top of page

Viti 2020 viti i Ambasadorëve Perëndimorë të rrinj në Shqipëri


Dr Fatmir Terziu

Viti 2020 viti i Ambasadorëve Perëndimorë të rrinj në Shqipëri


Dr Fatmir Terziu


Viti që po lëmë pas natyrshëm kërkon edhe një ndalesë të veçantë. Krahas gjërave që dihen e atyre që “fshihen”, krahas problemeve që janë sqaruar, dhe atyre që janë “ndaluar”, krahas dhimbjeve që ulërijnë dhe atyre që “s’dëgjohen”, ka mijëra dhe mijëra të tjera që vijnë dhe arsyetohen në atë që shqiptarët gjithnjë kanë qenë një sy e një vesh për Botën që i rrethon. Ky sy e ky vesh më së shumti në vitin që lamë pas ishte i lidhur, por edhe mjaft i mishëruar me Diplomacinë, me atë që përfaqësohet dhe na përqafon Bota në kryeqytetin tonë të dashur Tiranë. Sado, që emra të mirënjohur të diplomacisë shqiptare, kryesuar nga Ambasadori Zef Mazi, kanë folur për “ndërhyrjet e tepruara të ambasadorëve” në politikën shqiptare, kjo nuk ka qenë një stacion, ose një ndryshesë. Diplomacia, që normativen e saj e ka të lidhur me profesionin, veprimtarinë ose aftësinë e administrimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, zakonisht nga përfaqësuesit e një vendi jashtë vendit, ka qenë jo pak herë në një prej togfjalëshave “krahas gjërave”.

Por, kur flasim për diplomacinë, natyrisht pikësëpari, kemi parasysh Ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë, që në jo pak raste mbetën ose të turbulltë, ose të heshtur, ose vetëm dëgjues e mbështetës të një pale. Një ambasador që natyrshëm është përfaqësuesi i rangut të qeverisë i vendosur në një kryeqytet të huaj, si pasojë e faktorit shqiptar, ka qenë në “perceptimin” e popullit edhe një zë i fshehur, ose disi i diktuar të dëgjohet, pasi mendohet si i tillë. Por, ndërsa diplomacia, diplomatët dhe vetë ambasadorët kanë një mandat në detyrën e tyre, edhe koha tashmë në ndërrimin e viteve ka një arsye më shumë të ndalet në disa nga këto lëvizje që pritet të ndodhin në vitin që vjen, pra në vitin e ri 2020.

Dhe syri shkon tek SHBA, si aleati më adekuat dhe më i afërt i politikave shqiptare të pas 90-ës. Senati amerikan ka bërë para disa ditësh zyrtar, emërimin e Yuri Kim, si ambasadorja e re e SHBA-ve në Shqipëri. Dihet tashmë se në muajin nëntor Yuri Kim u aprovua nga Komisioni i Jashtëm i Senatit, para të cilit deklaroi, se se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhej të miratohej nga Senati. Më tej sytë mbesin tek një mbështetëse tjetër e Shqipërisë, Britania e Madhe, që është dhe aleatja më e afërt e SHBA.

Për ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe, problemi kryesor, pos edhe fitores së madhe të Konservativëve të Kryeministrit Boris Johnson, detyra parësore do të jetë parandalimi i trafikimit të qënieve njerëzore, ku sipas statistikave britanike, Shqipëria është dhe mbetet një vend problematik në këtë pikë. Në mjaft qendra për minorenë dhe atyre për gratë e femrat e trafikuara shqiptarët kanë një numër të konsiderueshëm, thuhet nga zyrtarët britanikë.

Për pasojë largimi i të rrinjve ka qenë dhe mbetet një problem edhe për vetë Shqipërinë. Ambasadorët e Bashkimit Evropian disa muaj më parë apeluan të rinjtë që të kontribuojnë në Shqipëri dhe të mos largohen nga vendi. Në një takim me ta, diplomatët kërkuan përfshirjen e të rinjve në politikë pasi kjo do ta demokratizonte vendin, me një tematikë pak a shumë të tillë: “Suksese dhe punë të mbarë në Shqipëri, në Shqipëri”.

Ndërsa ky ishte apeli i përbashkët që nëntë ambasadorët e Bashkimit Evropian drejtuan për të rinjtë, diplomatët kërkuan që ata të qëndrojnë në Shqipëri dhe të përfshihen në politikë, ndërsa shefi i delegacionit të BE Luigi Soreca, tha se zëri dhe mendimi i rinisë duhet të dëgjohet nga vendimmarrësit.

