Do të dua ty,
gjer në përjetësi,
siç do dielli yjet,
që vërtiten rreth tij.
Do të dua,
pa tjetër të dytë,
sa zemra të rrahë
e syri të ketë dritë.
Do të dua,
si do lulet pranvera,
kur toka ngrohet
e blerojnë dherat.
Do të dua tërë jetën,
pa asnjë kufi,
do të dua ty në botë,
dhe vetëm ty!
Do të dua buzët,
horizonte të përflakur,
që më ngrohin shpirtin
dhe në dimrin e akullt.
Do të dua nga flokët,
tek maja e thoit,
buzagazin që të ngjyros,
si pendët e palloit.
Nga ty s’më ndan,
asgjë e kësaj natyre,
as bubullimat,
as shirat e rrëmbyer.
Nuk më ndan
as vdekja mizore,
se vdekja e mëshiron,
dashurinë tonë hyjnore...
Comentários