Vladimir Muça: DURRËSI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 1 min read

DURRËSI
S'e mbajtën dot kodrat varg e varg,
Në shtegtime shekujsh ju ngusht ai vend,
Këtë pikë gjeografike Leoniku e pat marrë
Meridian të parë me gjithë mend.
Aherë Koperniku më i miri nxënës
S'e kish Grinuiçin shkruar askund,
Kur Leoniku me majën e penës
E zgjoi dijen nga gjumë i pafund.
Shpresa e tyre në themele kullash
Flen në zgjim-pritje të ironisë,
Përlotet qyteti nga vajtime statujash
Si lot i qiellit në strehë të shtëpisë.
Fle Durrësi im zgjatur tej ane
Si lypës i lodhur në këmbë,
Tjetër mënxyrë në ditë fatale
I rri në sy, si e madhe brengë.
Mua poetit më kumbit Tomeo
Me zërin e të urtit në kuvend,
Me Kukuzelin në tinguj Te-Deum
Të zgjohem dua çdo mëngjes.
IKJA E REFUGJATËVE
Ata ikën,
Deti inatçorë
Tallazonte mëngjesin.
Nga ikja e tyre
Asgjë s'kish mbetur:
Veç gjurmë e gomones mbi rërë
Dhe dy shapka,
Në tallazitje mbi dallgë,
Drejt golit të nisjes.
1993
ME ALFABETIN
Me shkronjat e alfabetit
Ndërtova shkallaren
E bunarit të jetës,
Dhe zbrita
Në zemrën e popullit tim.
Castelnovo Di sotto
12.12.2018
Comments