Vullnet Mato
DITË TË PËRVËLUARA VERE
Tani të gjithë shirat kanë vdekur
e janë varrosur,
nëpër humnerat e nëntokës,
mes shkëmbinjve të rëndë.
Në horizonte digjet lëkura e dheut
nga nxehtësia e alivanosur,
nëpër pemë përcëllohen gjinkallat
shkrumbuar në këngë.
Retë kanë shkuar të krehin krelat,
me krehër vetëtimash në ishujt Malvine,
se këtu flokët e dendur ua shkurton
gërshëra e skuqur e diellit,
teksa era bën tualet diku larg,
në sallonin e padukshëm të stinëve
dhe ylberet kanë palosur
të gjithë shallet në raftet e qiellit.
Trëndafilat në kopësht i poqi vapa
me grahmat përvëluse.
Në këtë thatësirë edhe zërat e zogjve
kanë mbetur të mekur nëpër fusha.
Ne kemi mbetur
në bunkerët e dhomave,
ku na ka mbyllur nxehtësia pa oxhaqe.
Oj, zemra ime, e mban mend prillin,
kur puthjet të çelnin te gusha
tufa me manushaqe?...
Tani ti nuk vjen dot më,
si dikur të bëjmë dashuri...
Lëkura jote e mëndafshtë vyshket
nga kripa djerse nëpër vapë.
Duhen valët kaltëroshe të plazheve,
me të vetmen freski,
Por nuk mund përballohet vera,
pa miliona në bankomat...
Ah, vera e zjarrtë,
mori dhe gjelbërimin nëpër barishte!
Uh, plasëm mes mureve prej betoni,
për pak ledhatime ere në natyrë,
mes gjetheve shushuritëse,
ku ty të merrja kalikiç,
si thesar floriri, përmbi shpinë...
Comments