiptare. Urime, miku im, Vullnet, mik i çmuar i poetëve e shkrimtarëve, në mbarë trojet arbërore e më gjerë! Jetofsh sa më gjatë në të mirë të familjes  së madhe të artit të letërsisë ,në të mirë të lexuesve që ju ke dhuruar dhe ju dhuron eliksirin e muzës shpirtërore,në të mirë të interesave të shoqërisë shqiptare dhe kombit !


Figurë olimpike të letërsisë shqipe


Për ta sjellë sa më të freskët në memorien e lexuesit, këtë figurë olimpike të letërsisë shqipe , po ju sjellë disa vargje të këngës “Bardhësi “, që fitoi çmimin e dytë në festivalin e 10-të në RTSH, kënduar nga Naim Kërçuku, me tekst nga  Vullnet Mato:”/ Sonte ne të dy vallëzojmë bashkë,/ Zemrat pranë, sy më sy./ Tokën zbardh dëbora jashtë,/ Ç’bukuri,kjo bardhësi.../ Topa bore hedhin shokët tanë,/ O sa e bardhë dëbora ndrin,/ Në çdo top që hedh tek ty,/ Unë kam vënë dashurinë…/” Unë atëherë isha  pesë vjeçe dhe vargjet e kësaj kënge i këndoja , kur rendja përhumbur pas fluturave krahëshkruar. I këndoja, pa e ditur se kush i kishte shkruar. Por fati e desh që autorin e tekstit ta takoja në një ditë të bukur vjeshte dhe qysh nga ajo ditë, jemi bashkudhëtarë në udhën e bukur të artit të letërsisë.

Lexuesi shqiptar anë e kënd rruzullit tokësor, ia njeh bëmat kreative këtij kolosi të letrave shqipe,këtij diamanti dhjetëra karatësh, që është loti i pastër  i perëndive ,krijim i copëzave yjore të galaktikës qiellore. Vezullimi poetik i këtij krijuesi, ka veshur me dritë jetësore universin e shpirtit njerëzor. Se ai ka mbjellë farën e ndjenjës së fuqishme, në pyllin e lashtë të letërsisë, farën e fjalës hyjnore poetike, të asaj fjale që ngjiz dhe rrit dashurinë, që mjekon dhe shëron plagët e njerëzimit. Për të gjithë ata, që nuk e njohin nga afër, për të gjithë ata që duan që, Ai të bëjë hije si lis, por dhe për ata, që nuk e shkulën dot me rrënjë:në majë të Jezercës Alpine është ngjitur sot, në këtë dymbëdhjetë nëntor. Ai është atje në bregdetin jugor, ku ka qarë për herë të parë, kur erdhi në jetë. Atje ku agimi i ditës së re përtërin magjitë, ku dielli i artë, ul kokën, për të pirë ujë i etur, pasi Jonin e ka bërë gotë, me lëng portokalli. Në qytetin pritës, ku me hallet u burrërua, pa i dalë pushi i hollë i djalërisë në faqe, atje ku e nxinë me damkën biografike, me babanë të burgosur për një ëndërr.

Ai është atje në Sarandën bukuroshe, i përmalluar mes valëve thinjoshe, pranë jehonës së zërit të ëmbël të nënës, që s’i është tharë  loti i vuajtjeve në sy dhe me kryet lëshuar mbi supin e tij psherëtin: Ç’i ke gjithë ato fjalë që shkruan, more bir? Dhe ai, teksa hedh hapin lehtë, të kapërcejë pragun e vjetër, ku bleron bari i sapombirë, me harmonikën, si një gjinkallë ndër buzë, nxiton t’i përgjigjet nën zë pyetjes së paharruar të nënës: Fjalë për botën dhe për veten time shkruaj, moj nënë!... Në çast e mbyt malli për të dhe  dhimbja ia shtrëngon  gjoksin fort. Ndërmend i sillet ngjarja më e dhimbshme e jetës, kur nëna e tij, Ajo, shqiponjë e bregdetit të Jugut e kishte  ushqyer e vetme me sqepin e saj, atë dhe gjashtë zogjtë e shpirtit, deri sa atyre iu dolën krahët për fluturim. Lotët i shkojnë rreke, sa herë e kujton atë nënë të rrallë, jo se ishte nëna e tij, por e gjithë krahina nga Saranda në Konispol, thoshin se nuk ka zonjë tjetër trimëreshë si ajo.

