top of page

Vullnet Mato: FSHATI NË MALËSINË JUGORE



 


 

Është një fshat

në malësinë jugore,

ku nuk kam lindur,

as jetuar ndonjëherë.

Por vendbanim që më dha

prejardhjen fisnore.

Me emrin enigmatik, “Fterrë”

 

Aty nga shkëmbinjtë vullkanik,

vite më parë,

kanë dalë disa mendje të mëdha:

doktorë, profesorë,

magjistratë juridik,

aktorë me role kryesore,

në kinema.

 

Aty halla ime,

tha me arkivolin në prag,

se gjakun e dy djemve,

të luftës partizane,  

ia fali lirisë,

me “rrënjët në gjak”.

Dhe në analet e luftës

mbeti nënë spartane.

 

Pasi ndalën veprat

e komandantit diktator,

me emrin shkruar në male,

të rinjtë më gdhendën emrin,

në granitin shkëmbor,

si diktator i poemës lirike,

“Fterra nënëmadhe”.  

 

Duke përjashtuar veten,

nga çdo modesti,

mendoj, se edhe pasi

të shuhem në jetë,

shpirtin do ta kem,

bashkë me emrin, aty,

në shkëmbin jetëgjatë,

për miliona vjet...

 

Tani në fshatin, ku dolën,  

qindra mendimtarë të shquar,

mbetën toponimet: “Kalaja”,

“Varri i një Çifuti” lashtësie

dhe disa pleq  prometej,

me shpirtin te shkëmbinjtë,

që presin ringjalljen e rrugës,

për klimën me frymë perëndie.



12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page