TË GJALLË SI NË NJË MUZE TË SË SHKUARËS, NË KLINIKËN PA TË TASHME …
- Rreth romanit “Kohëstrehim” të Georgi Gospodinov, est-etika e tij -
Nga Visar Zhiti
S’arrin të bësh muze për diçka që s’ka ikur, - thuhet diku nëpër romanin e porsa dalë, “Kohëstrehim”, i shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov dhe unë e ndjej fort këtë sentencë, mbase nga që jam lexues shqiptar, ballkanas si dhe autori i romanit, fqinjë që ngjasojmë në fatin historik, gatuajmë dhe njëlloj, mund të thuhej në ndonjë katedër, por pësuam dhe atë që vuajti e gjithë Europa Lindore në shekullin XX, të njëjtin sistem komunist, pavarësisht se cila diktaturë ishte më e egër dhe ku tranzicioni është më i vështirë e i pambaruar ende.
Megjithatë jeta mbrapsht është futur në të shkuarën e saj si në një muze, në fakt në një klinikë terapie me psikologun, me të tashmen e braktisur vetë, madje me referendum dhe kështu spitali është zmadhuar sa vendi, sa vendet, ka vazhduar sa i gjithë kontineti.
Po pra, kjo ndodh në romanin e çuditshëm duke nënkuptuar dhe të bukur, ndërsa po të thosha vetëm i bukur, do ta kisha fjalën dhe për i çuditshëm, në “Kohëstrehim”-in Gospodinov, nga përmbajtja e të cilit përftojmë një estetikë të veçantë, shqetësuese, që më vjen ta shkruaj për shumë arsye: est-etikë si një pësim.
Romanin në shqip e botoi “Toena, me përkthimin nga origjinali nga Milena Selimit, e cila bullgarishten e ka dhe gjuhë të nënës, pra ajo i përjeton fjalët ashtu si ndodhitë në vetë të parë, gjendja është edhe jona. Est-etikë...
PERSONAZHI KOHË
Një roman fantastik, ndjehet si i tillë, kur është dhe realist dhe ndjehet si i tillë, ndërkaq fantastikja shkon aq larg sa mbërrin deri tek vetja, te tjetri dhe kolektiviteti popull, ku personazh qendror është koha, - e padukshme si protagonistët në ca vepra të asisojshme, se edhe koha është e padukshme në vetevete, mund të thoshim. Por jo. Koha e Gospodinovit në romanin e tij është më reale se realiteti, e konkretizuar, mund ta zgjedhësh e të strehohesh në të.
Pamatshmëria relative ajnshtajniane e saj nuk përbën ndonjë torture mentale. S’janë datat, as emrat e ditëve, muajt, dekadat, meteorologjitë, buletinet e lajmeve, oraret e trenave, të aeroporteve, të takimeve të dashurisë, atentateve, vitet, Lufta e Parë Botërore, e Dyta, Rënia e Trojës, e perandorisë komuniste, datëlindjet, të mbështjellë dhe me mjegull harrese, datëvdekjet, kur ka dhe kujtesë e ringjallje, epokë para dhe pas Krishtit, librat e historisë, shekujt, gjeneratat, mijëvjeçarët, çasti që i shtohet çastit duke e zëvendësuar, pra duke e bërë të pamposhtur, etj, të cilat të gjitha e shenjojnë kohën, e dëshmojnë atë, por s’janë vetë koha. Të paktën te Gospodiovi siç më duket mua. Koha është ajo që është brenda nesh, pastaj dhe ne jemi brenda kohës, si në një spital pa mure, ngatërrueshëm dhe me një muze, prapë pa mure, që e zgjedhim si romanin, ku vendosim të jemi, jo vetëm si lexues, por dhe si paciente apo dhe artefakte, pavarësisht jetës, që edhe ndodh të jetë jashtë nesh.
SA MË PAK KUJTESË, AQ MË SHUMË E SHKUAR:
Ndërkaq ajo që rrëfehet në “Kohëstrehim” është distopike, tronditja që shkaktohet prej saj është fare e qetë, bota është e pushtuar nga e kaluara e vet, pra jo nga e panjohura dhe nëse ka rutinë, traditë, absurd, moskuptim deri edhe dhunime, paqe, përndjekje, dashuri, braktisje, Realizëm Socialist, est-etikë, etj, tashmë janë të bëra nga vetë ne, i dimë, s’na trembim prandaj dhe kohën po duam ta mbushim me përsëritjen e vetes. Është më e lehtë rrojtja, jo jeta.
