NOBELISTI ITALIAN,
POETI SALVATORE QUASIMODO
…kam qenë në shtëpinë e tij, është muze në Modica, në Sicilinë magjepse, e tregoj në çdo 20 gusht kur ai lindi te kjo shtëpi, në vitin e parë të shekullit XX dhe u bë poet i madh i atij shekulli.
Teksa ecën në të përpjetën e rrugës, lexon vargje të Quasimodo-s, të shkruara në muret e vjetra. Në shtëpi është dhe zëri i tij, aspak hermetik, i inçizuar. Mbi skrivani pashë penën, orendi të tjera, por ndjeva frymën dhe heshtjen dhe doja të shfletoja njërin nga librat. Poezia e tij, sipas kritikëve, është hermetike. Gjeta dhe tercinën që ishte shkruar në mur, çuditërisht, kujtoj, që atë e kisha gjetur dhe në burg, s’e di si ishte futur… po dhe unë për poezi isha dënuar.
ED È SUBITO SERA
Nga Salvatore Quasimodo
Ognuno sta solo sul cuor della terra
trafitto da un raggio di sole:
ed è subito sera.
Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor.
Miku im, shkrimtari Lazer Stani, e kujton shpesh, ja ç’shkruan ai:
“Poezia e famshme e poetit nobelist, Salvatore Quasimodo “Ed è subito sera ” është përkthyer shumë herë në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm, mes të cilëve edhe nga poeti i mirënjohur, Visar Zhiti. E kam përkthyer dhe unë për hesapin tim. Ama, ma herët e paska përkthyer Ernest Koliqi, përkthim, që më mbeti në mendje për mjeshtrinë dhe gjuhën me të cilën e ka sjellë në shqip. Janë vetëm tre vargje, por ndoshta janë tre vargjet më emblematikë të shkruar në shekullin e XX-të.
Dhe arrîn mejhera mbrâmja
Çdokushi rri vetëm mbi zêmër
të tokës
shporue prej nji rrezjeje dielli
e arrîn mejhera mbrâmja.”
Po që guxonim ta përkthenim dhe në burg. Mbi ca copa letre, të nxira me mbrëmjen e duarve tona nga puna në minierë. Në burg mbrëmja vërtet vinte shpejt dhe nuk ikte më, hynte brenda nesh. Po unë nuk doja ta humbte në shqip atë rimën e vetme që kishin “poezia e famshme”:
DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA
Secili është vetëm mbi tokë te zemra, i çarë nga një rreze dielli
dhe menjëherë vjen mbrëmja.
Ajo rreze dielli se nga erdhi dhe për mua dhe Zoti deshi që të shkoja në Milano, do të bëja stazh në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera”, kujtoj që më thoshin se aty, ku isha unë, ishte ulur poeti Quasimodo. Kishte punuar këtu? Po, edhe Montale, edhe Dino Buzzati, edhe.. Mos më kishin thirrur, s’dihet
ç’kumt donin të më jepnin, se poetët janë të çuditshem… Me poetin Sebastiano Grasso u miqësova shumë dhe ai më njohu një ditë me Alessandro Quasimodo-n, aktor, djali i poetit. U gëzova dhe u emocionova dhe po i tregoja që babai i tij ishte i njohur, por që e donin shumë dhe në Shqipëri.
Kohët e fundit Alessandro Quasimodo ka patur një bashkëpunim me poeten shqiptare Liljana Qafa. Si të bashkon poezia, si të lidh… vende dhe kohë…
Që student mua më kishte tregua poezi të Quasimodo-s poeti Rudolf Marku, i kishte përkthyer vetë, kur nuk lejohej. Ende më ndriçon ajo hëna e tyre e madhe, që derdhej mbi ujërat e Mesdheut se shumë shpejt kishte ardhur mbrëmja tek ne…
Poeti hermetik shkodran, Zef Zorba, por që s’mund të botonte se kishte qenë i burgosur politik, as poezitë e veta e as përkthime, kishte lënë gati për kohë të tjera dhe një Quasimodo, që do të botohej postume për atë dhe diktaturën në një treshe brilante bashkë me Montale-n dhe Ungaretti-n. Do të dilnin dhe antologji të poezisë italiane, pra dhe poezi të Quasimodo-s dhe poeti Dhori Qiriazi do të sillte dhe një libërth, të përkthyer nga ai vetë. Por unë fola për atëhere, kur ishim “të çarë nga një rreze dielli”…
Visar Zhiti
Comentarios