top of page

Vullnet Mato: O ZËRA TË RINJ, TË TOKËS SË LASHTË!



 

O zëra të rinj të kësaj toke, me gërxhe të thepisur,

nga llava vullkanike ngurtësuar, ujërave gadishullore!

Pjella zanash, me ofshama mortore, gjoksin stolisur,

dhe kreshnikësh kordhëtar, të eposeve shekullore!

 

O filiza lisash, të shpateve e gurrave me jehonë,

ku gurgullojnë përrenj gjaku, nga burimet e etnive,

ku etërit zbrazën, nga damarët në embrion,

zemërimin e vetëtimave, për gurët e kufijve!

 

O krijesa të shkëmbinjve, me kollitjen e barutit,

nën diellin e agimeve, përmbi kreshtat epike,

ku sytë e akulluar, nëpër shënjestrat e Kanunit,

kullonin në det, rrëke lotësh, breznive tragjike!...

 

O qeleshebardhë të sertë, mikpritës të bujarisë,

vrastar për një pëllëmbë arë, në shkrepa e zallishte,

ndarë në rrëkera brazdash, bjeshkëve të malësisë,

që nga rapsoditë e lashta, të legjendave kreshnike!...

 

O krisma të kalibrura, për të arritur gjer në Lindje,

ku thërrisnin grindjet e përjetshme të profetëve,

që veshët i mbajtët, nga Perëndimi i mrekullive,

ku përparonin mendjet e ndritura, të arkitektëve;

 

O frymë të reja, me guximin ngjeshur në kraharor,

për t’u turrur kudo, nëpër hapësira kontinentesh,

duke kaluar meridianët, si brazda shpatesh malor,

për të arritur hapat e penguar, gjatë dekada vjetësh;

 

O shqipo fluturimtarë, me shtatë zemra te gjoksi,

që fijen kuqezi, mbani lidhur te këmba, në fluturime,

dhe cepin tjetër të përmalluar, kur e tendosni,

lidhur fort e keni, në damarët e zemrës sime;

 

O zëra të rinj, të kësaj tokës sonë të lashtë,

kudo ku jeni shpërndarë, për bukën e djersës,

mblidhuni, të ngremë vatanin, të gjithë bashkë,

në trungun madhështor, të ëndrrave e shpresës!

 

Të lidhim shtrirjen e këputur, të trojeve arbërorë,

në gjenealogjinë e gjakut tonë, të përbashkët,

për të penguar shpërbërjen e blerimit njerëzor

dhe ardhacakët me ngjyrë, nomadët e jashtëm!...

17 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page