E shkuara, thuhet në roman “Kalonte nga njeriu tek njeriu si epidemi, si murtaja e Justinianit, apo si gripi spanjoll… Njerëzit, thjesht rrëzoheshin rrugëve. Mund të infektoheshe nga gjithçka, mjaft që dikush të të përshëndeste dhe në mbrëmje ishe i vdekur...” Tronditëse sa më s’ka! Të keshë frikë nga përshëndetjet, se bashkë me tjetrin të ka përshëndetur dhe vdekja.
Romani nis me një llogari, e ku ka pa llogari, tepër të largët, por dhe e afërta është shumë larg, se kur është krijuar saktësisht Toka dhe kur filloi koha. Koha e pafund, që na i dhanë me racione si bukën, si ushqimet.
Dhe rrëfimtari, ai mban emrin dhe mbiemrin e shkrimtarit G. G. - autorit të romanit “Kohëstrehim” dhe ka po atë datëlindje, koinçidencë domethënëse, romanore, takohet me një “endacak në kohë”, enigmatik, - po thonë kritikët, - Gaustinin, i cili është ndjekës a pasionant a i dhënë, i çmendur, përfitues, shkencëtar i prapë i rrugëve të kryera të shekullit të njëzetë, e ka kuptuar ai përdor si një vazhdim me kthim prapa.
Bëhemi të gjithë hapa pas hapi pelegrinë në kohë, mërgimtarë nëpër epoka, dekada, vite të caktura, ku dhe kishim ngecur, me këmbën si të kapur në lak, çalon kujtesa, harrimi, bisedat…
Në të ardhmen s’mund të shkosh, duhet të vijë ajo, dhe kur vjen. s’është më e ardhme, të tashmen dimë ta bëjmë si rutinë, si detyrat e caktuara, befasitë e saj na gjejnë të papërgatitur dhe shkojmë në kohëstrehimin tonë, në të shkuarën, në vitin që e zgjedhim, ku jemi ndjerë mirë, ku kemi rrokullisur përvojën, sigurinë, që na u bë zakon dhe ruajmë një traditë est-etike, ku janë mundur, psh, nacionalistët, por fitimtarët duke i shkërbyer ata me grotesk. Të kaluarën dimë ta rijetojmë.
Dhe kështu në një ngrehinë në Zyrih, Gaustin hap të parën "klinikën të së kaluarës", një institucion që ofron një trajtim të specializuar për të sëmurët nga Alzheimer, pra e mbush me harrimtarë: çdo kat i pallatit i përket një pjese të së kaluarës dhe është pajisur me atë mobilim e shije e deri edhe në llojin e kopsave të këmishës, me aromat e asaj kohe, që në tërësinë e tyre riprodhojnë mendësinë e caktuar të asaj jetese, vetë atë jetesë, refuzojnë të tashmen, duke u mundësuar pacientëve shpërnguljen pas në kohë për të shbllokuar atë që ka mbetur në kujtesën e dëmtuar. Rreziku bëhet i rrezikshëm gjeneralisht kur ideja e Gaustinit përvetësohet nga politika dhe bosët e saj lemerisës. Menjëherë vende të tëra duan të shkërbejnë idenë e kësaj klinike. Në të gjithë Evropën partitë politike përurojnë me referendume epoka të ndryshme të historisë së tyre kombëtare, dekada apo vite, ku janë ndjerë të begatë apo të sigurtë a të lavdishëm apo më pak të kërcënuar, të pagoditur dhe aq nga lufta, kur kishin për të ngrënë, muzikë apo ëndërr. Dhe nis kthesa, kthimi mbrapsht, ku nuk mungon humori i sharlatanshëm: Kryeministri i një shteti juglindor gjithashtu veshi poture me shirita, brez të kuq dhe vuri në kokë një kësulë leshdredhur, kush e di pse, e zbukuruar më kokoshka. Ministrja e Turizmit veshi një sarafan të kuq, të rëndë dhe këmishë të qëndisur mëngë-gjerë.
