MESDITA NË TORONTO
Mesdita në Toronto
rrjedh nëpër xhamat e kullave të larta
si ujvarë qytetare,
e kaltër, e kaltër.
Kumbimet e kambanave të Katedrales
flatrojnë rreth nesh -
pëllumba flladesh.
Po kur të mbarojë shishja e verës
në tryezën tonë këtu,
poshtë pemëve në rrugë?
Dielli - kamarier do na i mbushë gotat
me dritë dëshirash të reja.
Dashuria nuk është kujtim,
të shtrëngon dorën poshtë tryezës,
e ndjeshme si mesdita në Toronto.
Comentários