top of page

Vullnet Mato: “DOMOSDOVË, MOJ, AMAN, AMAN!”



 

 

Era e liqenit shtynte

në perëndim

kuajt nga Anadolli

dhe devetë karvan...

 

Te Qafa,

pashai peshoi mbi yzengjitë:

“Domosdovë, moj, aman, aman !

 

Eh, ç’ma ke mbushur

zemrën me maraz,

moj bukuroshe e egër

e ëndrrave të mia!

 

Por këtë herë pa derman

do të shtie në kafaz,

të gëzojë Stambolli

dhe gjithë Rumelia ! “

 

Turmat lamashe

turreshin e thërrisnin:

“Ohej, Ohej,

Arbëri malegjelbër !”

 

Dhe xhufkat e kokës

mbi kurmet lakuriq,

u tundeshin mes pluhurit

e djersës së qelbur.

 

Asqerët  xixëllonin sytë

mbi fushën e stolisur,

ku gratë si mjellma

notonin nëpër ara,

dhe klithnin

me epshin e tyre të uritur:

“Ohej, arbërore,

moj fustanbardha!”

 

Po kur tatëpjetë Qafthanës

lëshoheshin në fushë

me patkonjtë

venduza mbi kurriz të dheut,

përballë -

këto pamje i ndante më dysh,

vetëtima e shpatës së Skënderbeut...

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page