Teksa fshin trishtuar lotin e përvëluar të mallit me mandilen e gjyshes kapedane, flladi vjeshtak i sjell më pranë jehonën e zërit të saj, si dikur në fëmijëri kur e thërriste “keç”. Ashtu përlotur hedh sytë nga lind dielli, kalon dorën mbi flokët e kreshpëruar dhe nga thellësitë e kraharorit i rrjedh zëri i dikurshëm rinor :Ja, ku jam për ty, Saranda ime,për librat ku përjetësova personazhe jetësor, për frymën kombëtare të artit përhapur ndër vite, për talentet, që përkund në djep vargjesh cilësor, ja,ku jam, t’u jap dhe frymën e fundit të rriten. Ja, ku jam, për të mjerët, që dal hapur t’i mbroj, ndonëse pa pasur asnjë fuqi arme e pa grushta, por me fjalën poetike, që godet shkakun, më fort se pushka. Ja ,ku jam, pa marrë nga shteti atë që meritoj, pa banesë të ngrohtë dimrit e në vapë pa freski. Ja, ku jam për ty, Shqipëria ime, që duar e mendje të kushtova, ja ku jam për Zotin, që nuk më lë të vdes. Se, Ai më ftoi të vij në këtë botë dhe të bëj detyrat që më shkroi në gen: Të kryej misionin njerëzor të plotë, duke vepruar dyfish me duar e me mend.

Prandaj, jam ende mes jush, të festoj dymbëdhjetë nëntorin e larë me vesë. Jehona e zërit të tij, qetësoi valët në breg. Anijet ngadalësuan lundrimin dhe hodhën spirancat në det. Pulëbardhat rrahën krahët  e fluturuan drejt  fshatit Fterrë. Si për çudinë e tij, u ulën mbi faqen e malit ku ishte skalitur emri i tij dhe nga krahët e lagur vesuan ujin e kripur të detit. Ai i vështroi për së largu me kërshëri dhe me buzëqeshjen që i rrezëllinte në cepin e buzës, krejt natyrshëm pëshpëriti nën zë vargjet:/Oh, ti më thua, si nuk të dhanë, të paktën një dekoratë,/ që gjysmë shekulli blove, mijëra ditënetë me mend!.../ Të them, nuk ka shpërblim më të madh sesa ky në art,/kur vetë njerëzit të bëjnë të pavdekshëm mbi shkëmb.../

 Të rinjtë e vendlindjes çmuan arin e penës sime,/pasi gërmova në disa galeri letrare thellësinë,/sfiduan dekoratën që fsheh një sirtar komodine, /dhe ma skalitën emrin, ku e shohin gjithë vitet që vijnë./ Po për mua, s’kanë rëndësi dekoratat,/ kur në jetë kam fituar titullin të lartë “Njeri”/.Teksa e shikoja të emocionuar përballë shkëmbit, ndjeva të më lëngëzoheshin sytë, ndoshta ngaqë dhe unë u ndjeva krenare për vlerësimin që i ka bërë atij, brezi i ri. Dhe pse është vjeshtë e tretë dhe gjethet e shkurreve kanë marrë një ngjyrim të kuqërremtë, atij iu duk, sikur toka nxirrte  avuj të vagëlluar dhe ajri ishte mbushur me këngëzime zogjsh e  tinguj të ëmbël pranvere.

Ashtu i qeshur si përherë, përkëdheli me sy majat e thepisura të malit ku lundronin qetësisht re të bardha vjeshte. Pastaj gjithë përmallim nxitoi të kundronte fshatin e lindjes, kodrinat e valëzuara e gjithçka tjetër përreth , u ul në rrëzë të shkëmbit dhe psherëtiu me dëlirësi: /Oh,këtu dua të vdes, në agimin e ri,/ duke puthur diellin në sy,/ me lotët ngjyer në vezullim,/ të ujit trëndafilat e varrit tim!.../Dhe një lot i kaltër, si kaltërsia e Jonit, i rrodhi përvëluar në faqe. Nuk pati kohë ta fshinte, por dhe nuk di pse i pëlqeu ta mbante në faqe ngrohtësinë e tij. Brofi në këmbë, si  të ishte  djalë i ri, njësoj si dikur, kur nuk e mbante vendi, për të eksploruar bukuritë e vendlindjes.-Oh,unë s’kam kohë të vdes ! Më presin vargjet e lëna përgjysëm përmbi tastierë, më pret dorëshkrimi i dikujt në sirtarin e blertë, më pret e dashura ime, që bëhet merak kur nuk shfaqem në derë. Oh,nuk kam kohë të vdes! Nuk kam kohë të vdes!...

