top of page

Vullnet Mato: BANORËT E TIRANËS



 

Tiranasit e vërtetë, banorët autoktonë,

janë ata që kryeqytetit i thonë “Tironë”;

që kanë mureve, fotot e stërgjyshërve,

me çallmat e hoxhallarëve e dervishëve;

 

Me qeleshet e hershme të samarxhinjve,

të bakërpunuesve, të teneqexhinjve,

të jorganpunuesve, të argjendarëve

të leshpunuesve dhe të opingarëve;

 

Ata me këngë ahengxhinjsh të vendit,

që u binin dikur telave të karadyzenit,

Burrat e zamanit me brekushe të bardha,

me brez të leshtë, jelekë e xhamadana,

 

Ata që pinin rakinë, me poçe balte,

këndonin sevdanë, gjer pas mesnate;

Kishin shtëpi të lehta, prej qerpiçi,

gratë me dimite, pas vetes, si ogiçi;

 

Kishin momet bujare, që tundnin djepin

thurnin me shtiza, arnonin e qepnin,

kishin bukuroshet shtatlarta, si selvi,

që u bënin me sy nga larg, djemtë e ri.

 

Ata me nuset e hijshme, të duvakëve,

me zonjat që shkelnin Urën e Tabakëve,

me amvisat e nallaneve, trak e truk,

me djem të shtruar, të bindur, të urtë;

 

Ata me zakone dhe tradita të mira,

që përherë u qeshte, si molla fytyra.

Banorët bujarë, që hapën shtëpitë,

për dibranët, kosovarët, jabanxhinjtë.

 

Duhet nderim i madh, për ata njerëz,

që krijuan kryeqytetin, të parën herës,

ngritën Sahatin dhe minaren islamike,

që nuk kërkuan kurrë, ofiqe e karrige.

 

Për ata që lanë pasardhës të kryeqytetit,

njerëz që u rreh zemra, në gjoksin e shtetit,

që lanë pas gjakun e pastër, autokton,

në themelet e metropolit, të sotëm “Tironë”.

*

Ne të ardhurit jemi, të gjithë mysafirë,

pasi nga periferi të largëta, kemi hyrë,

jemi mbledhur, nga tërë anët e anës,

duke ngjeshur dy anët e Përroit të Lanës.

 

Mbushëm kryeqytetin me pallate,

me hyrje pa fund, me shumë kate,

strehuam një fshat, brenda pallatit,

ngritëm vilat, deri përpjetë Dajtit.

 

Erdhëm nga Jugu, Lindja, nga Veriu,

dallohemi nga dialekti, i çdo njeriu,

Shkelëm me opinga, këpucë, çizme,

me papunësi, destinuar për emigrime.

 

Tirana sot, prej reve tym e pluhur, rënkon,

Smogu shndërron oksigjenin në karbon.

Vargu i makinave të ndal, si dallga e lumit,

të helmon frymën, të pakëson orët e gjumit.

 

Lum, kush pendohet e kthehet në periferi,

ku la ajrin qelibar, më të vlefshëm se flori,

ku bari i blertë sfidon rrethimin me beton,

ku ushqimi bio, vdekjen para kohe, ndalon!...

27 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page