top of page

Visar Zhiti: Poezia ime, më e fortë se diktatura


Ita Semi

Visar Zhiti: Poezia ime, më e fortë se diktatura

Nga Arkiva

18 Jun 2009

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Itali ofron për poezinë shqipe një urë të qendrueshme komunikimi me pjesën tjetër të botës


Ita Semi


Festivali i 15-të Ndërkombëtar i Poezisë, që po zhvillohet në Gjenova, Itali, ka afruar pranë vetes edhe një nga poetët më të njohur shqiptarë, Visar Zhitin, i cili ka interpretuar poezitë e tij në datën 13 qershor. Festivali, që ka nisur në 11 qershor, do të zgjasë plot 10 ditë. Ky festival ofron për poezinë shqipe një urë të qendrueshme komunikimi me pjesën tjetër të botës. Festivali ndërkombëtar i poezisë është një ndër aktivitetet më prestigjoze të dedikuara poezisë. Prej vitit 1995, ai fton pranë vetes poetët më të rëndësishëm nga vende të ndryshme të botës, si dhe grupe spektatorësh të apasionuar pas kësaj gjinie interesante të letërsisë. Prej festivalit të parë e në vazhdim, në të kanë marrë pjesë më shumë se 800 poetë nga mbarë bota. Ndërkohë që Shqipëria është përfaqësuar në to me Ismail Kadarenë, Luljeta Lleshanakun dhe Visar Zhitin. Në një intervistë, poeti Visar Zhiti tregon për korespondenten e ATSH-së në Romë, Teuta Meçi, më tepër rreth këtij aktiviteti dhe rëndësisë së tij për letërsinë shqipe.

- Ç'përfaqëson pjesëmarrja e një poeti shqiptar në këtë aktivitet?

Unë isha i ftuar në Festivalin e 15-të Ndërkombëtar të Poezisë në Gjenova, duke besuar se po çoj atje kumbimin prej kambanash të gjuhës dhe poezisë shqipe. Kjo nuk është hera e parë që marr pjesë në këtë festival, por si unë edhe poetë të tjerë, kemi marrë pjesë edhe në edicione të tjera të tij. Janë plot 10 ditë, ku mblidhen poetë nga e gjithë bota. Shpresoj që prania ime dhe poezia ime do t'u thotë italianëve se poezia është më e fortë se diktaturat dhe triumfon mbi to, që Shqipëria është një vend europian, pjesë e kulturës europiane, që i beson poezisë së saj, që në një farë mënyre, është dhe ditari shpirtëror i një kohe, por dhe i shekujve. Poetët shqiptarë janë dhe martirë të fjalës shqipe dhe ne tani po jetojmë epokën e një ringjalljeje.

- Çfarë rëndësie kanë për poetët shqiptarë aktivitete të këtij lloji?

Veprimtari të tilla kanë dhe rëndësinë e tyre, shtojnë hapësirat e njohjes, poetët shqiptarë njihen me të tjerë, dalin, shohin, aq më tepër që këto bëhen me shpenzimet e palës pritëse, gjë që tregon se investohet në vendet e qytetëruara edhe për poezinë dhe ç'është më e rëndësishmja, na jepet rasti që të çojmë atje zërin tonë dhe të të tjerëve, shpalosim dëshira, ëndrra dhe të tjerët dëgjojnë kumbimin e gjuhës sonë, ndër më të lashtat në botë dhe ndër më të bukurat. Po përsëris atë që e themi shpesh nga Dostojevski që, "e bukura do ta shpëtojë botën".

- Si e vlerësoni pjesëmarrjen në këto aktivitete, si rezultative apo thjesht trampolina për njohje të rëndësishme?

Edhe njohja është rezultat. Kurse njohjet e rëndësishme kanë akoma më rëndësi. Duke të njohur dhe do të të duan. Dhe poetët, duke qenë së bashku, ndjehen mirë dhe besojnë tek vetja dhe tek shoqëria, tek misioni i tyre, që të prodhojnë emocione pozitive.

Gjatë festivalit, i cili po zhvillohet në një oborr të madh mes Pallatit Dukal, të mbushur me njerëz në Gjenova, bëhet e mundur që qytetarët italianë dhe poetët e pranishëm, të ftuar nga bota, "të prekin" një Shqipëri tjetër nga ajo që ndodh të paraqitet rëndom nëpër gazetat, një Shqipëri poetike, së paku. Por duke qenë të pranishëm dhe emigrantë shqiptarë në veprimtari të tilla, edhe ata ndjehen më mirë, madje edhe më të vlerësuar. Poezia, përveç të tjerave, ka fuqinë e magjishme që të miqësojë njerëz dhe popuj, të paktën tek ata që e besojnë dhe nuk janë pak. Veprimtari të tilla kulturore bëjnë që imazhi i vendit tonë të jetë më me dritë dhe ne kemi nevojë dhe për një imazh. Poezia ka lindur me njeriun dhe do të vdesë bashkë me të. S'kemi pse ta mendojmë të tepërt ende.

- Cila është gjeografia e pjesëmarrjes në këtë festival?

Kam shfletuar katalogun e festivalit, ka plot emra të ftuarish poetë, këngëtarë, aktorë, kineastë, grupe artistike, muzikantë, piktorë, etj., italianë, francezë, austriakë, grekë, sllovenë e sllovakë, rumunë, qipriotë, danezë, holandezë, amerikanë e tajlandezë, tunizianë, zviceranë, libanezë, nga Montevideo, nga Amerika e Jugut, etj. dhe veprimtaritë janë nga më të ndryshmet, madje edhe rrugëve të Gjenovës. E pse të mos kishte dhe një shqiptar?

- Gjatë qëndrimit tuaj në Festivalin e Poezisë si keni menduar ta organizoni kohën tuaj?

Në Festivalin e Poezisë në Gjenova kam qëndruar vetëm dy ditë, të shtunën dhe të dielen, kjo më krijoi mundësi që të mos humb asnjë orë nga puna në Ambasadën e Shqipërisë në Romë. Në festival lexova poezitë e mia, për të cilat isha ftuar dhe pastaj i jam rikthyer jetës së përditshme. Duke menduar si gjithmonë, që të shpëtoj sa më shumë poezi nga kthetrat e realitetit, që sa më shumë poezinë ta bëj realitet timin. Me urimin që t'u shërbejë dhe të tjerëve. Tek e fundit, festivali atje ende vazhdon, kanë vajtur poetë të tjerë...

- Krahas pjesëmarrjes në këtë Festival të Poezisë, keni në duar ndonjë botim të ri?

Kam dorëzuar për botim një roman në Shtëpinë Botuese "Omsca-1" në Tiranë dhe pres të dalë së shpejti.


14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page