Gërmëzoi fjalët e fundit me nxitim dhe me zjarrin e frymëzimit në shpirt hodhi sytë nga lëndina,ku e thërrisnin krahëhapur kujtimet e fëmijërisë. Një dridhërimë e lehtë, ia përqethi shtatin, sikur dikush t’ia kish lëvizur zemrën nga vendi:/Oh,vogëlushja Margaritë, ku je tani moj shpirt?.../Në ç’lëndinë, apo bregore vjeshte, baret tani vallë,/dikur ngazëlleheshe nga  puthitjet e buzëve fëminore,/kur të thosha “nuse” e si dhëndër të merrja përdore./Duke më risjellë atë fytyrën tënde plotë dritë…/Vogëlushja Margaritë, ku je tani moj shpirt ?.../Me vështrimin përhumbur nga lëndina, dëgjon heshtjen e gjelbër të brezareve me portokalle dhe zemra i çahet më dysh, si shega e pjekur në degë.Teksa zhapiu i gjelbër, çan dallgët e barit, frikësuar nga luhatjet e hapit dridhmëtar, flladi erëmirë i portokallit ia mbush gjoksin me jetë. E ndërsa buza e tij drithëron vargje heshtur, unë dëgjoj shushuritjen e freskët të lotit nën qerpikun e tretur:”/Ndonëse tani jam burrë, me disa dhjetëvjeçarë ,/kur vjen vjeshta e zverdhen portokallet në Jug,/më pushton trishtimi, për disa vjeshtra më parë,/kur nuk shijova dot, kokrra të arta, nga ai frut…/” Eh,kujtimet qenkan më të forta se ky burrë, godasin fort muret kockore të kokës, këndojnë si bilbilat në dru, s’jetojnë dot pa çuçuritur neuronet në tru. Dhe nëse, ai harron e ia mbyll dyert kujtimeve, ato i trokasin aq fort, sa kafka tronditet me drithërime. Shpirti i tij është kaq i butë e i brishtë, ashtu siç është vargu i tij lirik, kur i këndon dashurisë. Jo pa qëllim e kam cilësuar atë, poet i magjishëm me shprehësi hyjnore, të cilat i shpërfaq mrekullisht nëpërmjet metaforave të fuqishme, që në thelb mbartin një kumtim të rrallë filozofik.

Shkrimtari dhe poeti Vullnet Mato është një nga zërat më të fuqishëm letrarë të brezit të tij, por dhe një emër përfaqësues i letërsisë së re që shkruhet sot në Shqipëri dhe në mbarë botën shqiptare, një letërsi e çliruar nga paranojat dhe hijet e së kaluarës. Vullnet Mato ka në fokus të rrëfimeve të tij raportet e njeriut me të kaluarën.


Kush është Vullnet Mato


Mato është një shkrimtar, poet dhe kulturolog me një pasuri të madhe prurjesh estetike, tiutuj shkrimesh e librash, ese, reportazhe, polemika, poezi që vazhdojnë ta pasurojnë titujt dhe spektret e këndvështrimit poetik, shkurt një autor i mirënjohur i letrave shqipe. Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, iu dha titulli: “PERSONALITET I SHQUAR NË FUSHËN E LETËRSISË” dhe “NDERI I LABRISË. Bashkësia e shqiptarëve të Rumanisë i ka dhënë Diplomë Exelence, si poet i shquar shqiptar dhe botoi në 52 faqet e numrit të parë të revistës më të vjetër të diasporës shqiptare "Albanezul'' jetën dhe krijimtarinë e tij me ndikim të fuqishëm në letërsinë shqiptare dhe atë botërore. Galaktika Poetike Atunis, me qendër në Bruksel, i ka dhënë medaljen“Frang Bardhi”.Mato u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1970. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelevizionit shqiptar ku fitoi disa çmime për tekstet. Dy tregime të tij u botuan në frëngjisht. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e Librazhdit. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të këtij qyteti. Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë me redaktimin e librave të autorëve të ndryshëm. Romani i tij “Lakmia” U nderua me çmim në konkursin e Ndërmarrjes Botuese “Gjon Buzuku” të Kosovës. I janë përkthyer jashtë shtetit tregime dhe poezi të ndryshme. Disa nga romanet e tij janë tërhequr nga bibliotekat e mëdha të shteteve të huaja. Ka qenë kryeredaktor i gazetës periodike “Domosdova” dhe më pas kryeredaktor i revistës “Obelisk”. Aktualisht redakton libra të autorëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës. Është autor i 26-veprave letrare: vëllime poetike,tregime dhe romane.

Sikur rrezet diellore çudibërëse ,të shpirtit artistik të këtij shkrimtari,të kishte mundësi, t’i çlironte  shpirti i çdo krijuesi ,do kishte më shumë dritë kozmike për fotosintezën e pyllit të lashtë të letërsisë shqipe.


Konkluzion


Galaksia poetike e këtij diamanti të çmuar të letërsisë shqipe, është një nga formacionet yjore poetike, më të ndritshme, që kam njohur në rrugën time si krijuese, ndaj sot, në këtë përvjetor të lindjes, nga thellësitë e shpirtit i uroj: Edhe 112 nëntorë të tjerë festofsh pranë njerëzve më të dashur! Qofsh  përherë i ri në shpirt, që të na dhurosh emocione të fuqishme poetike, për të zbutur sado pak varfërinë, zymtësinë  dhe agresivitetin që mbizotëron anë kënd atdheut tonë të përvuajtur!.


38 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page