top of page

Vullnet Mato: LIRIKU I MADH MYZEQAR, I TOKËS DHE I NJERËZVE



Të shpalosësh vlerat e të gjitha botimeve të lirikut të madh të Myzeqesë, poetit të shquar Hamit Greca, duhet të shtrosh një qilim të madh në mes të fushës së blertë myzeqare, për të cilën ai ka derdhur në vargje gjakun e zemrës. Dhe aty të mbledhësh të ulen këmbëkryq të gjithë të gjallët, bashkë me shpirtrat e të vdekurve, për të cilët, i ka kënduar zemra, këtij artisti, me talent poetik të rrallë. 

Toka dhe njerëzit, është binomi i vetëm, ku ai ka ngulur vështrimin poetik dhe ka drejtuar ritmin e zemrës, për të krijuar tingujt dhe ritmet e ngrohta të shpirtit të tij bujar, me ndjesitë dhe pasionin e një dashurie njerëzore me fuqi të pazakonshme: “Erë Darsie, dheu mban,/E më fut thellë në mendime./Ndihem mirë, që pranë tij jam,/ Ku ndjej aromën e tokës sime.”

Në veprat e tij, ai ka ngritur lapidarë të fjalës për nënat dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes: “Kulaç për nënën, nuk tepronte.../Kjo është dhimbja ime e pathënë./Shpirti i saj veç gulçonte,/Thoshte, hani ju, se unë kam ngrënë.”

Ka ngritur lapidarë të fjalës, për zakonet dhe traditat e shkëlqyera të zonës së Darsisë: “Sipas zakonit, në këmbë iu ngrite,/Zonjës nderuar, me peshë të rendë,/Kur në emër, ti i thërrite,/Zogjtë e pyllit e pritën me këngë.”

Ka ngritur gjithashtu edhe memorial përjetësie, për pavdekësinë e njerëzve të mirë dhe të 27 heronjve të vrarë nga çetnikët serbë në fshatin Gjyzaj të asaj zone. “Bokën e Bardhë mbollën me varre,/Ata çetnikë, ata serbë çnjerëzor.../ Mbi eshtra, iu ndezën zjarre,/ Vetëm se mbrojtën pragun shekullor./ Njëqind vjet ngelën kufoma,/Që i martirizoi ajo natë. /Bajonetat në qafa të njoma,/Njëqind vjet mbetën lëngatë.”

                Esenini i Myzeqesë së blertë, Hamit Greca, të emocionon ndjeshëm me lirizmin e tetërrokshit të tij drithërues, ACBD, ku ndjehet aroma e tokës myzeqare, fëshfërima e barit pranveror, flladi i ngrohtë i erës fushore, ligjërimet e bilbilave të ëmbël të Darsisë, zukatjet e gjinkallave të vapës nëpër drurë dhe aroma e bukës së djersitur, që kanë nxjerrë nënat duararta nga saçi: “Unë e dua zërin tënd,/Ai zë, më rrëqeth,/Brenda meje ka zënë vend,/Bashkë me zemrën, loz e bredh...”

Poeti shkrihet bashkë me frymëmarrjen e natyrës myzeqare: “Kur syrin ma fshin një kulpër,/Unë bëhem më gazmor,/Te veshi më përshëndet një flutur:/Mirë se erdhe, o kodrinor!”

Përshkrimi me plot dashuri i natyrës fshatare është nja nga cilësitë kryesore të vargut të tij: “Eh,moj Shkujkë që s’ke çmim,/Tek ti të deh kënga e bilbilit. /Ende pi ujë, në atë burim,/Që buron nga rrënjët e blirit./Sa herë kur unë vij tek ti,/ Problemin e kam në ikje./Sa të lë ty, o bukuri,/Zemra më ndërron trokitje...”

Darsia, krahina e tij e dashur, është një nga habitatet fshatare, që përbën kryefjalën në vargje e librave të tij: “Pamja jote shpesh më shfaqet/si një lule në sytë e mi…/Loti rrjedh e më puth faqet,/veç për ty, o moj Darsi!.../ Kodrat e tua shtruar si petët,/Dhe ugari që mban vlagë,/Lulet mbuluar nga bletët,/Më shërojnë mua çdo plagë.”                Qashtërsia dhe spontaniteti, të shoqëruar me një lirizëm të hollë dhe figuracion të ngjeshur, me epitete te shumta e të befasishme, janë tiparet më të qenësishme të artit poetik të poetit Hamit Greca:Mbi këta drurë dielli ndalej,/Hëna vinte edhe falej,/Bilbilat aty banonin,/Gjatë gjithë natës ligjëronin. /Ishin katedralet e Darsisë, Ishin vendi i kurorës,/ Ishin shtrati i bukurisë, Dukej deti në pëllëmbë të dorës.”

                Poeti Hamit Greca, ka në natyrën e lirizmit të tij, detajin jetësor dhe atë natyror, për të përcaktuar qartë kohën dhe hapësirën:  “Në lagunë, kur dita çel,/Syri s’e gjen dot një fund./Pelikani kaçurrel, /Fluturon e bishtin tund./Në çdo cep zhurmon laguna,/Peshkatarët nëpër kënetë,/Të gjithë rendin për te puna,/Zogjtë kujdesen për foletë.”

                Duke lexuar këtë libër voluminoz, bindesh se ke të bësh, pikërisht me një Esenin shqiptar, të shfaqur vonë në lirikën e mirëfilltë bashkëkohore, që sjell në dritë risinë e tij origjinale: Thonë tek ti banonin zotat,/Nëpër lisa flinin zanat,/ Bashkë me zotat dhe darsiotët,/Këngë ninullash këndonin nënat.”

                Veç temave te tjera, këtu bie në sy dhe degradimi e shkatërrimi ekonomik i bujkut myzeqar, nga dje te parmenda, deri sot te emigrimi i tij: Njëqind vjet me mëngë të shqyer/Dhe pse flije përmbi ar,/Të kanë thithur, të kanë gërryer,/Dhe sërish je hyzmeqar./... Qetë në rrugë t’i la zetori,/Ndaj i çove në thertore,/Po më thellë t’u ngul plori,/Me këmbë rrugët e botës more.”

                Pa e zgjatur me tej, për të lënë lexuesin të thotë fjalën e vet, pas leximit të këtij krijuesi fjalëmbël, duke i uruar prej meje, mbarësi të mëtejshme në penën e tij të artë. 

 


32 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page