Est-etika. Imazh i njohur yni, grotek provincial. E di apo e ka imagjinuar shkrimtari fqinjë. Rekuizita për të shkuar në të shkuarën nis nga lart poshtë. Apo ata lart e marrin nga poshtë? E sjell mendësia kështu apo mendësia e sjell si veprim?
Dhe një popull vepron si një njeri i së shkuarës. Atdheu i gjithë. Kontinenti i pamasë.
“Europa, e cila mendonte se, pas disa humbjesh të rënda të arsyes gjatë shekullit XX-të, kishte fituar një rezistencë të plotë kundrejt obsesioneve të caktuara, mërzive kombëtare, etj, në të vërtetë ishte ndër të parat që u dorëzua.” Një fitore plebishitare. Pa një zhgënjim general dhe… këtu ndjehet si llava e një vullkani të pashpërthyer thirrja e fshehtë për kujdesin nga e kaluara, shpëtimin ndaj saj.
PËR SA KOHË KUJTON, MBAN MËNJANË TË KALUARËN
Romani “Kohëstrehem” është mirëpritur në gjuhë të ndryshme të botës, ndërsa në gazeta të mëdha e revista ka patur mjaft reviews e mendim kritik vlerësues, duke e parë dhe si një sensacion ndërkombëtar të autorit të vlerësuar me çmime të larta. Romani ka një të vërtëtë të madhe ose alarmin që ajo e vërtetë të mos bëhet e vërtetë më. Shumë njerëz të shëndetshëm mendërisht, - është vënë re, - e kërkojnë këtë klinikë për të shpëtuar nga ngërçi i jetës së tyre të përditshme dhe aluvionet e së kaluarës mbulojnë të tashmen me një si shkëlqim zymtan, dëshpërueshëm, madje me një farë lehtësimi dhe atë humorin e mençur. Vazhdon narracioni, vetë klinika është narrative, vazhdojnë suksesshëm terapisti fantast Gaustin, me ndihmësin, narratorin hokatar të pikëlluar, Gospodinov, i cili, e di, e përjetoi komunizmin, u rrit me fundin e tij, në gonglën e nyjes ku e shkuara lidhet me të tashmen. Në këtë tranzicion ata trajtojnë si pacientë vetë shekullin XX në Europë. Kritika e huaj ka vënë në pah shakatë trallisëse, p.sh, gjejmë në tekst një pacient, ndoshta rumun,që ngushëllohet duke kujtuar jo atë që ka përjetuar, por atë që ka fantazuar: një jetë në SHBA. Nostalgjia nuk ka të bëjë me atë që kishe, por me një kujtim të asaj që doje… Në një rast pikëllues, Gaustin trajton një grua që nuk mund të durojë dushin, ajo është një e mbijetuar e Holokaustit dhe i ndërmenden dhomat e gazit, asaj i duhet lloji terapeutik e i nevojshëm i harresës, etj, etj. Ndërkaq çudi, bota thërret të kaluarën, përpara se të harrojë. “Të shkuarën kam atdhe, - ndihet si thirrje e brendshme e atyre që dhe s’kanë atdhe, por vetëm të kaluar, kur u dukej se ishin kaluar.
Përmasat sociale të harresës bëhen agresive dhe shqetëuese, edhe pa e ditur, po aq keq sa dhe ata që e dinë.
Aktivistët e Soc-it kishin zotëruar mediat e reja, thënë saktë “pushtuar”…. Fantazma e komunizmit sillej përreth në rrjet, emblema dhe relike të vjetra përsëri shndërroheshin në simbole. Kur ndodhi e gjitha kjo? Këtu është faqja “Ta kthejmë socializmin, Druzya”, gjysma e shkruar në rusisht.
[…]
Miti i së majtës mbetet i varfër në thelb… të harroheshin të therurit dhe të varrosurit në varre të përbashkëta menjëherë pas një grushti shteti, të harroheshin të rrahurit, të shkelurit me çizme, të dërguarit nëpër kampe, të harroheshin të ndjekurit, të gënjyerit, të ndarët, të ndaluarit, të poshtëruarit... Të harroheshin. Dhe të harrohet se janë të harruar... Harrimi kërkon punë.
