top of page

Vullnet Mato: KAM DËSHIRË TË IKI NGA E SOTMJA...


Vullnet Mato

KAM DËSHIRË TË IKI NGA E SOTMJA...

Kam dëshirë, të iki nga sotmja jetë,

të ringjallem, kur të kalojnë qindra vjet,

nga ngrirja, në procesin kriotermik,

të zgjohem nga gjumi i gjatë letargjik;


kur shkenca me shpikjen e avancuar,

kodin gjenetik njerëzor të ketë korrigjuar,

Kur të lind njeriu i karakterit, pa të meta,

pa shpirtligj, nga të cilët, ndotet jeta;


pa mbetur shpesh i pafjetur nga nata,

me trurin plot cuname e shtrëngata,

pa mashtrimet, gjer në moshën e vonë,

me të tjera bëjnë dhe të tjera thonë;


Kur mos flitet më tepër nga sa mban veshi,

kur s’kanë ç’të thonë, njerëzit të heshtin,

të matet secili, me hijen e vërtetë,

Jo me atë që tregon dielli në mëngjes.


Të mos vdes, nga lindja para kohe në kaos,

teksa sot tërë energjitë, s’mund t’i shpalos,

Se shumë prirje, mendime, shkojnë kot,

nga përqendrimi i njeriut te politika sot,


Te ndarjet, në bindje e besime fetare,

në dy krahët e një lufte mijëravjeçare

dhe duhet të harxhoj frymë më tepër,

kur me të, mund të shkruhet një vepër.


Të zgjohem, kur pastrohet jeta shqiptare,

nga plehrat që nxitin braktisjen kombëtare,

mos shkulen filizat e mbillen jashtë shtetit,

duke lënë trojet e rralla, të diellit e detit,


pa lënë klimën e begatë, të kësaj ane,

për emigrantët e luftërave Azitiko-Afrikane.

Ta gëzojnë këtë vend, që ushqen kontinente

dhe sot s’mund të ushqehet dot as për vete.


Të zgjohem, kur kolltukofagët e krerëve,

të mos pinë gjakun e djersën e të tjerëve,

kur premtimet mos mblidhen në Bradashesh

Tymin metalurgjik, ta tjerrin për lesh...


Atëherë ta përvesh trurin, krejt të lirë,

të bëj shumë punë, me cilësi më të mirë.

Talentin ta shijojnë, tërë shtresat miqësore,

Artdashësit, që kanë interesa shpirtërore.


Të kënaqem shpirtërisht edhe unë vet,

kur të jem rikthyer sërish, në një tjetër jetë...


16 views1 comment

1 Comment


Guest
Aug 22

As sa bukur e ke shkruar, more Vullnet xhani!

Po krerëve u është shurdhuar veshi, u është çarë timpani.

Sefulla Kata

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page