top of page

Vullnet Mato   ZOGU GUSHKUQ



 

Një zonjë e bukur, në rrugicën time,

me shall mëndafshi të kuq në gushë,

me trup të imët, në timon makine,

ngjason njësoj, si një zog gushkuq.       

 

E shkathët, e hajthme, lozonjare,

ajo vrapon, porsi drenushë milore,

nxiton, sikur e ndjek egërsira tinëzare,

nëpër akset, me aksidente rrugore.

 

Kur e shoh, shkon e vjen me makinë,

si vullimi i erës së ngrohtë stinore,

s’di pse zemra, më shton aritminë,

me trokitjet e dikurshme të kohës rinore.

 

Ajo ka gjallëruar, krahët e mëparshëm,

të femrës së hershme, prej pule shtëpiake,

duke i kthyer, në pendë zogu fluturimtar,

me energji zogëzash të sotme, fluturake.

 

Syri kureshtar, shpesh tek ajo më qëndron,

dëshira më nxit, ta fokusoj përherë.

Më duket sikur, më ka mua në atë timon,

dhe më vërtit gjatë trafikut, ku bëhet erë.

 

Kur ndalet para meje, zogu gushkuq,

psherëtij atë çast, e them me vete:

Lum bashkëshorti i saj, ai trashaluq,

që ka në folenë e tij, këtë zogëz jete!…

 

 Natyrisht, s’pres nga ajo zogëz, kurrsesi,

të më zbulojë gushën, për ta puthur.

Por syri i çdo moshe, shkon si me magji,

kudo, ku zoti ka bërë krijim të bukur.

 

Se bukuria s’është veç, për atë që e ka,

por dukuri e përsosur, për sytë e tjerë.

Ashtu si natyra, çel të gjitha lulet për ta,

bëri këtë zog gushkuq, të rendi nëpër erë. 

13 views0 comments

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page