Pas diktaturës së të ardhmes, po vinte diktatura e së shkuarës. Ankth kafkian, tmerr i “84” orwelliane, burokraci vrastare e “Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë”, konkretisht qytetarë që përndiqen nga e kaluara, ku përndjekësi aq sa fantazë, me materie kohe, është dhe fare banal, spiun lagjeje, operativi i zonës, lloji i patronazhistit, kritiku i mbetur i socrealizmit, etj, etj, ata që e mbajnë mend më mirë jetën e tjetrit, se sat ë tyren të venitur, dosja e është më e fortë se jeta. Asnjë komb nuk donte të hiqte dorë nga mjerimi i tij. Ishte lëndë e parë për gjithçka… Si të ndahesh nga pakënaqësia kur disa kombe kanë vetëm këtë pasuri…
Lumturia nuk bën pjesë në librat e histories… Lumturia nuk farkëton shpata, materiali është i brishtë, as romane të mëdha nuk bëhen prej saj, as këngë dhe epose
“Kohëstrehim”, vë në dukje kritika botërore, u shkrua midis referendumit të Brexit dhe pushtimit rus të Ukrainës, të cilat të dyja përfaqësojnë, në mënyrën e tyre, armatimin e nostalgjisë dhe përzgjedhjen e epokave të veçanta në klinikën kohore të rendit jo shumë të ri botëror. Unë zbuloj dhe ndjej se duke na e dhënë të kaluarën me doza të plota, me teprinë paranojake, si në një proces dealkoolizimi, kërkohet çnxjerrja e kohës dramatikisht prej nesh, një ekzorcizëm i dobishëm për shendetin mendor. Dalje prej kohës (kupto: të shkuarën) mrekullisht si në një aventurë lirie. Me dëshpërim të fshehur për gjendjen, të paktën te personazhi i rrëfimtarit që, e përsëris, mban identitetin e autorit të romanit, G. G.
Romani vêtë është një kohëstrehim ashtu siç ishim mësuar me vendstrehimet, me bunkerët dhe transhetë, që na ndërmendin përgatitjet për mbrojtje, për luftë pra, se njëlloj përthyhen emocionalisht, qoftë dhe luftë e ftohtë, alarmet, ato zboret siç përdornim atëhere këtë fjalë sllave, Realizëm Socialist, heronjtë pa heroizma, paranojakët e kritikës, etj.
Titulli në bullgarisht “Vremeubezhishte”, është vënë në dukje se është një neologjizëm, po kështu kumbon dhe në gjuhën angleze, “Timeshelter”, që edhe në shqip, “Kohëstrehim”, e ka atë semantikë drithëruese, atë “gjej-vend-ku-të-futesh”, shqetësim dhe dramë, të shpalosur çuditërisht ëndshëm në roman.
E ndjej shumë, edhe si një qëllim, nga që jam lexues fqinjë me autorin, ballkanas, e thashë, që pësuam dhe atë përmbysje dhe përmbysje të përmbysjes, atë kujtesë dhe harrim të pamundur, kthim të gatimeve të dikurshme në katedër dhe kemi atë kohëstrehim në Tiranën tonë me muzeume si Bunkart 1, Bunkart 2, Shtëpia me Gjethe, Studio të Shkrimtarit, arkitektin e së cilës e futen në burg për kubizëm në arkitekturë, kur shtëpitë, s’mund të jenë ndryshe veçse kubiste, edhe të atyre që dënonin, madje kubiste i kanë qelitë apo birucat dhe gropat e varreve.
Po në roman pse s’ka dashuri, skena të nxehta të saj, erotizmin e shfrenuar, mund të thonë, si vepër e shekullit XXI? Është zëvendësuar me dashurinë e shprehur ndryshe për njerëzimin, që na ndërmend të kaluarën e veprave të mëdha, zanafillën e modernes, tashmë të përkryer, me shqetësimin për të ardhmen si dashuri për veten dhe tjetrin. Dhe artin. Me est-etikën e mrekullueshme gospodinoviane. Me paradokse dhe pikëllim
Comments