Veshët ndjehen organi i rrezikuar i njeriut
dhe mallkojnë qenien e tyre, thuajse pa fat,
që s’janë si goja, si sytë, të mbrojtur vetiu,
krijuar nga zanafilla, të mbyllen me kapak.
Megjithatë, veshët kanë shansin e parë organik,
të kapin fjalët, me tone të ëmbla, dashurie,
t’i çojnë sinjale trurit, që receptorët erotik,
të magjepsin ndjenjat, me emocione lumturie.
Kur ai/ajo thotë: O shpirti im, sa fort të dua!
veshët bëhe fije peri, në përgjim të pëshpërimës,
ta shpien te zemra, me gjëmim të shumëfishuar,
siç bëjnë veshët e maleve, me jehonat e oshtimës.
Sidomos kur dashuria rënkon, me ofshama kënaqësie,
veshët dehen në ekstazën e frymëmarrjes së rëndë,
njësoj sikur thithin me ëndje, notat e një melodie,
me valë drithëruese, nga më e këndshmja këngë...
Pastaj, teksa buçasin dy zanoret e para të foshnjës,
kur pas nëntë muajsh natë, agon nga barku i nënës,
veshët tendosen, si dy krahët zgjatur të shqiponjës,
që presin një top drite, rënë nga vezullimi i hënës.
Por fatkeqësinë e qenies së tyre, fare pa kapak,
veshët e ndjejnë, kur gojëfëlliquri lëshon breshëri,
fjalorin e tij vulgar, me banalitetin shëmtarak,
dhe nuk mbyllen dot automatikisht, kurrsesi.
Këto raste, sytë ulin qepenat, mbyllin pamjen përqark,
goja kyç derën, mos dalin fjalë të rrezikshme gjëkundi.
Veshët detyrohen, të lejojnë tërë dialogun e sherrit,
të depërtojë përmes tyre, nga fillimi, deri te fundi.
Vrasesi ikën i egërsuar, veshët stepen të tmerruar,
nga krisma përmbyllëse e gjakderdhjes së plumbit...
Ah, sikur të kishin dhe veshët kapakë, për t’u mbuluar,
të shmangnin provokimit fatal, në hyrjen e trurit!...
Commentaires