Vullnet Mato
LUGA LEGJENDARE
Qëkur kam ngjitur moshën për armë,
deri tani vonë, kur jetës po i zbres,
isha dhe mbeta përjetësisht ushtar,
me lugën time legjendare, në brez.
Gjella ime ka qenë, i hershmi gatim:
fasule, bollgur dhe qull kaçamak,
për ritmin e daulles së plëndësit tim,
në çdo hap të rreshtimit ushtarak.
Kapërceva përrenj, male dhe fusha,
nga Ballkani në Qabe e tutje në Azi,
këmbësor i përjetshëm nëpër luftëra,
në gavetën bosh, luga tundej me uri.
Vdekja më ndiqte këmba - këmbës,
qefini i reve, më vinte prapa çdo ditë.
Te luga, më pikonte meraku i nënës,
lotët e saj më zbutnin kotheren në fyt.
Kur në beteja, misërnikja më skuqej,
nga gjaku i të therurve, si dele bariu,
Lugën ime, binte erë bajgë mushke
dhe më duhej ta laja, në pellgje shiu.
Si luftëtar garde, i Batos së lashtë,
pas çdo beteje, të fituar me gjak,
lugën e kam ngjeshur thellë në trastë,
por asnjëherë, nuk u ngjesha në bark.
Roje trim, i Pirros pellazgjik të Epirit,
përpara goditjes në kokë, me tullë,
lugën nxirrja nga torba ime prej liri,
një herë në ditë, për gavetën me qull.
Si adjutant, i Aleksandrit të Madh,
kryshpatarit në krejt Maqedoninë,
lëpija vetëm kockat, tepruar në darkë,
kur kopileshat lakuriq, hiqnin sininë.
Teuta iliriane, më mbante pas kalit,
korrier sekret për pergamene dashurie,
por lugën ma linte, në pikë të hallit,
ta nxirrja, kur më shihte në gjendje vilanie.
Skënderbeu, më kish mprehës shpate,
pas kthimit, nga lufta në kështjellë,
urdhëronte sejmenët, pas mesnate,
të më mbushnin, gavetën me gjellë.
Mbreti Zog, nga Burgajeti i Matit,
më pati xhandar, të pallatit në Sauk.
Ditë e natë, me dyfekun pas shtatit,
më jepte veç makarona Italie, me lugë.
Përkrah Mehmetit, në Brigadën e Parë
marshova nga Jugu, gjer në Çermenikë.
Por aty, Shtabi rrugën kishte marrë,
lugës i mbeti, gjak dhie tharë në thikë.
Enveri gjëmëmadh, për gjysmë shekull,
më mbajti vigjilent, në derën e Bllokut.
Lugës m’i vuri triskën, për të mos vdekur,
derisa të bëheshin gjithë bunkerët rrotull...
Kur gjithë kalasë Lindore, i mbeti hiri,
Sala më nxori në ballë, të protestimit,
duke më premtuar, lugë të re floriri,
në tenxheren “plot” të Perëndimit...
Por atë kohë, lugën time legjendare,
ma nxorën në një pension, fare skandal.
Dhe më pas të gjitha qeveritë shqiptare,
lugën në brez ma lanë, deri në funeral...
Vullnet Mato
ATDHEUN TIM, NUK E NDËRROJ KURRË!
Këtu kam qiellin tim, trojet shqiptare,
kam malet e mi dhe brigjet atdhetare.
Kam lumenj të kthjellët, ujin që buron,
diellin tim, qëkur lind, derisa perëndon.
Kudo ku zbres, apo ngjitem diku lartë,
gjuha ime shqipe, më shijon si mjaltë.
Këtu të gjithë njerëzve, u flas me emra,
përqafoj të afërmit dhe kë më do zemra.
Këtu, gjithë toka bleron e deti kaltëron,
kjo mrekulli natyrore, të huajt befason.
Këtu burrat janë kaproj, gratë sorkadhe,
vajzat janë ikona, të bukurisë shqiptare.
Dasmat kemi festa, ku brezat trashëgohen,
me këngët e vallet tona, shpirtrat drithërohen.
Fëmijët mbijnë si lulet, në pragjet shtëpiake,
të gazmojnë shpirtrat e moshave, që plaken.
Këtu hapësirat, kanë kthjelltësinë qelibar,
marr fuqinë e jetës, nga oksigjeni shqiptar.
Këtu më shijon buka edhe me pak djathë,
ky Atdhe i vogël, për mua është i madh.
Këtu dua të përjetësoj, djalin tim e vajzën,
këtë Atdhe, nuk e ndërroj, as me parajsën.
Si mund të iki, të braktis atdheun e tokën,
kur kjo Shqipëri e bukur, më ka bërë kokën?...
Gjyshja, nëna, babai, që prehen nën mermer,
tufën me trëndafilat e mi, presin kurdoherë.
Më kanë dhënë bekimin, e thonë: “mos ik!
le të thonë të ikurit, eja në Greqi e Amerikë!”
Dhe kur të shuhem, veç këtu dua të vdes,
mes njerëzve të mi, të prehem në varrezë,
siç jetuam këtu, me dashuri të përbashkët,
të na kujtojnë me lule, brezat e ardhshëm.
Ne shqiptaret na krijuan këtu, fuqitë hyjnore,
të qëndrojmë kolona, të lartësive tona malore.
Ndaj atdheun e shtrenjtë, nuk e ndërroj kurrë!
Betimin im është shkruar, në çdo shkëmb e gur!
Comentários