Të ndjej mes kraharorit,
zogu im, tuk- tuk- tuk!
çukitjen tënde të dashur,
në fole me pambuk...
Këndo, zog pareshtur,
kurdoherë tuk-tuk-tuk,
dërgomë gjak të pastër,
në qelizat e mia në trup!
Qëkur dole nga veza,
derisa vazhdon rritesh,
s’u lodhe, nëpër breza,
numëron sekonda vitesh.
Zogu im i shtrenjtë,
në disa dhjetëra vite,
më jep sekonda jete,
me këngën tënde ritmike.
Kënga jote e gjakut,
sfidon zogjtë e pyllit.
Në degë damarësh,
të kam zog të shpirtit.
Të kam zog të artë,
me disa qindra karat,
përmbi çdo thesar,
flori dhe diamant.
Thesari s’është asgjë
para teje, zogu im,
po nuk këndove ti,
çdo vlerë bëhet tym.
Mund të jem i varfër,
po kur këndon ti, o zog,
ndjehem bos e sheik,
miliarder në këtë botë...
Këndo, o zog pareshtur,
me ato tone të brishta,
lulëkuqe, për të çelur,
në trojet e mia të mishta!
Të kam violinë harku,
në orkestrën e trupit
soliste të parë të gjakut,
me dirigjentin e trurit.
Nga kafazi i kraharorit,
të heq glasat nevrike,
të ushqej me farëza,
gëzimesh poetike...
Ti ma lidhe jetën,
me një zogëz të re,
flatra m’i dhe gëzimit,
të ngjitet gjer në re.
Ndaj këndo, o zogu im,
me ëmbëlsi e dashuri,
të kënaqet zogëza ime,
me këngët që di ti!...
Por të lutem, zog i artë,
mos nxito të fluturosh,
në qiell, mos shko lartë,
të më lësh folenë bosh!...
コメント