top of page

Vullnet Mato: KU JE TANI, MOJ SHPIRT?...


x

KU JE TANI, MOJ SHPIRT?...


O Vogëlushja Margaritë,

ku je tani, moj shpirt,

kur unë jam nisur

për në horizontin e muzgut?...

Kujtesa më vizatoi

profilin tënd të trëndafiltë,

me përqafimet e ngrohta

në fushëtirën e Jugut.


Më magjepse vegjëlinë,

me atë shpirt të dëlirtë,

kur ngazëlleheshe

nga puthitjet e buzëve fëmijërore.

Gëzoheshe

si kanarinë me sqep të florinjtë,

kur të thosha “nuse”

dhe si dhëndër të merrja përdore.


Në ç'lëndinë, apo bregore vjeshte,

shëtit tani vallë,

kur ndoshta ke rreth vetes

një tufë pëllumba jete?...

Bashkëjeton me lumturinë,

apo ke trishtimin përballë,

se te rrëmbyen dallgët e emigrimit

diku nëpër dete?


Mbase ma ke parë fytyrën,

nëpër humnerat e gjumit,

apo ke shkelur livadhin e kujtesës

me barin jeshil,

ku shtriheshim përqafuar,

si çift pëllumbash pranë lumit,

të mbuluar së bashku

me kurora ylberi në prill...


Emrin tënd e kam shkruar,

në një çarçaf prej ere,

të vërtitet përherë

nëpër qiejt me vrundullime,

që të mbaj zgjuar nostalgjinë

për atë moshë pranvere,

dhe të kthehet sërish

të fëshfërijë në dritaren time,

për të më risjellë

atë fytyrën tënde plot dritë...

O vogëlushja Margaritë,

ku je tani, moj shpirt?...

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page