Dëshira për të parë veten,
në xhamin e pasqyrës,
lindi qëkur pellgu ujor,
i tregoi njeriut të lashtë,
se në dimensionet e trupit
dhe formën e fytyrës,
kishte ndryshime,
me njerëzit e egër përqark.
Pasqyra evropiane,
zbuti indianët e Amerikës,
genjeu indigjenët e Guinesë,
si dhuratë e paparë.
Ata i qeshën vetes,
pa menduar tmerrin e frikës,
që do u sillte më pas,
baruti i njeriut të bardhë.
Më vonë Pitagora i Samosit,
me pasqyra konkave,
mblodhi diellin gjigant,
sa një grusht përvëlues,
duke fiksuar zjarrin qiellor,
me energji kolosale,
shkrumboi anijet,
me gjithë ushtarët pushtues.
Pasqyrat me refleks amalgami,
të çdo formati,
u bënë më pas,
më i nevojshëm send vetjak
për të mbajtur në kontroll,
çrregullimet e shtatit
dhe paraqitjen e fytyrës,
për sytë e tjerë perqark.
Përpara pasqyrave,
dalin të përmirësojnë dukjen,
vajzat që zbukurohen,
të joshin djemtë e dashur,
nuset, që gjatë natës,
çngjyrosen nga puthjet,
plakat, që mbulojnë
zhubrat e moshës së zbardhur;
Pa pasqyra, shoferët,
do mbanin kokën përjashta,
të kontrollonin lëvizjet e mjetit,
gjatë çdo manovre.
Sikur amalgami të fiksonte
gabimet e mbrapshta,
pasqyrat në aksidente,
do ishin dëshmi prove.
Pasqyrat reflektojnë,
tërë bukurinë e njerëzimit
dhe gjithë shëmtirat,
që krijon natyra, në nxitime.
Por, po të kishin gojë,
të dëshmonin mashtrimet,
s’do kish mbetur pasqyrë,
pa u bërë copë e thërrime!...
Comments