top of page

Vlerat ideoartistike të romanit “Ku qëndron liria”


PROMOVIM / Personalitete të letrave evidentojnë vlerat ideoartistike të romanit “Ku qëndron liria”

 

 

 

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Nga vetë titulli domethënës i romanit “Ku qëndron liria”, që promovoi të shtunën më 11 maj 2024, kuptojmë se Dogjan Dervishi, edhe në moshë të thyer, shtegton suksesshëm shtigjeve të lirisë, duke na dhuruar një prozë befasuese.

Në këto shtigje shtegtojnë personazhet kryesorë të romanit të tij të gjashtë, Alfons Radi dhe Fuat Dibra. Që në fëmijërinë e tyre në fshatin verilindor, ata ecin ecin përmes bardhësisë së dëborës për të qenë nxënës shembullorë dhe po të tillë i prezanton ato autori edhe në vitet e mëvomshme si stundentë, ndonëse të ndarë në degë e shtete të ndryshme.

Në portretimin e këtyre dy personazheve spikat gjuha e pasur dhe rrëfimi mjeshtëror i autorit, i ngjarjeve që ata përjetojnë.

Pa u zgjatur në vlerat ideoartistike, pasi ato i ka evidentuar më së miri redaktori Qazim Shehu, në këndvështrimin e tij të lirisë së individit si qasje personale dhe kohore, po veçoj disa veçori specifike të prozës së Dogjanit.

 



KATËR VEÇORI TË ROMANIT

“KU QËNDRON LIRIA”

 

E para, natyshmëria në rrëfimin e ngjarjeve. Si njohës në mënyrë perfekte i realiteteve në të dyja sistemet, ai i vendos ngjarjet në kontektsin e kohëve kur ato ndodhin.

Kështu, Fuat Dibrën, në rininë e tij e profilizon si studentin e shkëlqyer të mjeksisë në një universitet të Pragës, ndërsa më vonë si viktimën e regjimit pse tentoi arratisjes, në kërkim të dashurisë së humbur.

Po këtë qasje ka autori edhe në ndërtimin profilit të Alfons Radit duke na e paraqitur si nxënës e student shembullor në rininë e tij dhe më vonë, edhe si viktimë kur nga pakujdesia e mosmarrjes së masave të sigurisë, i aksidentohet punëtori Arber Semini dhe përfundon i penalizuar. Por që gjithsesi, kalvari i tij përfundon këtu, sepse më pas, falë ndershmërisë dhe kërkimit të hapsirave të lirisë, Alfonsi ngjit një e nga një me merite shkallët e karrierës.

E dyta, ndërtimi kompozicional i veprës, ku spikat gërshetimi  dhe ndërthurja e ngjarjeve me lidhjet dashurore të dy personazheve, duke na rrëfyer me mjeshtri të rrallë artistike e gjuhë mjaftë të pasur karakteristikat e tyre. Kështu, nëse Fuat Dibrën e paraqet të dashuruar marrëzisht me studenten çekosllovate Iveta Zllavko, dashuri kjo që do t’í kushtonte vite të tëra privim lirie, krejt ndryshe e përshkruan gjetjen e  dashurisë së Alffonsit te Sara, vajza e një oficeri në koorpusin e Burrelit. Në përshkrimin e episodeve këtu autori na ngjall nostalgjinë e mbrëmjeve të dikurshe tematiko-defrimi në shtëpitë e kulturës të fshatrave, nga ku lindnin dashuri që u rezistonin kohërave.

E treta, kohezioni në prozën e Dogjan Dervishtit. Nëse ai nuk nguron të denoncojë e demaskojë sistemin e burgjeve të komunizmiit nga ku të dënuarit si Fuat Dibra përjetonin kalvarin më të tmerrshëm, kur vjen puna tek Alfonsi ai e paraqet atë me vizion bashkohor, të përkushtuar për detyrat që i ngarkohen deri në piramidën e athershme shtetërore e paretiake, ndërsa ns kohën e sotme ai na paraqitet si intelektualin me kurajo e te ndershëm, që nuk pajtohet me shfaqjet e korrupsionit, duke i atribuar atij institucionin e dorëheqjes.

E katërta, trilli artistik dhe analiza. Dogjan Dervishi ka meritën e shkrimit të një proze, në të cilën gërshetohen mjeshtërisht trilli artistik me analizën e situatave. Kështu, nëse në skenat dashurore të dy personazheve kryesore kemi çaste impresionuese, sidomos në rastin e Fuat Dibrës, që edhe pas 25 viteve izolim në burgun famëkqe të Spaçit, ish e dashura çekosllovake Iveta Zllavko, ndonëse e martuar me një burrë tjetër, jo vetëm e fton Fuatin dhe i mundëson një vizitë mbresëlënëse në Pragë, por për vitet e jetës në moshën e trete, bën ndërmjetësen duke e martuar me një të afërmen e vetë, e kështu Fuati mbetet mes dy dashurive…

Lidhur ngushtë me trillin artistik mjaftë befasues, Dogjani na jep edhe analizën e situatave, qoftë të shkaqeve që çuan në dështimin e sistemit të kaluar, edhe të fenomeve gërryese të shoqërisë së soteme në tranzion.

 

PROZË ME ELEMENTË JETËSORË

 

Në këtë optikë e analizon këtë roman edhe redaktori Qazim Shehu, i cili në parathënie, ndër të tjera shkruan: “Romani ‘Ku qëndron liria’ është një vepër që lexohet me kënaqësinë që të jep një prozë me element jetësorë. Ai lexohet për gdhendjen që autori u bën personazheve, për narrativën e rrjedhshme, për kujdesin në ruajtjen e ritmit të rrëfimit, për ndjenjat e holla dhe lirizmin, për epikën e kohërave dramatike dhe qasjet që individi i bën kohës. Ai dallohet për idetë e caktuara kohore, por edhe për idetë universale, duke na sjellë ndër mend thënien e Sarttrit se ‘institucionet nuk japin liri’. Por atëherë ‘KU QËNDRON LIRIA’? Ajo qëndron në përpjekjet që duhen bërë për të, duke na sjellë këtu idenë e Gëtes te vepra ‘Faust’: ‘Vetëm ai e meriton lirinë që shkon çdo ditë të luftojë për të”.

Në promovimin e këtij romani, vlerat ideoartike të tij i evidentruan edhe akademiku Xhelal Marku, publicisti Faik Xhanim – Mjeshtër i Madh dhe poetja Anila Kodra.

Më parë, autori Dogjan Dervishi ka botuar dhe promovuar romanet: “Zhgënjimi”, “Shpresë e thyer”, “Perandoria e mediave”, “Një histori qëndrese” dhe “Në ingranazhet e mafias”.  

Si njohës i prozës së tij, nuk dua të zgjatem e të zgjoj kurreshtjen e lexuesit me detaje të këtij romani, veçse t’í uroj Dogjanit krijimtari sa më produktive e cilësore edhe në të ardhmen.

33 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page