top of page

Vullnet Mato: SHPIRTI SHQIPTAR


Vullnet Mato

 

SHPIRTI SHQIPTAR

 

Shpirti shqiptar, lind me zgjuarsinë natyrale,

trashëguar në shekuj, nga lartësi majëmalesh.

Shpirti shqiptar ngjason, me shqipet e vendit,

ku ky vend i lashtë, i jep fluturimin e emrit.

 

Ndaj shpirti shqiptar lind me krahë fluturues,

për të qenë në të gjithë botën banues.

Ky shpirt ka brenda, frymën e erërave malore

për të rendur anembanë, brigjeve botërore.

 

Ky shpirt i veçantë, lë emrin në kujtesën e paharruar

të çdo kontinenti të largët, ku shkon për të emigruar.

Por mendjen dhe mallin, për vendlindjen shqiptare,

e ka të fiksuar, veç te shkëmbinjtë e trojeve amtare.

 

Në tabelat e shumta të historisë së madhe botërore,

lanë emra përjetësie, bijtë e shquar të trojeve arbërore:

Arkitekt Sinani, Kasemi, Karl Gega, Hoxhë Tasini, Samiu,

më pas të tjerë: Noli, Konica, Koliqi, Aleksandër Moisiu...

 

Regjimi i kuq u mundua, t’i mbyllte në tela me gjemba,

por arratisjet mbushën burgjet dhe internimet brenda.

Zemërimi shpërtheu fuqishëm, me lirinë e demokracisë,

duke bërë të ikin nëpër botë, shqipot e rinj të djalërisë.

 

Sot shpirti shqiptar shquhet kudo, Turqia në filma seriale,

ka në role kryesore, yjet e shquar të origjinës shqiptare.

Shqipëria mbetet kurdoherë foleja, nga zogjtë shtegtojnë,

tufat e zogjve, janë ato miliona, që atdheut i mungojnë.

 

Ndonëse ky vend është me kushte të rralla klimatike,

caktuar e bekuar nga Zoti, në pozicione gjeostrategjike,

shpirti shqiptar nuk ndjehet i qetë brenda kufijve të vet,

ndaj rend të bredhë i lirë, nga kontinenti, në kontinent.

 

Shqipot që kthen, sjellin përvojën e përparuar të djersës,

për t’i dhënë vendlindjes zhvillimin, me erën e shpresës.

Kjo duket te ndryshimi i këtij vendi, si asnjëherë më parë,

në qytete, rrugë, turizëm, në botëkuptimin e ri, të pa parë.

 

Pra, del se shpirti shqiptar, ka një shenjtëri të përjetshme,

që asnjë fuqi mendore e përbotshme, sado e zellshme,

nuk ka mundësi ta shpjegojë e kuptojë, deri në thellësi,

misterin enigmatik të lëvizjes së tij, në hapësira pa kufi...

12 views0 comments

תגובות


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page