top of page

VIZITOR I PËRGJËRUAR...


Vullnet Mato

 

 

 

VIZITOR I PËRGJËRUAR...

 

Ika në adoleshencë, nga qyteti i lindjes

dhe sa herë shkoj aty, ndjehem djalosh.

Më merr malli, të futem në det, si xhindet,

të numëroj sa peshq, më kanë hyrë në kosh.

 

Të mbaj frymën, pesëdhjetë metra nën ujë,

të shoh, ku përgjumet oktapodi i fshehtë,

kur zemra, të më godasë gjoksin me bujë,

të dal në sipërfaqe, si delfin i vërtetë...

 

Harroj vitet e shkuar dhe dua sërish,

t’i shkruaj gjithë muret me thëngjill të zi:

“Do bëhem shofer, do bëhem artist!”,

duke parë ëndrra, me fluturime në liri.

 

Natën të vë kokën, mbi  gjoksin e nënës,

ku mbështeteshim, shtatë fëmijët pas buke.

Ajo të na lëmojë kryet, nën dritën e Hënës,

si qenie mitologjike, me shtatë kokë mbi supe...

 

Dua të mbledh, shokët e parë të moshës,

t’i biem me not, gjysmëhënës blu të qytetit,

pastaj para gjithë djemve e vajzave të shkollës,

kush del i pari, ta shpallim, “Dashi i detit”.

 

Të shkoj në muzg te Rita, nën degët e fikut,

ta puth i limaksur, sikur më ndjek hataja;

Ajo të më mbaj dorën, te fija e llastikut:

“Aman, mos m’i hiq, se më rreh mamaja!...”

 

Me nxitim dashurie, t’i them në këmbë:

“Mos ki frikë, moj shpirte, se më ke mua!

Sa të zgjatem dhe pak, ndonjë pëllëmbë,

do vij te shtëpia jote, të kërkoj për grua!”

 

Por kur shoh veten, në ndonjë xham vitrine,

përfytyrimet, më kthehen në realitetin konkret,

kujtohem, se ujërat nuk kthehen në burime

dhe mbetem vizitor i përgjëruar, për atë qytet...

5 views0 comments

Comentários

Não foi possível carregar comentários
Parece que houve um problema técnico. Tente reconectar ou atualizar a página.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page