Kam ardhur në Sarandën e dyzet shenjtorëve,
ku nëna ime, është shenjtore, mbi çdo shenjtëri.
Rrugët hungurojnë, nga gërhitjet e motorëve,
që u kërkojnë parkim ngushticave, me vetura mizëri.
Nëpër hotele, pelikanët turistikë, me pupla laramanë,
rreken të regjistrojnë shtratërit e gjumit të netëve.
“Syri i Kaltër” vjen si lumë, të flejë në detin aty pranë,
bashkë me shumëkatëshet kroçere, të përtejdeteve.
Vetmia që më lanë në shpirt, vëllezërit e mi të fikur,
më ndjek në çdo hap, të shkallareve gjysmë hënore.
Ishin katër emra mjeshtëror, ata katër yje të ndritur,
nga të cilët më ndau në dekada, diktatura klasore.
Këtu fusha magnetike e diellit, me valët e ujit të vakët,
përpëlit mijëra frymorë, në rrezatimin e këtij ambienti,
sikur korriku, ka thirrur të lajë në det, tërë viset e largët,
që u peshojnë në sy, lartësitë malore nga krejt kontinenti.
Pasi Eda e Musolinit s’e gëzoi Onhezmin e lashtë,
kjo perlë jugore, është bërë tashmë, një copë parajsë.
Çokollata hijeshon fytyrat, nga Limioni në Gjashtë,
ku furça e diellit, bën makiazh, te çdo djalë e çdo vajzë.
Muzgu çel trëndafila vigan, në horizont të kuqërremë.
Shëtitorja thith aromën mbremësore, me lule parfumuar.
Kujtoj kohën e kaluar, kur të kapurit në arratisje, disa djem,
shëtiteshin lidhur, me motobarkë, pranë shëtitores së tmerruar.
Tani, andej nga donin të shkonin, vijnë turistë botërorë,
me gjallerinë paqësore, që sjellin në çdo korrik e gusht
dhe u bëjnë djemve të vrarë, homazh me trendafilë diellorë,
teksa nëpër lokalet luksoze, derdhin valutat me grusht.
Tingujt e zërit tim të vetmuar, më shpien te varri i nënës,
për ku jam nisur e vij përherë, në çdo verë, posaçërisht,
t’i falem shenjtores sime, deri vonë në dritën e hënës.
Të kthehem në Tiranë, për gjithë vitin, i lehtësuar shpitërisht.
Comentarios