Kur ambasadori Soreca theksonte “Duhet të përqendrohemi tek të rinjte dhe fëmijët, të dëgjojmë mendimin tuaj, … Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit” fjalia e tij e fundit “Do të jeni qytetarë të ardhshëm të BE.”, ishte dhe mbeti më e debatuara. Ndoshta ajo që solli në skenë vëmendjen se ikja e shqiptarëve, e më së shumti e të rrinjve i intereson Qeverisë Rama. Arsyeja dihet, dhe ajo nuk do asnjë koment. Ata që largohen nga Shqipëria janë votues të Opozitës, ose më së shumti ata dhe ato që nuk do të votojnë, pasi nuk kanë asnjë shpresë në kushtet e sotme qeveritare.

Edhe pse Diplomatja gjermane Susane Schutz, tha se pjesëmarrja e të rinjve në politikë apo në shoqërinë civile do të sillte impulse pozitive, apo edhe pse për ambasadorin austriak, Sattler, Shqipëria ka nevojë për një qarkullim elitash dhe këtë mund ta sigurojnë vetëm të rinjtë, takimi i diplomatëve me të rinjtë që u realizua në kuadër të Ditës së Europës, nuk ndryshoi asnjë gjë në ikjen masive të shqiptarëve.

Ikjet e të rrinjve kanë qenë një vit më parë sisot edhe në vëmendjen publike të Kryetarjes së LSI-së, Monika Kryemadhi. Kryemadhi theksonte “Ashtu si dikur në mesjetë binte murtaja apo kolera, sot në Shqipëri ka rënë një sëmundje shumë e madhe dhe e rrezikshme, që është mungesa e besimit dhe e shpresës. Që do të thotë shkrirje dhe reduktim total. Nëse ne nuk do të kemi të rinj dhe të reja që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri nuk mund të ketë një shtet që ndërton institucione të forta. Nëse ne do të kemi të rinj e të reja që duan të ikin një orë e më parë për të mos e kthyer më kokën prapa nuk do të kemi më mësues, inxhinierë, mjekë, lidera që të drejtojnë këtë vend në rrugën e duhur, sepse, për hir të së vërtetës, në këto 27 vite klasa politike ka punuar mbrapsht. Ku pjesë e saj jemi dhe ne politikanët e vjetër të politikës shqiptare, sepse duhej ta kishim ngritur zërin shumë kohë më përpara. Por më mirë vonë sesa kurrë…”.

Për ikjet e të rrinjve, të shqiptarëve në përgjithësi, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është shprehur: “Njësoj si në vitet e para të tranzicionit sërish qëllimi i shqiptarëve është të ikin. Ndërsa ikja e atëhershme ishte e motivuar për të prekur dhe gëzuar sa më parë lirinë dhe mirëqenien perëndimore, ikja e sotme është nga dëshpërimi se ky vend mund të mos bëhet kurrë.” Lidhur me këtë, kur thuhet nga Basha se “ikja e sotme është nga dëshpërimi se ky vend mund të mos bëhet kurrë”, ajo që mbetet disi tek togfjalëshi “krahas gjërave” është edhe puna që duhet të bëjnë ambasadorët e rrinj që priten të zëvendësojnë ata të vjetërit, të përceptuarit ndryshe sot në Shqipëri.

Por, a do të ndryshojë kurs ardhja e ambasadorëve të rrinj, në një kohë që pritet mjaft nga reformat që vendet e tyre kanë mbështetur në këto vitet e Qeverisë Rama? Viti 2020 ndoshta do të mbetet të jetë ende me një sy tek diplomacia e huaj. Ndoshta akoma më shumë, edhe pse një nga diplomatët më të thekur që ka Shqipëria, Zef Mazi, me kohë ka vënë theksin: “Ambasadorët nuk duhet të ndërhyjnë si të zotë të shtëpisë”, për të cilin vetë eksponenti i lartë i PD-së, Edmond Spaho, ka theksuar me kohë: “Zef Mazi është një nga diplomatët më të mirë që kemi, me karrierë dhe lidhje ndërkombëtare, që mund të ishte ministër i jashtëm i çdo qeverie pavarësisht krahut të saj”. Sidoqoftë le të presim mbërritjen e diplomatëve të rrinj të vendeve mike të Shqipërisë, pasi flitet për manadate të tjera të reja në pritje. Kjo tregon sidoqoftë se Viti 2020 do të jetë me një sy e një vesh shqiptar tek ambasadat perëndimore, si viti i Ambasadorëve Perëndimorë të rrinj në Shqipëri.


59 views2 comments

2 Comments


Njazi Xhelo Eshte e veshtìre te heshtesh,per dhimbjen e popullit,tend!

Like

Perparim Hysi Sumbullën e artë dhe,po ra për tokë, e ngrenë dhe e fusin në xhep.Ti jenjë"rruazë e artë: në PANTEONIN e LETRAVE SHQIP!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page