BALADA E GRAVE, QË U BËNË ZOGJ...
Kjo baladë drithëruese, me njëqind vaje bilbilash,
për ju, njëqind nëna, nuse e virgjëresha suljote,
vjen nga humnera e Zalogut, me tinguj klithmash,
ku jehona e sqepave të zogjve, ushton ndër mote...
Për ju, që me zogjtë e gjirit, në pelena engjëllore...
fluturuat nga shkrepi shkëmbor, në honin vdekëtar,
duke ruajtur nderin e fustane-bardhave arbërore,
për të mos rënë, në duart e halldupëve gjakatar...
Kur duke mposhtur ndjenjën e frikës, nga humnera,
ju u lidhen me njëra-tjetrën zinxhir, dorë për dore,
siç lidhen zogjtë, gjatë shtegtimit, në të tjera dhera,
dhe hodhët çamërisht, një valle të bukur popullore.
Hodhët vallen e vdekjes, buzë greminës mortore,
derisa humnera u ndali në fyt, klithmat rrëqethëse.
Kur çatajtë e ujqërve, po shqyenin cicërimat foshnjore,
fluturuat si tufë zogjsh, në pavdekësinë e përjetshme.
Ju, antiteza femërore të ndritshme, të aktit vajtimtar,
jeni shembull nderi, për semaforët ku tregtohet trupi,
nga femrat fatkeqe, të çliruara prej kanunit mesjetar,
që shesin nderin, për pak monedha, me njolla turpi…
Historia juaj ka mbetur përjetësisht, në kujtesën njerëzore,
gdhendur me shkronja të arta, në historinë e përbotshme,
për atë lloj vetëflijimi, nga më heroiket e gjinisë femërore,
për të ruajtur nderin dhe lirinë, o gra faqebardha suljote!...
Comments