Vullnet Mato
Bëra vilën e përtej jetës, me mjegullat që mbesin,
nga Udha e Qumështit, në bisht të galaktikës sonë,
aty ku disa yje barinj, me shishe kometash, shesin,
qumështin e Arushës së Madhe, me këlyshë të vonë.
Katër jashtëtokësorë, me kokat si shtamba balte,
mjeshtër, të një kompanie ndërtimesh kozmike,
nga Mjegullnaja e Andromedës, sollën të gatshme,
muret mbushur me mjegull, në forma plastike.
Vila ime qiellore, stil venecian, ka shkallë harkore,
dritare transparente, të bëra prej heliumi të kaltër.
Ka kullë vrojtimi, me pasqyra refleksesh rrethore,
për të soditur anijet kozmike, që fluturojnë afër.
Kur vizitorët kozmonaut, kalojnë pranë me raketa,
më kanë dërguar në internet, urimet e tyre flesh.
Madje një kozmologe e re, për studimet e veta,
më kërkoi shtatzëni hapësire, në kushtet pa peshë.
Tradhtinë bashkëshortore, kundërshtova me frikë,
se do bëhesha nismëtar i prostitucionit hapësinor.
Gruaja do më shfrynte përditë: ”O kurvar kozmik,
më nxive fytyrën, te shoqet e planetëve qiellor!”
Nuk them, s’më pëlqente, një kopil ilegal, i tillë,
ngjizur në qiell, ku nuk perëndon dita e zbardhur,
mund të dilte me sy diellor, e me vezullime si yll,
të mbeteshin meshkujt kozmonaut, gojëhapur.
Por mendova të mos kem, fëmijë jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim, prej kësaj shtëpie,
siç u dhashë fëmijëve të Tokës, dhomat e banesës,
dhe hyra në bunker parafabrikat, lënë prej sime bije.
Këtu veç kredisë, paguaj dhe siguracione kozmike,
për ta ruajtur vilën nga rreziqet, vitet e ardhshëm.
Ndonëse gruaja mërzitet, e shpesh bëhet nevrike,
që s’kemi bërë në dhoma, mobilim të rehatshëm.
Hamë tërshërë, të derdhur prej kuajve asteroid,
të mos shtojmë peshë, që rëndon vilën mjegullnajore,
se mund të bjerë, kur përplasen fort dy meteoritë
dhe mbetemi pa strehim, si në tërmetet tokësore.
Kursejmë ujin, që vjen me raketa çisternë nga Toka,
e u ndahet qiellorëve, mjaft shtrenjtë e me racion.
Lahemi të fërkuar me shtypë, nga këmbët te koka,
megjithëse këtu nuk ka pluhur, se smogu mungon.
Ashtu si kozmonautët e stacionit planetar hapësinor,
urinën ditore, të distiluar në frigorifer, pimë dhe ne.
Sepse këtu, nuk ka asnjë ujësjellës, me matës ujor
dhe kemi shpëtuar, nga pagesat e faturave aforfe.
Energjinë elektrike, na fal dielli, me bujari të pasosur,
në panelat e vendosur, mbi krejt mbulesën e çatisë.
Kemi shpëtuar nga rreziku tokësor, për t’u burgosur,
për ndonjë vjedhje nga fqinjët, në telat e energjisë.
Jam i vendosur plotësisht, të mbijetoj dhe në qiell,
me qindarkat, nga shitja online e lirikës së shkruar,
për të paguar kredinë ndërtimore, nga goja kursyer,
por shpresoj, telebingoja e Ufove, të më bjerë mua...
Nëse më sekuestrojnë vilën, kam shanse qiellore,
se për shpirtrat, ka planetë të bollshëm, për banim.
Ajnshtajni ka thënë, kozmosi ta bën moshën rinore
dhe do kem energji të reja, të filloj tjetër ndërtim.
Ose do pres, të fillojë komunikacioni ndërplanetar,
të ngrihen pallate në tokën e kuqe, të planetit Mars,
të marr një hyrje, me komshinjtë e ardhurit shqiptarë,
të gërmojmë për flori, se thuhet, aty mbushen thasë.
Ne raca shqiptare, trashëgojmë në gene, poligami,
duam shumë fëmijë dhe shumë gra, për t’u çiftuar.
Në nxehtësinë marsiane, me femra etur për dashuri,
Marsit do ia shtojmë shpejt, popullimin e munguar!...
Comments